Mjedis

Gjoba të larta për përdorimin e qeseve nga 1 qershori, Kumbaro: Nga ndotja, po na serviret helm në tavolina

Gazeta Si - Nëse pas 1 qershorit të këtij viti, në treg do të ketë qese njëpërdorimshe, prodhuesit e tyre do të gjobiten nga 1 mln deri në 1.5 mln lekë, ndërsa konsumatori nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.
Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro deklaroi sot në komisionin kuvendor të Veprimtarisë Prodhuese se pas 10 vitesh që nga miratimi i ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ka ardhur koha të zbatohet me rigorizitet ligji për shkak të efektit negativ që shkaktojnë qeset plastike në mjedis
Kumbaro tha se ndalimi I prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të qeseve plastike që përdoren në markete është masa e parë reaguese ndaj reduktimit të plastikës.
Sipas saj, ky hap u ndërmor pas rezultateve negative të raporteve mbi gjendjen në mjedis, siç është raporti i GIZ për ndotjen e Detit Adriatik për periudhën 2018-2022, i cili tregoi se 80 përqind e mbetjeve në det vijnë nga toka, përmes lumenjve që derdhen në det. 90 përqind e këtyre derdhjeve janë plastikë dhe ambalazhe plastike me rreth 80 mijë e 400 ton në vit mbetje plastike të keqmenaxhuara.
“Shqipëria është një nga vendet ndër 5 vendet më ndotëse të Detit Adriatik. Vendi ynë ndot me 3.2 mld qese plastike që do të thotë 3 qese për cdo person në ditë e barabartë me 26 mijë e 250 ton qese në vit. Qeset janë shkaku kryesor i ndotjes në Shqipëri me 6.9 kg për njeri në vit të cilat përfundojnë të gjitha në det”, tha ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro gjatë relatimit sot në komisionin kuvendor të Veprimtarisë Prodhuese

Sipas saj, pasojat nuk janë vetëm estetike për syrin por dhe shkatërruese për gjallesat e tokës dhe detit, të cilat shpesh herë konsumojnë copëza të vogla plastike të cilat nuk i tretin dot.
“Copëzat e vogla ngatërrohen me ushqimin çka bën që këto copëza për shkak se nuk treten të mbeten në stomakun e gjallesave duke shkaktuar dhe ngordhjen e tyre. Stomaku i peshqeve thith të gjitha toksinat e copëzave plastike dhe më pas ne konsumojmë mishin e tyre. Pra praktikisht kur shkojmë në restorant na shërbehet helm në pjatë pa qenë kush individualisht përgjegjës, por të gjithë bashkë për atë që i bëjmë tokës, ujit, detit e gjallesave”, u shpreh Kumbaro.
Ajo tha se qeveria është e vendosur që më 1 qershor të nisë zbatimin e ligjit duke ndaluar përdorimin e qeseve, në emër të së ardhmes së fëmijëve.
Por ndryshimet ligjore në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i ndryshuar është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.
Deputeti Agron Duka i ka konsideruar të tepërta gjobat për konsumatorin pasi sipas tij, kryesisht në zonat rurale nuk ka informacion se cilat qese duhet të përdoren ndaj ai kërkoi të rishikohen masat ndëshkuese.
Edhe deputetët Xhelal Mziu dhe Helidon Bushati kërkuan nga ministrja Kumbaro që të rishikojë ndryshimet ligjore pasi prek direkt konsumatorin.
Bushati tha se “do të ishte më mirë që të ndërmerreshin masa stimuluese sanksionuese për prodhuesin që të riciklonte 30 përqind të asaj që shet sesa policia e qeseve që kap fshatarin e i vë gjobë 300 mijë lekë”.
Nga ana e saj ministrja Kumbaro u shpreh se masat ndëshkimore të parashikuara do të jenë efikase sepse deri më tani i është lënë ndërgjegjes qytetare për të zbatuar ligjin, por kjo ka rezultuar jo eficente.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë