Politike

Kosova, ‘mollë sherri’ mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend

Nga Gazeta ‘Si’- Protesta e thirrur nga veteranët e UÇK-së në Tiranë trazoi edhe Kuvendin.

Diskutimet mes opozitës dhe mazhorancës u fokusuan tek Kosova, nisur edhe nga një kërkesë e demokratëve për rezolutë kundër gjenocidin serb në Kosovë.

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla u kujtoi demokratëve bojkotin e tyre ndaj protestës që mbahet nesër(17 tetor) në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Balla se kryeministri Edi Rama nuk do të jetë në protestë, duke e pyetur kështu PD-në se përse nuk i bashkohet protestës.

PD një ditë më herët deklaroi se do të bojkotonte protestën pasi sipas tyre nuk mund të ishin krah Ramës, i cili sipas opozitës, i ka futur thika pas shpine Kosovës.

“Pse nuk vini? Kryeministri Rama nuk do të jetë nesër. Bëni dhe ju nesër një protestë meqë nuk doni me veteranët e luftës së UÇK. As me ne, bëni një tuajën. Mos hajdeni në shesh, por bëjeni në Shqup ose në ndonjë shesh tjetër dhe me këtë rast do t’u vijnë më shumë.”, tha Balla.

Një ironi ai pati edhe me kreun e PD Sali Berishën, të cilin e quajti ‘dhëndër’ të Serbisë.

“Tifozët serbë kur donin të na shanin na thirrni ‘Sali Berisha’, ‘Sali Berisha’. Një gazetar e mori në telefon dhe i tha ‘more doktor pse thërrasin tifoz serb emrin tënd’. E thërrasin se Saliu është dhëndri i mirë i Serbisë i ka shërbyer mirë Serbisë sa herë ka pasur mundësi”, tha Balla.

Por, opozita në bllok akuzoi Edi Ramën se është ai që punon kundër Kosovës, ndërsa Sali Berisha e quajti kryeministrin shërbëtor të Aleksandër Vuçiç.

“A mundet një shqiptar, të shkelmojë mbi këtë gjak, po pse e bëni këtë sepse kreu juaj është një argat i Vuçiç, pse e bëni këtë sepse kreu juaj është shërbëtor i Vuçiç. Vrasja për shkaqe etnike e civilëve është gjenocid”, tha Berisha.

Ai foli për takime të fshehta të Edi Ramës me Vuçiçin.

Ish kryeministri akuzoi Edi Ramën se shpalosi një projekt të Millosheviçit të viti 90, për ndarjen dhe ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Një përplasje ideologjish u zhvillua edhe mes deputetit të Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe Ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu.

Kapri tha se e majta në Shqipëri ka komplekse për Kosovën, dhe sipas tij, është përgjegjësi për masakrën e Tivarit ku u vranë shumë të rinj shqiptarë të Kosovës.

Vengu iu përgjigj se askush nga opozita nuk është në gjendje për t’i dhënë leksione patriotizmi mazhorancës. Ai tha se Rama ka kërkuar në mes të Beogradit njohjen e Kosovës. 

“Kjo qeveri e ka përfshirë Kosovën në kuadër të bashkëpunimeve strategjike, ushtarake dhe rajonale. Është momenti që dhe ju t’i bashkoheni iniciativës për të futur Kosovën bashkë me Kroacinë në iniciativa ushtarake dhe mbrojtjes rajonale. Nuk ka leksione patriotizmi, hajdeni nesër në protestë të bashkohemi si komb.

Nuk besoj ju si grup si parlamentar apo opozita mund të na japin ne leksione patriotizmi për Kosovën. Kryeministri është ai që përsëritur në mes të Beogradit kërkesën për njohje të Kosovës. Kjo qeveri jo vetëm që ka çuar përpara projekte zhvillimore me Kosovën, por sikur ju keni çuar përpara Rrugën e Kombit, ne po çojnë Hekurudhën e Kombit”, tha Vengu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë