Libra

“Memento Mori” i Tobias Xhaxhiut, një rrëfim për Besën dhe Krishtin e Dytë

Nga Luljeta Nelallari - “Të jap besën...” është një frazë që sot dëgjohet gjithmonë e më pak, por shkrimtari i ri Tobias Xhaxhiu me anë të romanit “Memento Mori” e risjell këtë kulturë gati të harruar shqiptare.

Romani sjell një ritregim të freskët dhe epik të ngjarjeve të legjendës autentike “Besa e Konstandinit”, por kësaj here të vendosur në Arbërinë para-osmane.

Nëpër faqet e librit do të ndeshemi sa me mbajtjen e besës, mbajtjen e premtimeve që nuk i zhbën dot as vdekja, aq edhe me mister, fantazi, e komplote djallëzore pas vrasjes së princit Konstandin Progoni, i cili është edhe personazhi kryesor.

Me një stil të veçantë, që e bën këtë autor të ri të bëhet pjesë e lëmit të letërsisë sonë, Xhaxhiu na rrëfen atë çka dikush është i aftë të kryejë për të vënë drejtësi dhe mbi të gjitha, për të mbajtur premtimet.

Në një intervistë për Gazetën “Si”, shkrimtari Xhaxhiu rrëfen detaje të këtij romani, romani i parë i tij.

Ai sqaron ndër të tjera se përveç mitit të besës, e përplas lexuesin edhe me mitin e ringjalljes, duke sjellë një paralelizëm mes Konstandinit dhe Krishtit, pasi siç thotë vetë shkrimtari “dëshira për të thyer prangat e vdekjes mbetet tundimi më i madh i njeriut”. 

“Memento Mori” është romani me të cilin ju ishit fitues i Fondit për Letërsinë e të rinjve nga QKLL. Pse vjen me këtë titull, çfarë kuptimi ka?

Postulati e ka gjenezën tek një zakon i veçantë i Romës antike. Thuhet se kur një gjeneral u kthye në qytet pas një triumfi në betejë, turma e priti plot ovacione e nderime, duke ia përkëdhelur kështu egon ushtarakut. Për ta shpëtuar nga krenaria e verbër dhe iluzionet e madhështisë, dikush pas tij i pëshpëriti në vesh frazën: «Respice post te. Hominem te memento« (" Vështroni pas vetes. Mos harroni se jeni veç një burrë").

Doktrina Memento mori më pas u bë e njohur në pikturën e krishterë të Kundër-Reformës në kontekstin e tablove të trajtuara si “natyra të vdekura”. Në mesjetën e krishterë, që është dhe ambientimi kohor i këtij romani, perspektiva e vdekjes shërbente për të theksuar zbrazëtinë dhe përkohshmërinë e kënaqësive tokësore, luksit dhe ambicieve, dhe kësisoj, si një ftesë për të përqendruar mendimet e individit në perspektivën e jetës së përtejme, tipike për disiplinat asketike.

Shkrimtari Tobias Xhaxhiu

Në roman kemi një ritregim të legjendës “Besa e Konstandinit”, pse vendosët të sillnit në vëmendje një kulturë gati të harruar shqiptare?

Shtjellimi i historisë më ka tërhequr gjithmonë, sidomos periudha arbërore, para-osmane. Nga ana tematike, e kam parë si një terren të pashkelur dhe të braktisur qëllimisht, si pasojë e presionit obskurantist lindor ndaj letrave dhe filozofisë në Shqipëri.

Psh: Përfytyrimi më i freskët i injektuar në ndërgjegjen popullore lidhur me jetën në mesjetën arbërore është ai i filmit “Skënderbeu”, që përpos risive që solli në kohën e shfaqjes është një pelikul tipike socialiste, ku paria arbërore paraqitet si një bashkësi folklorike në pritje të betejës së radhës.

Në vijim të kësaj, më është dukur e udhës të sillja në vëmendjen e lexuesit këtë periudhë historike, duke e evokuar përmes një legjende autentike, si ajo e “Besës së Konstandinit”. Natyra e saj gotike-nokturne më ka mahnitur gjithnjë, ndaj isha i bindur se meritonte një trajtim epik, kësaj radhe të vendosur në oborrin e principatës së Lissusit, ku udhëheq Dera e madhe e Progonëve.

Sa mbahet Besa sot, çfarë keni dashur t’i thoni lexuesit?

Moderniteti të jep idenë se na distancon nga betimet e kësaj natyre, por vlera universale e ‘Besës’, e një premtimi të shenjtë që edhe vdekja dot s’e thyen, e bën atë të pakohë. Si pasojë, unë jam i idesë që ‘Besa’ do të mbahet për sa kohë që ndërgjegjja njerëzore zbaton të njëjtat ligje me të cilat ka vepruar deri më sot. Në romanin “Memento Mori”, personazhi i Konstandin Progonit në pavetëdije kryen një betim të dyfishtë, atë të rikthimit të së motrës në atdhe, dhe një premtim të dytë akoma dhe më të fuqishëm, atë të rikthimit në krahët e vdekjes, me të përmbushur misionin e tij për vënien e drejtësisë.

Në roman shohim një paralelizëm mes Krishtit dhe Konstandinit? Madje, dhe Andrea Kamona, strumbullari i fatkeqësive të njëpasnjëshme merr tiparet e Judës. Përse kjo zgjedhje?

Miti i ringjalljes, dëshira për të thyer prangat e vdekjes dhe për t'u bashkuar me jetën, ka qenë në çdo epokë, tundimi më i madh i njeriut.

Në romanin tim, Konstandini legjendar është një prijës i saporikthyer nga Kryqëzata, në padurim për të mbajtur “besën” e dhënë ndaj së ëmës, Dusanës. Në këtë trill, ai fiton tiparet e një njeriu mbi të zakonshmen, të cilit i jepet mundësia e artë për t'i vendosur gjërat në rendin e tyre natyror, ashtu si vetë Krishti.

Me fjalë të tjera, pasi Andrea Kamona, kushëriri i tij ogurzi komploton vrasjen e Konstandinit duke e ngulur në kryq, ky i fundit bie në ujdi me një entitet të mbinatyrshëm, i cili i jep mundësinë e rikthimit në jetë, deri në përmbushje të misionit të tij për drejtësi. Trupi i Konstandinit prehet në një varr mermeri në katedralen e Lissusit, për t’u zhdukur prej aty, vetëm tri ditë më vonë, në mëngjesin e Pashkës së Madhe. Nga ky çast, nis një hakmarrje e përbindshme, që na njeh me një kolorit të panumërt personazhesh, dhe zbulon realitetin e një epoke gjakatare.

A keni dashur që nëpërmjet këtij romani të ngrini zërin për ndonjë kauzë të caktuar?

Vepra ka frymë universale, ndaj nuk ka qenë ndër synimet e mia parësore; por do të thosha, si dhe më lart, se mungesa e studimeve lidhur me historiografinë arbërore është një defiçit i dukshëm në kulturën tonë. Kësisoj, një orë e më parë duhen ngritur struktura që hedhin dritë mbi këtë periudhë kohore, për të evidentuar vazhdimësinë kulturore 'arbër-shqiptarë'.

Jeni duke shkruar diçka të re?

Për momentin jam duke përpunuar një dorëshkrim të disa viteve më parë, të një natyre krejt të ndryshme nga “Memento Mori”. Bëhet fjalë për një roman atipik për adoleshentë dhe të rritur, që pleks botën e njerëzve me atë të përrallave më të njohura. Ju jap “besën” se do të jetë diçka ndryshe. Në vijim, jam duke punuar dhe për një triller të ambientuar në ditët e pandemisë, por si thonë: çdo gjë në kohë të vet!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë