Në mendimet e Wade Gooard, Kosova është ende e ngulitur si pamje e trupave të fëmijëve të vrarë të shtrirë në tokë. Ashtu si imazhet që shfaqen në librin e tij, ”Lufta e Kosovës” që u botua muajin e kaluar. Në fotografitë e tij, Goddard portretizon tragjedinë e hidhur që shumë familje shqiptare të Kosovës kaluan gjatë luftës së viteve 1998-99 dhe efektet në jetën dhe ndjenjat e tyre. Goddard kurrë nuk e imagjinonte se pasioni i tij për fotografinë do ta çonte në fotografimin e një serie luftërash, derisa sa një ditë kërkoi që të tregonte në një revistë, imazhet e qytetit kroat të Vukovarit , i cili u shkatërrua nga forcat e Beogradit në vitin 1991.
Një qytet i rrënojave dhe rrugëve të mbushura me trupa njerëzish të vrarë ndikoi në mendimet e tij dhe e nxiti që të udhëtonte në Jugosllavi për të parë luftëra të përgjakshme.
“Në atë kohë, isha thjesht një 22 vjeçar nga Zelanda e Re, që nuk kishte ndonjë profesion dhe endej i papunë. Unë nuk e mendoja kurrë se do të punoja në një fushë-betejë. Kontaktova një fotograf për ta pyetur se si të shkoja dhe qëndrova rreth një muaj në Kosovë duke fotografuar pamje të ndryshme të mjerimit të qytetarëve,” tha Goddard në një intervistë për BIRN nga shtëpia e tij në qytetin kroat të Dubrovnikut.
Nga Kroacia, lufta u përhap në Bosnje dhe Hercegovinë dhe fotografitë e Goddardit nga qyteti i rënuar i Mostarit u paraqitën në të gjitha media në mbarë botën.
“Bosnja dhe Kosova ishin universiteti im. Kam mësuar si të bëj biznes me fotografitë e mia duke i shitur ato nëpër media,” tha ai.
Gjatë dhjetë viteve të ardhshme si fotograf i pavarur për “Reuters”, “New York Times”, “Associated Press” dhe “News week”, ai mbuloi një seri konfliktesh. Fotografitë që u publikuan më së shumti ishte ardhja e mijëra refugjatëve nga Serbenica në një stadium, ndërsa ushtarët përgatiteshin për masakrat famëkeqe të vitit 1995.
"Ishte një fushë futbolli ku normalisht të gjithë gëzojnë dhe marrin energji, por pastaj u kthyen në një vend pikëllimi. Gratë qanin sepse kishin mbetur pa fëmijët dhe pa burrat e tyre,” tha Goddard.
Masakra në kodër
Në shtator të vitit 1998, Goddaedi u drejtua për në Kosovën perëndimore, ku pa se në një kodër fshati po kryheshin vrasje masive të civilëve duke përfshirë edhe gratë e fëmijët, të cilët qëlloheshin ndërsa përpiqeshin të largoheshin.
“Ekzekutimi i fëmijëve ishte një nga skenat më të urryera. Njëzetë e pesë gra dhe fëmijë u ekzekutuan ndërsa përpiqeshin të iknin nëpër shkurre. Ishte një nga momentet më të tmerrshme në jetën time,” tha ai.
Në libër paraqiten imazhet e trupave të vrara në terren që janë pjesërisht të mbuluara më batanije, njerëzit që përpiqeshin të iknin nëpër male dhe kampe refugjatësh të improvizuara.
Në një nga fotot, një shqiptar i quajtur Imer Deliu nga fshati Abri në Kosovën qendrore, tregohet se hedh trupin e një fëmije katërvjeçar të vrarë në një arkivon prej druri, ndërkohë që ai qëndron i ngrirë pa shfaqur asnjë lloj emocioni. Gruaja dhe 16 anëtarë të familjes së tij ishin vrarë gjithashtu në shtator të vitit 1998. Një foshnje gjashtë muajsh u gjet e gjallë në krahët e nënës së saj të vrarë, por vdiq disa orë më vonë.
“Të jesh në një skenë të tillë ishte e tmerrshme. Kjo atmosferë e rëndë ekziston ende në jetën time dhe nuk do ta harroj kurrë,” thotë Goddardi.
Ai portretizon mizoritë dhe tmerret e luftës, por gjithashtu dhe përpjekjet njerëzore për të thyer zinxhirin e dhunës dhe ndëshkimit.
“Mbetjet e jetës njerëzorë dhe tragjedia e atyre që ishin të përfshirë nuk mund të harrohen,” shton fotografi.
Ruajtja e kujtimeve
Goddard shpreson se imazhet si ato që ai ka fotografuar gjatë një dekade të luftërave mund të kontribuojnë në dokumentimin e disa prej faqeve më të errëta në historinë njerëzore të Evropës.
“Imazhet si ato në Kosovë apo të tjera në Bosnje mund të shërbejnë në të ardhmen për të ndryshuar rrjedhën e historisë njerëzore. Por nëse mendoni se fotografitë nuk janë të mjaftueshme për kuptuar ndryshimin do të mbeteni të zhgënjyer kur të shikoni librin ,” tha ai.
Goddard beson se fotot e tij në Kosovë mbajnë gjallë kujtimin e njerëzve që kanë vdekur.
"Ne gjithmonë shpresojmë se imazhet e tilla mund të shkaktojnë ndërgjegjësimin e publikut. Të paktën kemi bërë atë që duhet të bëjmë, regjistruam disa momente të tmerrshme dhe u përpoqëm të hedhim dritë mbi të vërtetën,” shton ai.
Fotografi mendon se nuk ka pasur kurrë drejtësi reale për krimet që janë kryer në ish-Jugosllavi. Gjithashtu, beson se historia e Kosovës, si u krijua shteti dhe sakrificat që u bënë, nuk duhet të shtrembërohen ose të përdoren për qëllime politike.
"Ne duhet të tregojmë të vërtetën, krime masive janë kryer edhe nga pala shqiptare. Kjo është e gjithë historia e formimit të Kosovës", tha ai.
Mes dëshpërimit, vrasjeve dhe fshatrave të djegura në figurat në librin e zotit Goddard, ai donte gjithashtu të tregonte guximin dhe shpresën e njerëzve.
"Pavarësisht sa thellë ishte mjerimi dhe pa marrë parasysh se si ishte situata, gjithmonë pashë një shpresë në sytë e njerëzve që ishin bllokuar në mjerimin e luftës," shtoi ai./BIRN/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.