Mjedis

Ligji rezultoi kot: 70 për qind vazhdojnë t’i përdorin qeset plastike

Nga Gazeta Si - Në qershor të 2022 u ndalua përdorimi i qeseve plastike në Shqipëri dhe çdo njeri që shkelte ligjin do të dënohej me gjobë. A e kanë zbatuar shitësit këtë ligj?

Qëndresa Qytetare ka kryer një pyetësor në lidhje me përdorimin e qeseve plastike ku janë përgjigjur 300 qytetarë të të gjitha moshave nga 15 vjeç, nga të gjitha qarqet e Shqipërisë.

84 për qind e të anketuarve jetojnë në zona urbane ndërsa 16 për qind në zona rurale.

Nga ky pyetësor Qëndresa Qytetare ka dalë në përfundimin se 70 për qind  e qytetarëve të anketuar vazhdojnë të përdorin ende qese plastike. Për 59.3 për qind prej tyre, kostoja e blerjes së qeses së re plastike, është e lartë (një qese plastike e re kushton 20 lekë).

LEXO EDHE:
- Gjoba të larta për përdorimin e qeseve nga 1 qershori, Kumbaro: Nga ndotja, po na serviret helm në tavolina
- Hiqen qeset plastike por askush nuk e di si do të bëhet pazari tani e tutje
- Qeset plastike nuk janë hequr plotësisht. Të moshuarit më të sensibilizuar, por përsëri trasta nuk është zgjidhje për ta

Pasi i përdorin një herë, 54.7 për qind e qytetarëve të anketuar i ruajnë dhe i ripërdorin qeset, ndërsa 40.7 për qind i ripërdorin vetëm për mbeturinat, 2.7 për qind i hedhin, ndërsa 2 për qind nuk janë të sigurt.

Sakaq 53 për qind e të anketuarve shprehen se bëjnë blerje deri 3 herë në javë, ndërkohë që 42.33 për qind tregojnë se bëjnë pazare më shumë se 6 herë në javë, çka dhe shpjegon faktin se pse qeset e reja plastike janë të shtrenjta për to. 74.7 për qind e tyre, pra 224 persona, pranojë se ka patur raste kur shitësi ju ka ofruar qese të holla një-përdorimshe, ndërkohë që 8 për qind shprehen jo të sigurtë.

Nga ana tjetër, 67 për qind e tyre shprehen se kjo gjë u ka ndodhur pas qershorit. Pra 201 persona nga 300 konfirmojnë se janë ndeshur me shkelje të këtij ligji. Ndërkohë pjesa më e madhe e të anketuarve që dëshmojnë këtë gjë, banojnë aktualisht në Tiranë. 94 për qind prej tyre kanë dëgjuar për ligjin për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike, ndërsa 4.3 për qind jo dhe 1.7 për qind shprehen se nuk e dinë. Për këtë ligj, qytetarët janë informuar më së shumti nga televizioni (35.3 për qind), media sociale (29 për qind) dhe miqtë (6 për qind).

Sipas Global Change Data Lab1, në vitin 1950, bota prodhonte vetëm 2 milionë tonë plastikë në vit. Që atëherë, prodhimi vjetor është rritur gati 230 herë, duke arritur në 460 milionë tonë në 2019. Ndërkohë nga 5800 milionë tonë plastikë parësore që nuk përdoren më, vetëm 9 për qind është ricikluar që nga viti 1950. Sa i përket Shqipërisë, e cila njihet si një nga vendet që kontribuon më së shumti në ndotjen e oqeaneve në botë, rezulton se vetëm për vitin 2019, janë emëtuar mesatarisht 0.54 kg plastikë për person. Ndërkohë që mbetjet plastike të keqmenaxhuara për frymë në Shqipëri, në 2019, janë 24.24 kg për person. Duke konsideruar dëmet që plastika ka shkaktuar në të gjithë botën, shumë qeveri kanë ndërmarrë masa të ndryshme për parandalimin e përdorimit të saj.

Në vitin 2002, Bangladeshi u bë vendi i parë në botë që zbaton një ndalim për qeset e holla plastike, pasi u zbulua se ato luanin një rol kyç në bllokimin e sistemeve të kullimit gjatë përmbytjeve.

Sipas një kërkese të bërë në tetor nga Qëndresa Qytetare adresuar pranë ISHMT (Inspektorati Shtetëror I Mbikëqyrjes së Tregut), rezulton se prej fillimit të implementimit të ligjit, më datë 1 qershor deri më 18 tetor të vitit 2022, ky institucion ka kryer 2038 verifikime/inspektime/ kontrolle të subjekteve apo individëve, nga ku është vendosur vetëm 1 masë administrative me gjobë (500.000 lekë), dhe janë sekuestruar mbi 200 kg plastikë, nga ku 147.7 kg janë sekuestruar pranë një subjekti importues. Agjencia Kombëtare e Mjedisit i ka kryer inspektimet në terren nëpërmjet degëve të saja në 4 rajonet e Shqipërisë. Nga 12 inspektimet e kryera nga Agjencia Rajonale e Mjedisit Korçë, Elbasan dhe Berat janë vendosur 3 masa administrative me gjobë minimale, nga 500 000 lekë secila si dhe janë sekuestruar 480 plastikë e palejuar. Agjencia Rajonale e Mjedisit Fier, Vlorë dhe Gjirokastër ka kryer 5 inspektime në total, nga ku të 5 subjektet prodhonin qese plastike sipas kërkesave ligjore.

Në Tiranë, Durrës dhe Dibër janë kryer në total 7 inspektime, ku nuk janë konstatuar parregullësi. Në rajonin e Lezhës, Shkodrës dhe Kukësit, ARM (Agjencia Rajonale e Mjedisit) përkatëse ka inspektuar vetëm një subjekt, i cili është i vetmi që është i pajisur me leje mjedisore për prodhimin e qeseve plastike. Gjithsej, ARM ka kryer 25 inspektime, nga ku janë vendosur 3 gjoba dhe ka qenë prezente në shkeljen e ligjit në një tjetër rast, të inspektuar nga ISHMT. Në total, nga inspektimet e këtyre dy institucioneve rezulton se vetëm 4 subjekte në të gjithë Shqipërinë kanë shkelur ligjin që prej datës së fillimit të implementimit të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë