Komunitet

Liqen në Mars. A ka jetë Planeti i Kuq?

Në fillim të muajit qershor, amerikanët e NASA-s dolën me një zbulim të rëndësishëm sa i përket studimit të sipërfaqes së Marsit dhe thanë se sonda e tyre Curiosity kishte zbuluar gjurmë organike në këtë planet, që përforcon teoritë se dikur jeta ka lulëzuar atje.

Studimet e deritanishme kishin zbuluar prova të ekzistencës së dikurshme të ujit në sipërfaqen e Marsit, por ndryshimet klimaterike dyshohet se avulluan pjesën më të madhe të ujit dhe më pas ftohja e atmosferës e ktheu në formë të akullt pjesën e mbetur.

Sot, janë shkencëtarët e europianë të ESA-s që dalin me një zbulim edhe më entuziast. Ata thonë se kanë indicie të forta për ekzistencën e një liqeni me ujë të kripur dhe më e rëndësishmja në gjendje të lëngshme të vendosur në polin jugor të “Planetit të Kuq”.

Zbulimi është kryer duke shfrytëzuar radarin Marsis i vendosur në orbituesin e Mars Express të ESA-s, që vërtitet prej kohësh rreth “Planetit të Kuq”. Shënjestra e shkencëtarëve ka qenë gjithmonë poli jugor i planetit, ku në distancë vërehen njolla të bardha që besojnë se janë akuj.

Liqeni besohet se ndodhet 1.5 km poshtë akullit në Polin e Jugut marsian

“Me gjasa nuk është një liqen shumë i madh”, thotë profesor Roberto Orosei, i Institutit Italian të Astrofizikës dhe udhëheqës i studimit.

Marsis nuk ishte në gjendje që të përcaktonte me saktësi thellësinë e liqenit, por dërgoi mjaftueshëm të dhëna për të përcaktuar se ai shtrihet në një hapësirë rreth 20 kilometra në formë lineare dhe që është minimalisht një metër i thellë.

“Të gjitha këto e klasifikojnë qartë në një liqen dhe jo në pika a bulëza uji të ngecura në akull, a në ndonjë shkëmb, siç ndodh në disa raste këtu në Tokë”, shton profesori Orosei.

Si u gjet?

Radari Marsis është i pajisur me instrumenta hulumtues të sipërfaqes dhe nënsipërfaqes së marsiane deri në disa kilometra. Radari funksionon duke bombarduar objektivat me sinjale dhe më pas përthith sinjalet që kthehen pas.

Pjesa e bardhë në grafikun e mëposhtëm tregon momentin kur Marsis ka goditur në Polin e Jugut. Këtu, shkencëtarët kanë vënë re diçka të pazakontë dhe një ndryshim të sinjaleve që përthitheshin. Ndryshimi lindte në një thellësi 1.5 kilometra dhe ndodh vetëm tek ekstremi jugor i planetit.

Ilustrimi kompjuterik i momentit kur Marsis ka kapur reflektim të fortë të sinjaleve

“Me blu mund të shihni që reflektimi i sinjaleve në thellësi është shumë më i fortë se ai i sinjaleve në sipërfaqe. Kjo është e çuditshme dhe ne mund të shpjegojmë vetëm me praninë e ujit të lëngshëm në këtë thellësi”, sqaron Orosei.

A do të thotë kjo se në Mars ka jetë?

Tani për tani, jo! “E dimë prej kohësh që jeta në formën që e njohim ne në sipërfaqen e Marsit është e pamundur. Por, Marsi mund të jetë miqësor nën sipërfaqe dhe kërkimi aty do të zhvendoset. Në thellësinë 1.5 kilometra ka mbrojtje të mjaftueshme nga rrezet e vdekjeprurëse të diellit, presioni dhe temperaturat rriten në nivele që favorizojnë jetën dhe mbi të gjitha, uji, elementi thelbësor për jetën ndodhet në gjendje të lëngshme”, shpjegon Manish Patel i Open University.

Parimi i “gjurmimit të ujit” është thelbësor për astrobiologjinë në përpjekjen e saj për të gjetur jetë pëtej Tokës. Megjithatë, pavarësisht se shkencëtarët e ESA-s thonë se uji në gjendje të lëngshëm është i pranishëm, nuk vënë dorën në zjarr për praninë e jetës.

“As që jemi afër për të zbuluar jetë në Mars, por këto rezultate na japin vendndodhjen. Është si një formë harte për gjetjen e një thesari. Tani e dimë ku të kërkojmë në Mars dhe sipërfaqja nuk është e vogël, por shtrihet në disa zona”, shton Patel.

Skepticizmi buron nga përbërja kimike e ujit, por edhe temperatura e tij, që mund të mos jenë të përshtatshme për organizmat marsianë. Studiuesit mendojnë se prania e kripërave në këtë liqen është shumë e fortë dhe pikërisht këto kripëra e mbajnë ujin në gjendje të lëngshme në temperatura që ata besojnë se variojnë nga -10 deri në -30 gradë Celcius.

Cili është hapi tjetër?

Gjurmët e rrjedhjes së ujit në Mars janë të qarta, por për liqenin në fjalë duhen ende shumë vite studime dhe zbritja në terren për të mësuar më shumë për karakteristikat e tij.

“Ajo që duhet të pasojë është që eksperimenti të vazhdojë të përsëritet në zonat e tjera të sipërfaqes së Marsit për të parë nëse mund të përftojmë sinjale të ngjashme dhe më pas të analizohen dhe krahasohen”, sugjeron Mat Balme nga Open University.

“Ndoshta kjo mund të jetë kleçka që mund të udhëheqë një mision të ri në Mars në zonën ku është varrosur uji i lëngshëm, me gjasë ashtu siç ka ndodhur edhe me liqenet e vendosur nën akujt e Antarktidës”, shton ai më tej.

Shkencëtarët kanë ndërmarrë eksperimente të ngjashme, një i tillë duke gërmuar nën akujt e Antarktidës për të mbërritur në liqenin Vostok, ku zbuluan jetë në formën e baktereve. Por, Marsi do të jetë një sfidë shumë herë më e vështirë.

Vendndodhja e liqenit Vostok, 4 km poshtë akullit të Antarktidë e ku studiuesit kanë zbuluar bakterie

“Të shkojmë deri atje dhe të marrim provën përfundimtare nuk është një detyrë e lehtë. Në rastin më të thjeshtë do të kërkojë një robot në gjendje të gërmojë 1.5 km akull. Kjo do të kërkojë shumë avancim teknologjik, që për momentin nuk s’e kemi”, thotë profesori Orosei.

Gjetjet e këtij studimi u publikuan në revistën “Science”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë