Gazeta Si – Kuvendi u përfshi nga përplasjet dhe tensioni mes deputetëve të opozitës dhe kryeparlamentarit Niko Peleshi pasi ky i fundit kërkoi largimin e Gazment Bardhit nga seanca duke e quajtur ‘’të paburrë’’.
Si pasojë e debatit, u vendos që të shtyhej votimi për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, atij për Reformën Zgjedhore dhe atij për Reformën Territoriale.
Këto dy komisione u dakordësuan dje në mbledhjen e kryetarëve të grupeve parlamentare, por pavarësisht kësaj, nuk u arrit ngritja e tyre.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi se mazhoranca do të presë seancën e ardhshme për të dëgjuar propozimet e Bardhit, si shenjë vullneti për të çuar përpara ngritjen e këtyre komisioneve me konsensus.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, duke folur për mediat jashtë sallës së Kuvendit, deklaroi se mazhoranca vuri në jetë një skenar për të mos lejuar debatin në Kuvend.
“Taulant Balla ngatërroi grup dhe urdhëroi gjithë të vetët që të vijnë në sallë dhe të ndërpresin debatet. Duan ta shndërrojnë Kuvendin në memec. Ta harrojnë! Ne do të reagojmë sa herë të shkelet rregullorja”, tha Bardhi.
“Sa herë vijnë institucionet e drejtësisë, secili deputet ka të drejtë të bëjë pyetje. Meraku i tyre nuk ishte ky. Duan të kalojnë pa debat raportimet e komisioneve të drejtësisë. Duan të vendosin standardin e pandodhur në 34 vitet e demokracisë. Ne do të reagojmë gjithmonë sa herë të shkelet Kushtetuta e të drejtat e deputetëve”, shtoi kreu i grupit parlamentar demokrat.
Për të dyja komisionet, Bardhi kërkon me anë të amendamentit të tij, që të ketë përfaqësim të barabartë mes pozitës dhe opozitës, për të garantuar një proces të balancuar dhe gjithëpërfshirës.
Seanca e radhës plenare pritet të vendosë për fatin e ngritjes së këtyre komisioneve, që janë thelbësore për dy nga reformat më të rëndësishme institucionale në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



