Njerez

Kur të mëkon Eda Zari

Suadela Balliu – Gjellën  që ta do zemra ta bën vet’ dora, kur ta bën dora jote ta ha syri, po ta hëngri syri,  ta ha dhe goja, çup e tatasë! Kështu i thoshte dikur një teto e mamasë, nga ato nikoqiret tipike e aq të famshme përmetare.  Është kjo filozofi, që i jehonte prej fëmijërisë që e bëri jo vetëm kreative në kuzhinë, por edhe besnike të ushqimeve të shëndetshme me shije e aromë gjyshesh. “Tenxhereve të mia në Gjermani, u ofroj  – përtej patateve të ziera, apo gjithë llojeve  të  lakrave – privilegjin e gatimit të trahanasë, pashaqofteve, apo çfarëdo gjelle nga fëmijëria ime qoftë dhe paluze për Davidin” , rrëfen Eda Zari, teksa shpjegon arsyet që e çuan të shkruante dhe botonte një libër me receta gatimi për ushqyerjen e fëmijëve. Jo, nuk ka asnjë gabim –është  përgjigja për të gjithë ata që mund të fërkojnë sytë të habitur ndërsa lexojnë se këngëtarja e njohur e xhazit është edhe autore e një libri gatimesh.

Kur vjen puna te traditat shqiptare, Eda Zari është gjithnjë në vijën e parë  për promovimin e tyre, jo vetëm të folklorit  dhe melosit shqiptar që i përzien magjishëm me tingujt eksperimentalë të xhazit, por edhe të kulinarisë nga kjo anë e Mesdheut ( i cili mburret me dietat më të shëndetshme në Europë).

Libërthi “Luga ime e parë”- të cilin e shkoi duke iu referuar përvojës së ushqyerjes së djalit të saj të dytë,  ka hyrë në vitin e nëntë, ndërsa i biri,  Davidi, ka mbushur dhjetë vjeç. “Fakti që ky libërth aktualisht vazhdon të jetë në qarkullim, tregon sa të nevojshme janë informacione të kësaj natyre sidomos kur sillen nga eksperienca personale.” – rrëfen këngëtarja, ndërsa libri është ribotuar këtë vit.

“Libërthin e kam krijuar pjesërisht gjatë fazës së parë 15 mujore, tek krahas ushqimit me lugë vazhdoja të ushqeja Davidin edhe me “vakte“ gjiri! Përgjatë fazës para dhe pas kursore “Nënë dhe Foshnje”, pa asnjë ide të saktësuar, nisa të shkruaj dhe të përditësoja në formën e një ditari ecurinë;  atë gjithçka ndodhte mes meje dhe foshnjës.”

Me gjithë këtë punë sistematike dhe të kujdesshme si nënë, nuk e kish çuar ndër mend ta kthente në formën e një botimi të shtypur, derisa doktoresha Osterhus, pranë Klinikës  Universitare të Gruas, në Dyseldorf njëkohësisht dhe drejtoreshë e Këshillit të Mamive në të njëjtin qytet i hodhi idenë e një libri.

Davidi erdhi në jetë 13 vite pas vëllait më të madh dhe gjatë fazës së rritjes, nuk mund t’i shpëtonte krahasimit mes dy përvojave, sidomos në ushqyerjen me gji. “Ndaj vendosa që, recetave të gatimit në fazat fillestare të “lugës së parë”  t’u jap vend “dytësor”.” –tregon  Eda, duke shtuar se u ndal gjerësisht në rëndësinë ushqyese që mbart qumështi i nënës, dhënia e gjirit, pozicionimi i foshnjës në gji, rëndësia e vetë ushqimit që merr nëna përgjatë gjidhënies, etj.

“Qumështi i nënës. Është ushqimi më ideal, gati hyjnor do thosha.”- vijon këngëtarja, ndërsa shton se ka vetinë për ta mbrojtur foshnjën nga  infeksione, alergji  e faktorë të tjerë të jashtëm duke i forcuar   imunitetin. “Gjiri ka një temperaturë konstante, që i përshtatet butësisë së gojës së foshnjës pa i krijuar dallgë frike. Përtej së gjithave…Qumështi dhe gjiri i nënës garanton një lidhje të fortë midis fëmijës dhe nënës. Në këtë mënyrë, fëmija nis të njohë dhe të tërhiqet ndaj zërit, prekjeve, erës së trupit, aromës së  gjirit të nënës.”

“Pas lindjes së Davidit, tre vitet e para me dëshirë vendosa të shkurtoj turnetë, koncertet dhe udhëtimet e largëta

Nga konsultat me doktoreshën Osterhus, mban mend Eda  Zari,  mësoi se rëndësia e ushqyerjes me gji, të paktën në qarqet profesionale kishte qenë prej kohësh e njohur. Jo vetëm në aspektin nutricional, por edhe atë social e shpirtëror, ushqyerja me gji krijon një lidhje të fortë mes nënës dhe fëmijës, me ndikim në të ardhmen.

“Nuk janë të pakta rastet, teksa një nënë i jep gji foshnjës në rehatinë që fal një park pranveror apo ndodhet në udhëtim me tren, të pranishmit ndjehen të fyer nga kjo “skenë”.  Prirem  të besoj se në shoqërinë moderne të konsumit, sulmi ndaj “erotizmit“ që përcjell ky akt, ka marrë formën e tij të plotë. Vallë ushqyerja me gji është e ndaluar sepse gjinjtë janë të “rezervuar“ për meshkujt?”

Ky akt sa intim e personal, aq edhe universal në hapësirë dhe në kohës, Eda Zarit i ngjan me poemën “Ode Gëzimi, të cilën Friedrich Schiller e shkroi më 1785 –ën, ndërsa Bethoveni shkroi mbi të simfoninë e tij të nëntë, që sot e njohim si Himni i Bashkësisë Europianë. “ “Freude trinken alle Wesen, An den Brüsten der Natur“! -“Gjithë qeniet pinë gëzim, nga gjinjtë e natyrës!” Them se “Gjidhënia“ është një ndër kryeplanet më të bukura që natyra ka realizuar, e më tej perfeksionuar tek gruaja, gjiri i së cilës nuk është thjeshtë ornament,  por burim jete”, mendon ajo.

Kështu, edhe nëntitulli i librit “Luga e parë –Nga gjiri i mëmës tek luga”, iu kthye qëllim në vete. “Nuk është “mëkat“ kur nënat – për arsye shëndetësore apo individuale – vendosin apo zgjedhin një alternativë tjetër, siç mund të jetë biberoni, qumështi farmaceutik, industrial apo formulat e ndryshme që tashmë njihen. Çdo lloj alternative efikase që përmbush qëllimin themeltar për një shëndet të mbarë të fëmijës, është i mirëpritur.”, përpiqet të sqarojë këngëtarja.

Megjithëse të dy djemtë i ka lindur në Gjermani, vendosi të importojë në kuzhinën gjermane – veçanërisht në atë të ushqyerjes së foshnjave –recetat e mbledhura nga gjyshja dhe të afërmit nga jugu.  Në atë botën perëndimore të sunduar nga ritmet e shpejta të jetës, ku gatimi i shtruar mbetet luks ndërsa recetat gjysmë të gatshme të shpëtojnë jetën, ajo solli recetat nga një kohë e largët ku fëmijët mëkoheshin me ushqime e jo me konservantë.

“Nuk janë të pakta rastet, teksa një nënë i jep gji foshnjës në rehatinë që fal një park pranveror apo ndodhet në udhëtim me tren, të pranishmit ndjehen të fyer nga kjo “skenë”. Prirem të besoj se në shoqërinë moderne të konsumit, sulmi ndaj “erotizmit“ që përcjell ky akt, ka marrë formën e tij të plotë. Vallë ushqyerja me gji është e ndaluar sepse gjinjtë janë të “rezervuar“ për meshkujt?”

“Sot, kudo na prezantohen dhe ofrohen bukur, joshëse, profesionalisht paketuar dhe marketuar, produkte ushqimore të gatshme për fëmijë. Qëllimi im ishte dhe mbetet i tillë;  distancimi nga këto produkte, me dëshirën për t;i ofruar fëmijës sa më shpesh ushqim të përgatitur nga dora ime, nga tenxherja ime, duke pasur në “xhep“ recetat, kujtimet me të cilat  jam rritur, e influencuar nga ime ëmë, farefisi si dhe nga nusja e tim vëllai- një grua plot urti, me origjinë nga Kamenica e Korçës.”

Nisur nga përvoja, thotë se koha dhe përpjekjet që  merr përgatitja e ushqimit të freskët për fëmijë, është shumë më e vogël sesa mendohet të tjetë. “ Në fillim nuk nevojiten shumë produkte për gatimin e një supe apo pureje për fëmijën. Perimet e  stinës furnizojnë mjaftueshëm me vitamina organizmin e fëmijës dhe janë lehtë të tretshme. Periudha e parë 10 mujore, fare mirë mund të shfrytëzohet për të krijuar dhe mbledhur eksperienca të ndryshme në lëmin e gatimit për një ushqim të shëndetshëm për fëmijën, për veten dhe për familjen.”, këshillon Eda, ndërsa shton se përvoja e këtyre viteve është e pashlyeshme.

Përgatitja e ushqimit dhe gatimet e shijshme, interesante, jo monotone u kthyen në një ceremoni loje të përbashkët, përgjatë kohës tek e fotografoja Davidin të laturisur me pure

Kujton se, ndër ushqimet e para që i prezantoi të birit, ndër edhe më të njohurat në vendin tonë, ishte  paluzeja  dhe himet e  orizit   apo  paluzeja  me fruta ose perime. “Si fillim provoja të ushqeja Davidin pak nga pak, pa e sforcuar apo detyruar, duke i lënë  kohë mjaftueshëm për të kuptuar shijet e reja në gojë. David gjendej në një proces të pazakontë, deri sa u mësua të donte lugën e kaltër, pjatën e tij me figura rosash, apo tullumbace,  mbushur me pure apo paluzen me luleshtrydhe.”

Pjatat dhe lugët me figura kafshësh si zebra apo gjirafa, i vinin në ndihmë për ushqyerjen më të lehtë e pa naze e ishin këto lugë, përveç kuptimit në të ushqyer, që i dhanë edhe titullin librit. “Kohë pas kohe, nisa të ngre konsistencën e ushqimit,  kur fëmija kishte mësuar të hante  e të përtypej mirë. Përgatitja e ushqimit dhe gatimet e shijshme, interesante,  jo monotone u kthyen në një ceremoni loje të përbashkët, përgjatë kohës tek e fotografoja Davidin  të laturisur me pure (e preferuara e tij), apo tek i servirja atë ç’ka kisha gatuar!”

Ndërsa ishte e përfshirë dhe e përkushtuar me kohë të plotë në rolin e nënës, Eda Zari vazhdonte rrugën e karrierës së saj profesionale si këngëtare e muzikës xhaz. Si nënë në karrierë ( një stereotip që i vendos këto të fundit si sakrifikuese të fëmijëve për hir të profesionit), thotë se kur është vullneti, rruga gjendet gjithnjë.

“Pas lindjes së Davidit, tre vitet e para me dëshirë vendosa të shkurtoj turnetë, koncertet dhe udhëtimet e largëta. Gjithkush mund të marrë vendime në lidhje me jetën private dhe nganjëherë të refuzojë edhe detyrat profesionale. Në çdo fazë të jetës, sipër vetes dhe mbi gjithçka kam fëmijët.”- thotë, ndërsa i quan të dala mode ata stereotipat që ndajnë nënat në karrierë nga ato që qëndrojnë gjatë gjithë kohës në shtëpi.

“Është një stereotip tashmë i dalë mode. Po aq e gabuar është kur dedikimi amësor shihet si sakrificë, kurse etërve shumë rrallë u shtrohet kjo pyetje! Mos vallë etërve nuk u quhet sakrificë? Zgjedhjet tona individuale jetësore  – qofshin sakrificat, profesioni, karriera –  nuk mund t’ia varim as vetes e  as fëmijëve si faje në qafë. Madje fëmijët nuk i sjellim në jetë për të qenë borxhli ndaj nesh, as për “sakrificat“, dashurinë dhe kujdesin tonë prindëror. Dashuria prindërore nuk ka mani egoje.”

“Luga e parë”, si çdo libër gatimi, vjen i shoqëruar me fotografi, të realizuara nga vetë Eda, e cila pasionin për artin e fotografisë e ka shfaqur edhe në raste të tjerë. “ Mendova që lexuesi shpesh më shumë i beson fotove se sa recetave.  Përmes fotos së një pjate supe apo konkretizimin e një recete, zbulon sekretin e një shijeje  të re. Nuk jam fotografe, dhe as nuk pretendoj t’i marr askujt meritat e këtij profesioni. Ndërsa arti i kulinarisë për mua ka të bëjë me ceremoninë e ngrënies, dhe të gatuarit për njerëzit që kujdesem dhe i dua, por jo vetëm”- thotë, ndërsa shton se ata që kanë pasur rastin të hanë nga  duart e saj, ia njohin sqimën në gatim.

Për të interesuarit rreth përvojës së saj të mëmësisë, por edhe recetave të shëndetshme nga duart e gjysheve për të ushqyer fëmijët, thotë se libri gjendet në treg në logon e botimeve “Koha” nga Kosova e po ashtu edhe në version online. Pasi përfundon së rrëfyeri përvojën e mëmësisë dhe historisë pas botimit të këtij libri, që e sheh edhe si autore, Eda Zari thotë se muzika mbetet ishulli i saj i besuar dhe vetëm përmes saj arrin të rrezatojë gjendjen shpirtërore.

 

Më Shumë