Politike

Rama: Shumë shpejt i shikoni me fytyrë heronjtë e maskuar që terrorizuan shqiptarët

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale sërish lidhur me protestën, ku këtë herë është ndalur në numrin e policëve dhe protestuesve të lënduar gjatë protestës, duke sjellë edhe pasqyrimin e shifrave për shtetet e tjera që janë aktualisht në Europë në tubime.

Sipas Ramës, Shqipëria, në krahasim me Francën, Spanjën, Gjermaninë dhe Rumaninë, ka më të lartë numrin e policëve të lënduar sesa të protestuesve.

Rama ka fajësuar median dhe rrjetet sociale që sipas tij kanë nxjerrë një tjetër pasqyrim nga ai që është në të vërtetë.

“Por realiteti i Tiranës është zëvendësuar me një realitet tjetër në ekranet e kësaj flame dhune e terrori psikologjik antishtet. Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit.

Këta të ekraneve, ku pjesa më e madhe jeton me korrupsion, me paga marramendëse, renta javore, reklama instagrami e deri edhe podkaste të ushqyera me para nën dorë, një armatë grabitësish të pensionistëve që deklarojnë pak e fitojnë qamet duke përzier ditë e natë një çorbë të shpifur urrejtjeje, vulgariteti e banaliteti, ndërkohë që gazetarë e kameramanë terreni trajtohen si skllevër për bukën e gojës, janë edhe më fajtorë për ditët e terrorit mbi popullin e Shqipërisë, se sa ata që hedhin qorrazi gurët e dhunës”, shprehet Rama.

Rama paralajmëroi se do të publikojë pamjen e studentëve që ai i vendos në thonjëza, që terrorizuan vendin sipas tij, duke thënë se nuk janë realisht studentë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë