Politike

Kuvendi nuk çon në Kushtetuese mandatin e Xhaçkës, 39 vota pro, 72 kundër (Miratohet edhe ngritja e komisionit të dezinformimit)

Nga Gazeta Si- Me 39 vota pro dhe 72 kundër, Kuvendi ka vendosur të mos çojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Nga foltorja e Kuvendit, vetë deputetja Xhaçka sqaroi pozicionin e saj dhe hodhi poshtë akuzat e opozitës për konflikt interesi lidhur me statusin që ka marrë bashkëshorti i saj Artan Gaçi fillimin e vitit 2022 për ndërtimin e një resorti në Dhërmi.

Xhaçka e bëri të qartë se bëhet fjalë për një status të investitorit të asistuar që ndryshon shumë sipas saj nga ata investitorë strategjikë të veçantë.

“Unë dhe familja ime nuk kemi përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, zero! Asnjë m2 tokë publike zero! Asnjë lehtësi proceduriale të ndryshme nga të gjithë të tjerët. Zero! E dini se çfarë është përfitimi nga statusi i investitorit strategjik të asistuar. Se nuk është aspak i barabartë me atë të investitorit strategjik që thoni ju”, tha Xhaçka.

Opozita kërkoi dërgimin e mandatit të Xhaçkës në Kushtetuese që në vjeshtën e vitit 2022, pasi e akuzon se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik, gjë që ministrja e ka mohuar disa herë.

Partia Socialiste kishte përgatitur një raport për mandatin e deputetes Olta Xhaçka dhe ndërsa lexohej sot, deputetët e opozitës i ranë tavolinës dhe bërtitën “Turp, turp”.

Po ashtu edhe opozita ka depozituar një raport, përmes së cilit kërkohej që mandati i Xhaçkës të dërgohet në Kushtetuese për verifikim. Kryeministri Edi Rama mungoi në seancën e sotme për shkak të axhendës, pasi ndodhet në Francë me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron.

Gjithashtu, deputetët kanë votuar me 73 vota pro për ngritjen e Komisionit të Dezinformimit, ndërsa 7 deputetë votuan kundër dhe asnjë nuk abstenoi.

Komisioni i Dezinformimit do të mbikqyrë ndikimet e huaja në mediat shqiptare apo financime nga vende jo mike në politikë dhe parti të ndryshme.

Ngritja e këtij komisioni u propozua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë