Mjedis

Hiqen qeset plastike por askush nuk e di si do të bëhet pazari tani e tutje

Ndalimi i përdorimit të qeseve plastike duke nisur nga 1 qershori i ka gjetur të papërgatitur dhe të acaruar shitësit në Tiranë.

Edhe pse ka vite që diskutohet dhe është vendosur kjo datë, shitës të ndryshëm tregojnë për Gazetasi.al se sot, vetëm dy ditë larg heqjes së qeseve njëpërdorimshme, ata nuk kanë asnjë informacion se si do të vijohet më tej. Ndërkohë blerësit janë po aq të ‘hutuar’ se çfarë do të bëjnë pas datës 1 qershor.

Behije Kapallari, shitëse fruta perimesh në rrugën "Sulejman Delvina", në Tiranë, tregon për Gazetasi.al se e vetmja zgjidhje për të do të ishte që të merrte qese të biodegradueshme por ato kushtojnë dhe për aq kohë sa nuk mundet t'i shesë, nuk e përballon dot që t'i blejë.

“Qeset plastike që përdor sot më kushtojnë më shumë se 10 mijë lekë në muaj dhe i jap falas. Ato të tjerat që më lejohen t'i përdor (qeset prej letre) do kushtojnë më shumë. Nëse i blej s’do me dalë llogaria. Nuk na ka dhënë njeri një zgjidhje”, thotë Kapallari duke ua lënë një pjesë të “fajit” edhe blerësve.

Ajo thotë se edhe blerësit janë të papërgjegjshëm pasi duke qenë se qeset i kanë pa lekë, marrin më shumë se ç‘duhet.

“Ka njerëz që për 1 kg mollë jeshile marrin një qese e për disa mollë të kuqe marrin një qese tjetër. Kjo nuk është normale pasi unë paguaj për ato dhe prandaj më shkojnë kaq shumë”, thotë ajo duke shtuar se sapo të mbarojë qeset që ka në gjendje, nuk do mbajë më fare qese dhe do t'ua lërë zgjidhjen në dorë blerësve.

Një tjetër shitëse në rrugën "Abdyl Frashëri" thotë për Gazetasi.al se heqja e qeseve plastike është një lajm i mirë pasi ajo vetëm harxhon para me to duke i blerë. Por gjithsesi, ajo thotë se do vazhdojë t'i mbajë, të paktën derisa të dëgjojë për kontrolle të mundshme apo deri kur mos të ketë ku t’i blejë më.

Më pas, përdorimin ose jo të qeseve, shitësja ua lë në dorë klientëve.

“Nëse duan, t'i marrin. Nëse nuk duan, t'i lënë. Nuk di asgjë më shumë”, thotë ajo.

Ndërkohë, Murati, shitës në rrugën "Perlat Rexhepi", në Tiranë, është i lumtur se do të hiqen nga përdorimi qeset plastike.

“E merrja 5 mijë lekë kg e qeseve dhe e jepja falas. Më 1 qershor do t'i heq dhe të mendojë vetë klienti. Nëse do, të marrë trastë, përndryshe t'i marrë produktet në dorë”, thotë ai.

Një grua rreth të 60-ve që po bënte pazarin aty, kundërshtoi duke thënë se as marrja e trastës nuk është një zgjidhje, duke qenë se nuk mund të marrin shumë trasta me vete.

“Dakord kur dua të blej vetëm diçka të vogël dhe më del një trastë, por si do t'ia bëj kur të më duhet të marr shumë perime dhe fruta?! Nuk i fus dot të gjitha në një trastë se janë produkte të ndryshme. I bie të dal nga shtëpia me më shumë se 5 trasta. Nuk ka kuptim kjo”, thotë ajo.

Pavarësisht qëndrimit të tyre deri diku të ndryshëm, të gjithë takoheshin në një mendim: Ata nuk janë të qartë se si do funksionojë pas 1 qershorit, kur qeset të ndalohen.

Ajo që vihet re nga biseda me shitësit në rrugët e kryeqytetit është se asnjëri prej tyre nuk e përmend arsyen se përse po hiqen nga përdorimi qeset plastike.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka deklaruar se ndalimi i prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të qeseve plastike që përdoren në markete është masa e parë reaguese ndaj reduktimit të plastikës.

Sipas saj, ky hap u ndërmor pas rezultateve negative të raporteve mbi gjendjen në mjedis, siç është raporti i GIZ për ndotjen e Detit Adriatik për periudhën 2018-2022, i cili tregoi se 80 për qind e mbetjeve në det vijnë nga toka, përmes lumenjve që derdhen në det. 90 për qind e këtyre derdhjeve janë plastikë dhe ambalazhe plastike me rreth 80 mijë e 400 ton në vit mbetje plastike të keq menaxhuara.

“Shqipëria është një ndër 5 vendet më ndotëse të Detit Adriatik. Vendi ynë ndot me 3.2 mld qese plastike që do të thotë 3 qese për çdo person në ditë e barabartë me 26 mijë e 250 ton qese në vit. Qeset janë shkaku kryesor i ndotjes në Shqipëri me 6.9 kg për njeri në vit të cilat përfundojnë të gjitha në det”, ka deklaruar Kumbaro.

Nëse pas 1 qershorit të këtij viti, në treg do të ketë qese njëpërdorimshe, prodhuesit e tyre do të gjobiten nga 1 mln deri në 1.5 mln lekë, ndërsa konsumatori nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë