I ashpër dhe në sulm frontal kundër disa ambasadave si SHBA-s, OSBE dhe të tjera, presidenti Ilir Meta foli për më shumë një orë e gjashtë minuta nga Presidenca. Hera-herës u shfaq tejet i tensionuar, duke dhënë formulën e zgjidhjes së krizës politike, e kjo në rast se sipas tij, mazhoranca nuk pranon të zbatojë dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 13 tetorit. Zgjedhjet e 30 qershorit i cilësoi si socialiste dhe i bëri thirrje Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit dhe Doktorit (Sali Berishës) që të mos provokohen.
“Më 13 tetor edhe zgjedhje të përgjithshme edhe zgjedhje për presidentin. Dhe unë do kandidoj për president me këto kompetenca. Edi Rama dhe Kuvendi socialist që nuk më dëshirojnë të vënë kandidat këtë të dëshirojnë. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë të tmerrshme të përfaqësimit. Që mos shkojnë prapë të na futen nëpër ambasada si më 2 korrik 1990, apo siç me të drejtë u shpreh ministri i Brendshëm italian. Nëse ka ndonjë propozim Rama le ta bëjë, nëse ka ndonjë propozim ndonjë ambasadë le ta bëjë. Përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharakë, të mos tallen me Kushtetutën tonë, u tallën në 2008, apo i keni harruar, një nga ata ambasadorët që është prapë këtu (ambasadori aktual i OSBE-së), ai diskuton për hallin e Presidentit, për hallin e Idajetit, t’i zgjidhim hallet e kombit. E ftoj Ramën të tregohet i përgjegjshëm, i ftoj përfaqësuesit e huaj mos bëhen qesharakë, mos tallen me Kushtetutën tonë. U tallën njëherë me Kushtetutën tonë kur i mbante iso Ramës dhe doktorit”, deklaroi Meta.
Ai akuzoi se zgjedhjet e 30 qershorit ishin një skenar për të futur në përplasje civile shqiptarët. “Ishin një kurth dhe komplot i kurdisur prej kohësh për të krijuar një përplasje civile. Është një komplot që bazohet jo në parime të demokracisë e as në vlerat e BE dhe as të NATO, e cila siç tha shefi i NATO-s që në zemër ka në demokracisë. “Deep State”, “Total State capiture” synon në Shqipëri, janë një komplot kundër demokracisë dhe gjithë vendit. PPPd- janë grupi i strukturuar që synon kapjen e plotë shtetit dhe kanë gjetur njeriun e duhur për këtë çështje që nuk vjen në këto takime me presidentin, por lahet në pishinë. Ku presidenti ka propozuar rrugën e zgjidhjes që nuk është “Rama ik”, siç kërkon opozita, por “Rama reflekto”. Tani pas të shtunës kam një axhendë tjetër, “Edi Thellohu!”, deklaroi presidenti.
Presidenti ndërkohë ka sqaruar edhe simbolin e PPPd-ve që ai akuzon se po punojnë kundër Shqipërisë dhe veprojnë “shteti i thellë” ose shtet brenda shtetit (deep state). “P – Politikanët; P – Propaganda (mediat që kontrollojnë nga qeveria); P – Policia jo si Polici e Shtetit, por rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar njerëzit. Ndërsa “d” e vogël – Diplomatët e huaj që kanë braktisur misionet e tyre”, ishte shpjegimi i kreut të shtetit.
Për Metën ndërkombëtarët japin zgjidhje që të çojnë në Korenë e Veriut. “A duan të zgjidhin krizën? T’u japin mundësi njerëzve të shprehen, kanë të drejtën e tyre. A nuk janë dakord me presidentin? A duan ta pjekin presidentin në furrë? Ta shkrijë, siç tha ministri që doli në votat e Dibrës, ha,ha, ah qeshin ata. Hajde pra ta hedhim në popull dhe ta shkrijë populli. Unë s’kam frikë. Këta pse kanë frikë. Nëse ka frikë Luli nga zgjedhjet punë e tij, por… Edhe pak të drejtë ka Luli me të thënë të drejtën se ato dosje duhej të ishin zgjidhur me kohë. Dhe këto ambasadat që na japin zgjidhje që na çojnë në Korenë e Veriut duhet të kishin folur me kohë për hetimin e atyre dosjeve. Vetëm përfaqësuesit e Bundestagut kanë kërkuar në mënyrë të përhershme hetimet e dosjeve zgjedhore, si të Dibrës dhe Shijakut. Për mua demokracia është e panegociueshme me asnjë shqiptar, me asnjë ambasadë apo me gjithë botën. Ambasadat flasin për dialog, por në fakt nxisin debatin. Të heqim dorë nga lojërat e ambasadave”, theksoi Meta.
Pyetjes nëse presidenti po krijon një përplasje me SHBA-të, Meta u përgjigj se marrëdhëniet me aleatin strategjik janë të kristalta. “Nuk më nxjerr nipi i Spiro Kolekës antiamerikan. Po qe se erdhi dita që nipi Spiro Kolekës (Edi Rama) të më heqë vizën mua amerikane jam i lumtur që erdhi kjo ditë, por unë vizën demokracisë në Shqipëri nuk ia heq kurrë, pluralizmit politik jo e jo, interesave të shqiptarëve as që bëhet fjalë në këtë botë, në botën tjetër nuk e di. Me përfaqësuesen e SHBA unë kam pasur një takim të veçantë dhe i kam shprehur qëndrimet e mia”, theksoi Meta.
Paralajmërimi i fortë për Sorosin
Që në krye të qëndrimeve të tij, kreu i shtetit i lëshoi një mesazh të drejtpërdrejtë miliarderit Xhorxh Soros, si miku i Edi Ramës, duke aluduar se po ndërhyn në Shqipëri. “Unë do ta mbroj Shqipërinë nga të gjithë ata që u duket Shqipëria si një mizë lisi e mund të tallen me të. Nuk e kam dëgjuar me vëmendje Viktor Orbanin, kryeministrin hungarez, në janar të 2000, kur unë i flisja me gjithë dashuri për Sorosin që na ndihmoi ne si opozitë atë kohë. Më tha “kini kujdes për Soros se nuk është demokrat sa ç’duket dhe nganjëherë përzihet në punë e demokracisë, i komploton”. I uroj jetë të gjatë, i uroj dhe të birit sepse vjen shpesh në Shqipëri dhe është mirëserardhur, shkon edhe në Kosovë dhe Serbi. Kam dy fjalë dhe për Sorosin, i them Sorosit t’i gëzojë miliardat e veta, Shqipëria është vend i vogël për përmasat e tij, të vazhdojë punojë dhe të investojë në tregjet e mëdha, se Ilir Meta nuk është i racës së Gruevksit është Presidenti i Shqipërisë dhe do i dalë për Zot Shqipërisë, është i racës së politikanëve të Avni Rustemit, edhe e disa shqiptarëve të tjerë si Mic Sokoli dhe Vojo Kushi”, ka theksuar Meta.
Pyetjes se çfarë nënkuptonte me shprehjen si ishte si Avni Rustemi, presidenti u shpreh që të mos ja provonin kokëfortësinë e tij. “Lexoje si të duash ti, shqiptarët nuk pranojnë askënd që të instalojnë tirani personale, e asnjë tjetër për çdo lloj interesi. Shqipëria do të jetë anëtar i BE dhe dihet se si funksion kjo rrugë vetëm me zgjedhje të lira dhe me shtet të së drejtës, e jo me lotime”, u shpreh presidenti.
Kartela mjekësore, dhe “sms” telefonike të Ramës
Meta ndërkohë lexoi dhe mesazhet telefonike që i kishte dërguar Rama më 18 shkurt, që sipas tij i kërcënonte për shkrirjen e LSI-së. Presidenti tha se Rama i ka thënë në mesazh që Luli s’do jetë më kryetar partie pas zgjedhjeve vendore, ndërsa Meta nuk do gjejë më gjurmë LSI-je. “Lulit i kam shkruar në fund të vitit 2017 se pas zgjedhjeve lokale nuk do jetë më kryetar partie, kurse ty po të shkruaj sot se pasi të mbarosh mandatin si President nuk do të gjesh më gjurmë LSI. Mbase jam gabuar, por më pëlqen të bëj parashikime mbi bazën e analizave të mia dhe përtej të tërave sinqerisht që më vjen keq po të mos jem gabim”, ishte mesazhi telefonik që sipas presidentit, i kishte dërguar Rama.
Për presidentit, pas kësaj krize, duhet të përcaktohet në Kushtetutë që të bëhet që drejtuesit e shtetit të bëjnë kontrollin mjekësor dhe pse jo edhe testin e drogës. “Jam gati të bëj testin e shëndetit mendor dhe mbas kësaj krize duhet të vendosim në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë urgjentisht testin e shëndetit mendor për çdo politikan, Presidentin, Kryeministrin, për kryetarin e Parlamentit për të gjithë ministrat, për drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme shtetërore po kështu jam i gatshëm të bëj edhe testin e drogës. Patjetër ndërsa për testin e shqiptarit e dinë ata që e kam bërë dhe do ta bëj në çdo kohë”, theksoi Presidenti. Kreu i shtetit doli sërish edhe kundër reformës në drejtësi, duke e cilësuar Ramaforma, e që u shpreh i gatshëm të debatojë në studio televizive. “Koli (gazetar Sokol Balla) nuk ka asnjë konflikt interesi, pavarësisht se ëma e fëmijëve të tij punon në qeveri. Reforma në drejtësi e Edi Ramës ka fytyrën e skandalit të unazës së re, që është gjenocid ndaj qytetarëve. Nëse do të flasë për reformë apo Ramaforma, kur të dëshirojë unë jam gati të marrë edhe zonjën Calavera dhe të dalin bashkë me diplomatët që i dalin në krah”, theksoi Meta, i cili iu përgjigj edhe akuzave që vijnë nga mazhoranca se ka konflikt interesi se ka gruan si drejtuesve të partive opozitare.
Ai u shpreh se “Monika i ka zgjidhur hallet e veta, pasi kanë qenë Rama që i ka dhënë leje pallati në zona e Shqiponjës”. “Është mirë të mos e provojë askush kokëfortësinë time për të mbrojtur vendin tim. Unë do të bëj çdo gjë për të mbrojtur demokracinë që fituam në e30 vjet. Rrugë për në Korenë e Veriut Shqipëria nuk ka për të bërë. Po u thellua kriza do të rivendosen edhe vizat. Nuk e bëjmë cirk Shqipërinë. Do të bëhemi seriozë. Kur të dojë të vijë këtu. Dhe nëse më thotë më burri i Monikës do i them Gruaja e Bilalit. Unë jam presidenti i Republikës dhe nuk më intereson as Monika dhe asgjë tjetër. Monika hallet e fëmijëve të saj i ka të rregulluara. Për këtë duhet të falënderojë Edin dhe jo vetëm ta kritikojë. Se falë firmës së Edit dhe Lulit si kryetar bashkie ka një pallat afër unazës së re. Ndaj e njoh Unazën e Re. Monika i ka të sigurtë fëmijët, por janë shqiptarët që mendojnë vetëm të ikin. Janë tërë ato sipërmarrës që nuk e durojnë dot më këtë pasiguri në këtë vend”, theksoi Meta.
Por theksoi se nëse do të ishte në Shqipëri dhe jo në Gjermani, opozita nuk do t’i dorëzonte mandatin e deputetit.
Një reagim i fortë ky i presidentit që del si kundërpërgjigje edhe ndaj faktit se ndërkombëtarët vlerësuan procesin e zgjedhjeve dhe sugjerojnë se çdo kontestim të adresohet në Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet të ngrihet së shpejti. Për më shumë se një ore, presidenti shpërtheu si ndaj ndërkombëtarëve, ambasadorëve të caktuar, por edhe ndaj kryeministrit. Meta paralajmëroi fort që të mos e ngacmojnë se nuk ia njohin kokëfortësinë e tij, një mesazh i fortë që edhe për mazhorancën që mund të përballen politikisht edhe në rast e PS-ja e shkarkon nga posti i presidentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.