Mendim

“Minorancat” që na qeverisin nga zgjedhjet

Nga Afrim Krasniqi* -Sistemi përfaqësues është u bazuar në sistemin e shumicës: shumica fiton, shumica qeveris. Pakica luan rolin e opozitës. Shumica mund të zgjerohet me aleatë të rinj, opozita mund të pakësohet, dhe anasjelltas.

Sa legjitim është sistemi ynë përfaqësues dhe a ka rregulla strikte sa përfaqësues duhet të jetë? Kushtetuta e RSH nuk ka rregulla: neni 2 përcakton vetëm se “sovraniteti i përket popullit dhe se populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”. Nëse në 3 milion qytetarë marrin pjesë në votim 10%, 20%, 40%, 50% apo 60% e 70% kjo do të thotë se qytetarët nuk ndjehen të përfaqësuar dhe as të kënaqur me ofertat e partive në konkurrim, por ligjërisht, secila përqindje është legjitime.

Edhe nëse nga 3 milionë zgjedhës të marrin pjesë në votim 300 zgjedhës, përsëri është legjitime. Shqipëria nuk ka prag zgjedhor të pjesëmarrjes qytetare dhe as votë të detyrueshme apo të kushtëzuar. Për pasojë, ata që marrin pjesë në votime, ata vendosin. Edhe kur janë pakicë, edhe kur bëhen pakicë e pakicës.

Le t'u referohemi shifrave: tabela e realizuar nga Instituti i Studimeve Politike tregon përqindjen zyrtare të partisë apo koalicionit fitues në raport me numrin e votuesve (listës së zgjedhësve) dhe të qytetarëve (banorëve në RSH). Më 1991 fituesi përfaqësonte 56% të votave dhe 34% të qytetarëve, një devijim prej 22%. Më 1992, kur shqiptarët votuan masivisht për ndryshimin e sistemit politik fituesi kishte përkrahjen e 72% të votuesve, por de facto, të vetëm 36% të qytetarëve.

Grafiku i studimit të ISP mbi pjesëmarrjen e votuesve dhe qytetarëve në zgjedhje

Më 1996 kur votat e numëruan pa praninë e opozitës fituesi kishte 53% të votave dhe vetëm 30% të mbështetjes qytetare. Raportet u përmbysën më 1997, dhe kulmuan me rënien e përqindjes së mbështetjes së palës fituese në raport me numrin e qytetarëve nga 33% në 19% në zgjedhjet 2001 dhe 2005. Vetë rotacioni 2005 i dha partisë/koalicionit fitues 49% të votave dhe 30% në raport me numrin e qytetarëve. Më 2009 mbështetja qytetare për subjektet fituese u rrit me 3%, kurse në rotacionin 2013 pro palës fituese votuan 58% e zgjedhësve, përkatësisht 30% e qytetarëve, aq sa më 2001 dhe 2005. Më 2017 të gjithë po komentojmë zgjedhjet, por në thelb kanë rënë dy treguesit, me 10% vota për subjektin/koalicionin fitues dhe me 8% vota bazuar në numrin e qytetarëve/banorëve.

Lidhur me subjektin/koalicionin fitues zgjedhjet 2017 prodhuan shifrën e dytë më të ulët prej vitit 1991, pas 47% të vitit 2009, në dy rastet, votime për mandatin e dytë të mazhorancës qeverisëse. Edhe përfaqësimi i përqindjes qytetare është 22%, po aq sa më 2009, shifra e tretë më e ulët prej vitit 1991, por gjithsesi 3% më e lartë sesa më 2001 dhe 2005.

Nëse rezulton se Shqipëria do të qeveriset në katër vitet e ardhshme nga një parti/koalicion që ka mbështetjen në vota të vetëm 22% të qytetarëve shqiptarë nuk do të thotë se pjesa tjetër prej 78% është kundër. Të dhënat krahasimore në vite tregojnë se vetëm më 1992, në ndryshimin e madh politik të sistemit, shifra përfaqësuese e qytetarëve ishte më e larta, 36%. Por edhe në atë rast nuk do të thotë se 64% ishin kundër. Në pjesën e mbetur, si më 1992 dhe sot, gjenden më shumë se 1.4 milionë shtetas që nuk banojnë rregullisht në RSH, disa mijëra shtetas që nuk votojnë asnjëherë, disa mijëra të tjerë që janë në lëvizje të vazhdueshme në migrimin e brendshëm dhe emigrimin e jashtëm, si dhe një pjesë prej 5-10% e zgjedhësve që nuk voton me ndërgjegje, si protestë ndaj politikës dhe zhgënjimeve ndaj saj.

Drejtori i ISP, Afrim Krasniqi

Cila është vlera e krahasimeve të tilla? Vetëm politike. Aktorët politikë fitues të djeshëm apo të sotëm, duhet të kuptojnë dy gjëra: e para, ata nuk përfaqësojnë shumicën shqiptare, por shumicën e votuesve aktivë; e dyta, qeverisja është përgjegjësi kushtetuese dhe nuk fokusohet vetëm tek votuesit mbështetës, por tek të gjithë, përfshirë ata që votojnë kundër, refuzojnë votën, kanë pamundësi votimi etj. Asnjë mazhorancë nuk ka pasur monopolin e përfaqësimit, ndaj edhe siç kanë ardhur me vrap drejt pushtetit me po atë shpejtësi janë rrëzuar prej tij.

Fituesit duhet të kuptojnë se arroganca dhe mospërfillja nuk kanë vend në një shoqëri kaq pak të përfaqësuar dhe kaq shumë mosbesuese; se shumica e reformave meritojnë vlerësim konsensual në mënyrë që koncepti i shtetit dhe i interesave afatgjata publike të ndahen qartazi nga interesat e ngushta dhe afatshkurtra partiake. Dhe së fundi, secili udhëheqës, i majtë apo i djathtë, blu apo rozë, i kuq apo mavi, duhet ta lexojë tabelën për të kuptuar se nuk janë të përjetshëm, nuk janë zot të vendit, nuk kanë monopolin e përfaqësimit dhe as të vërtetës, nuk mund të sillen si sundimtarë absolut apo populistë që identifikojnë veten me shtetin, atdheun, kombin dhe të ardhmen. Ata ishin, janë e do jenë, një emër më shumë në historinë jo fort të lavdishme të këtij vendi. Thjesht, është në dorën e tyre nëse balanca e këtij vlerësimi minimal do anojë nga vlerësimi negativ apo pozitiv.

*Artikull i botuar në faqen zyrtare të Institutit të Studimeve Politike


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë