Njerez

Shqipëria po plaket me shpejtësi, por sistemi i kujdesit nuk po ecën me të njëjtin ritëm

Shqipëria ka hyrë në një fazë të avancuar të plakjes demografike.

Nga 137 mijë të moshuar në vitin 1979 në rreth 473 mijë në vitin 2023. Nga një shoqëri me shumë fëmijë, në një vend ku pothuajse një në pesë banorë është mbi 65 vjeç. Shqipëria ka hyrë në një fazë të avancuar të plakjes demografike, ndërsa rritja e jetëgjatësisë, emigracioni dhe rënia e lindjeve po e ndryshojnë me shpejtësi strukturën e popullsisë. Sfida e radhës nuk është vetëm sa të moshuar do të ketë vendi, por kush dhe si do të kujdeset për ta.

Në raportin e fundit të Qëndresës Qytetare, thuhet se Shqipëria po ndryshon fytyrën e saj demografike.

Ndryshimi i strukturës së popullsisë po përshpejtohet. Raporti i varësisë së të moshuarve është rritur nga 16% në vitin 2011 në 30% në Censin 2023 dhe në 35% më 1 janar 2026. Në vitin 2025 u regjistruan vetëm 22,541 lindje, ndërsa emigracioni neto ishte -28,531 persona.

Sfida e madhe e viteve të ardhshme nuk do të jetë vetëm rritja e numrit të pensionistëve, por shtimi i personave në moshë shumë të avancuar. Grupi mbi 80 vjeç pritet të rritet nga rreth 3% e popullsisë në vitin 2020 në 9% në vitin 2050. Ndërkohë, vështirësi të rënda funksionale raportohen nga 21% e burrave dhe 29% e grave mbi 75 vjeç.

Plakja nuk është e njëjtë në të gjithë vendin. Raporti i varësisë së të moshuarve në vitin 2023 shkonte nga 19% në Kukës në 46% në Gjirokastër. Edhe dallimi gjinor është i fortë: rreth 30% e grave të moshuara jetojnë vetëm, kundrejt rreth 14% të burrave.

Kujdesi mbetet sfida kryesore

Shqipëria ka ndërtuar një kuadër më të gjerë politikash për moshimin, por hendeku kryesor mbetet zbatimi. Dokumenti Politik për Moshimin 2025-2030 evidenton se vetëm 49% e nevojave të identifikuara për shërbime plotësohen, ndërsa rreth 35% e aplikimeve nuk përmbushen për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore, infrastrukturore ose financiare.

Ministria raporton 84 qendra dhe shërbime për të moshuarit në 12 qarqet e vendit, por oferta është e përqendruar kryesisht në qytetet më të mëdha. Kujdesi në shtëpi mbetet veçanërisht i kufizuar, me vetëm 13 shërbime në banesë ose njësi lëvizëse.

Edhe kapaciteti rezidencial publik është thuajse i ezauruar. Gjashtë institucionet publike kanë 332 vende, ndërsa në vitin 2025 kishin 325 përfitues, rreth 98% të kapacitetit. Sipas Bankës Botërore, institucionet rezidenciale mbulojnë vetëm rreth 0.78% të të moshuarve me nevoja për kujdes.

Problemi nuk është vetëm mungesa e vendeve. Familja vazhdon të jetë shtylla kryesore e kujdesit, por emigracioni, puna dhe ndryshimi i strukturës familjare po e bëjnë këtë model gjithnjë e më të brishtë. Të moshuarit dhe familjarët kërkojnë më shumë shërbime në banesë, qendra komunitare dhe alternativa mes kujdesit familjar dhe institucioneve rezidenciale.

Pensionet dhe shëndetësia nën presion

Pensioni mesatar urban i pleqërisë është rritur nga 14,585 lekë në vitin 2015 në 20,123 lekë në vitin 2025, por shkalla e zëvendësimit ndaj pagës mesatare ka rënë nga 43% në 30%.

Edhe barra shëndetësore është e lartë. Sipas studimit “Aging in Albania”, 56% e personave me varësi të lartë vizitojnë mjekun çdo një ose dy muaj, 50% përdorin më shumë se pesë barna dhe 32% nuk kanë akses në pajisjet mjekësore që u nevojiten. Për një pjesë të të moshuarve, shpenzimet shëndetësore mund të arrijnë deri në 60% të të ardhurave.

Në vitin 2026 është hequr kufiri i sipërm i moshës për Check-Up-in dhe po ngrihet shërbimi i parë geriatrik, ndërsa fondi i barnave të rimbursuara ka arritur në 13.5 miliardë lekë.

Megjithatë, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e të dhënave që tregojnë se sa të moshuar marrin realisht shërbimet, sa presin për to dhe sa të barabarta janë ato në të gjithë territorin.

Shqipëria po bëhet një shoqëri më e moshuar, ndërsa sistemi i kujdesit ende po përpiqet të përshtatet me këtë realitet. Sfida e dekadave të ardhshme nuk do të jetë vetëm sa pensionistë do të ketë vendi, por kush do të kujdeset për ta dhe sa i përgatitur do të jetë shteti për këtë ndryshim demografik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë