Muzike

Kur “Nëna Parti” thërret: E lini pas diktaturën!

Ç’mund ta çonte një të ri, që për datë lindjeje mban vitin kaotik të tranzicionit me firmat piramidale që gëlonin, në prelud të luftës civile, ta pagëzojë bandën muzikore me emrin “Nëna Parti”?Neomarkist, aktivist i majtë apo artist i angazhuar që kërkon të satirizojë?!Kjo e fundit, shpjegon Kejd Guza i përafrohet motivit se përse më 2017-n, bashkë me anëtaren tjetër të duos Eduina Aliçka, vendosën t’i vinin këtë emër projektit të tyre muzikor.

Rryma muzikore, të cilët vendosën të lëvronin ishte  Vaporwave;  një mikrozhanër  i muzikës elektronike, gërshetuar me një stil arti pamor dhe meme në internet, që u shfaq në fillim të viteve 2010.

Një duo muzikore shqiptare e rrymave  Synthwave/Vaporwave, frymëzuar nga mungesa e lirisë gjatë regjimit komunist.Një përzierje jokonvencionale, e cila i pranëvendos  frymëzimin e bazuar në konsumerizëm të Vaporwave  me mungesën e tij për shkak të regjimit komunist gjatë fëmijërisë së bendit – megjithëse Eduina ka lindur në kapërthyell të sistemeve, ndërsa Klejdi më 1996-n.

Klejd Guza dhe Eduina Aliçka, duoja e "Nëna Parti"

“Vaporwave merr këngë të viteve ‘80 kryesisht synth pop, ose edhe ato më të dëgjuarit e kohës, i presin,  i ngadalësojnë, i ndryshojnë si strukturë dhe tingull dhe i mbivendosin imazheri të viteve ’80, duke kritikuar pompozitetin e konsumerizmit”, vijon të shpjegojë Klejdi, ndërsa “Nëna Parti” sapo ka nxjerrë videoklipin më të ri, titulluar “God Fell in Love with a Stripper”, një bashkëpunim me “Bulza Entertainment”.

Nëse Perëndimi i Pasur, me zgjimin e politikave liberale apo ambientaliste viteve të fundit kritikon  konsumerizmin, por edhe shijen e shëmtuar të modës, Shqipëria ishte larg konsumerizmit dhe e zhytur në varfërinë më të skajshme, me një popull të izoluar e të uritur.

Subkultura e prodhuar nga ky zhanër shpesh ngjan – edhe pse në mënyrë jo krejt të qartë – me  satirizimin e kapitalizmit, konsumit, kulturës pop dhe rreket të karakterizohet nga një angazhim nostalgjik ose surrealist me argëtimin, teknologjinë dhe reklamat popullore të dekadave të mëparshme.

https://www.youtube.com/watch?v=geBQXrTptn8&fbclid=IwAR3et4TdagSzAuNCdB-aKY1Y-daNCF0KwuZJQwAWF83o865s4OTJJAyalNA

Vizualisht, përfshin imazhe të hershme në Internet, dizajnë  të fundviteve ‘90, art glitch, anime, objekte të bëra 3D dhe cyberpunk, që shoqërojnë ballinat artistike të albumeve apo videove muzikore.  Mund të quhet edhe një lloj ringjalljeje e Dadaizimit, ëvizjes avantgarde të artit  themeluar nga Tristan Tzara e që prodhoi artistë si Max Ernst, Marcel Duchamp and Otto Dix.

I etiketuar si “anti-art”, ( edhe Klejdi pohon se Vaporwave është më shumë tallje sesa muzikë), synimi i Dada-s qe atë kohë të ekspozonte vlerat konsumeriste të shoqërisë së pas-luftës de përmes tyre të ripropozonte të zakonshmen dhe familjaren,  në sfonde të çuditshme.Ndoshta edhe bërthama e Vaporwave, është e njëjta.

“Donim të sillnim diçka në versionin shqiptar dhe çfarë kishte asokohe: Nëna Parti”, thotë duke qeshur Klejdi, të cilit nuk i ka rënë rasti të këndonte apo recitonte në shkollë vjersha për Partinë, të merrte pjesë në marshime festive për festa të rëndësishme të regjimit si 1 Maji apo 5 Maji.“Më ra rastësisht  në dorë një fjalim i Enver Hoxhës”, vijon duke qeshur ai, por shton se emri “Nëna Parti u erdhi më vonë”.

Imazhet që shoqërojnë pjesët e tyre muzikore lidhen me diktatorin, i cili vjen në një “fashion”  të një diktatori futurist alla “Big Brother” apo  në filma si “Equilibrium” .Një diktator cyberpunk, do ta etiketonin ata, ndërsa figura e Hoxhës u shndërrua në imazh të grupit.Rrëfen se as iu desh ndonjë kërkim më i thellë, përtej filmave  të realizuar nga Kinostudioja “Shqipëria e Re”, që transmetohen ende sot apo rrëfimeve të prindërve mbi çfarë e kishte dominuar epokën e viteve ’80.

Vaporwave, të paktën në fillimet e veta gërshetohej me tendencat e modës si stili i rrugës, por edhe lëvizjet e ndryshme politike.Klejdi mohon të jetë i angazhuar apo simpatizant  me ndonjë forcë politike, madje as rryma që luan nuk i duket si një lloj angazhimi apo aktivizmi  civil me doza të majta.

Mbase një prej pjesëve të tyre muzikore mund të shërbente si himn për ndonjë grupim të komunistëve të rinj?!“Thirrjet tona për çinstalimin e komunizmit, do ua largonin dëshirën”, thotë duke qeshur Klejdi ,i cili përveçse bën muzike me sintetizator, një prej pajisjeve kyç të muzikës elektronik luan në disa instrumente, por profesioni i tij është inxhinier mekanik.

“Të frymëzuar nga mungesa e lirisë në epokën e komunizmit, sinjali i dobët i antenave të televizorëve, shkrirë me tingullin klasik të viteve ’80 dhe nga rutina jonë e përditshme”, është përshkrimi që i bëjnë vetes “Nëna Parti”.

Titujt e këngës nuk janë më pak provokues se emri i bandës “Imperialism”, “Be careful With those bunkers, Enver”, “Left” , “The Way to Regres”, “Tungjatjeta Mon Amie”, janë disa nga këngët e shoqëruara me imazherinë komuniste, ku diktatori Hoxha është i pamungueshëm.“Të ngecur në komunizëm? Tejkalojeni diktaturën!”, është mesazhi i “Nëna Parti”“Përveç muzikës, na përlqen të bëjmë pak art që shkrin klishetë e komunizmit me teknikat moderne digjitale”, sqaron dyshja.

Megjithëse Vaporwave u konsiderua si një zhanër i vdekur, fëmijët e viteve 2010-  janë rritur dhe krijojnë artin e tyre. Nga pamjet e pixel-uara të internetit të dikurshëm te tingujt e përgjithshëm të muzikës së ashensorit, Vaporwave evokon efektin trazues  të të parit të diçkaje thuajse njerëzore, por jo mjaftueshëm. Ndërsa zakonisht u referohet robotëve, animacioneve dhe personave të tjerë që do të ishin njerëz, kjo vlen për shumë trope të valës Vaporwave. Këto objekte janë produkte të një kohe kur kompanitë kërkonin t'i bënin konsumatorët e tyre të ndjeheshin në mënyra shumë specifike. Muzika “elevator”, për shembull, ka për qëllim t'ju bëjë të ndiheni të qetë.Vaporwave na bën të ndihem të qetë, por edhe në skaje, të mbushur me  nostalgji dhe zemërim.

https://www.youtube.com/watch?v=R-adWmaBjMM

Por çfarë nostalgjie kanë  muzikantë që kritikojnë një epokë të pajetuar?“Shkon shumë në modë, ringjallja e atyre viteve dhe ngjan cool. Quhet “Fake Nostalgia”, pra të kesh mall për diçka të pajetuar”, thotë Klejdi.

Megjithëse thonë se koncepti i tyre muzikor nga 2017 është zhvilluar, për të mos ricikluar përherë të njëjtat tema dhe motive, nuk mund të të mos bëjnë efekt imazhet e diktatorit që duket se të troket nga një kohë e ardhme. Në fund të fundit, diktaturat nuk i përkasin vetëm së shkuarës.

“Gjatë periudhës së komunizmit u ndërtuan mbi 750 mijë bunkerë në territorin shqiptar. Sot, shumica prej tyre nuk ekzistojnë, por hijet e tyre ende zgjaten në cepat e syve tanë”,  shpjegojnë ata në këngën “Careful with that bunker, Enver”, për një publik, që falë internetit bëhet universal, aq më tepër që këngët e “Nëna Parti”, janë në gjuhën angleze, një tjetër paradoks ky me vitet ’80, ku do të quhej shfaqje e huaj e imperialiste.  

A je ndier sikur të shohin, kur nuk e ke pasur fare vëmendjen?

A të duket i dyshimtë ai fqinj?

Nga ka ardhur ajo ndërtesë e çuditshme në formë kërpudhe?

Armiku po të vëzhgon, ai nuk fle kurrë ...

https://www.youtube.com/watch?v=rer5YB5gFj0

“Këndojmë në gjuhën angleze, sepse na vijnë tekstet më lehtë ashtu”, pohon Klejdi, edhe pse vetë merret më shumë me pjesën e muzikës sesa me tekstet.

Për shumë konsiderohet si një rrymë e vdekur, megjithëse lëvruesit e saj ngulmojnë se mbahet në jetë dhe funksionon, veçanërisht për fushën e reklamave – Klejdi gjithashtu thotë se kanë bashkëpunuar për kolonën zanore të një reklame -, kjo rrymë që satirizon katër dekada më vonë, vitet e izoluara ’80 në Shqipëri, mund të tingëllojë edhe më e tejshkuar.

Pluralizmi i viteve ’90, u dha të gjithëve lirinë – deri në shfrenim – të shijonin të ndaluarat dhe të talleshin me regjimin dhe figurën e diktatorit, simbolikë e së cilës mbetet tërheqja zvarrë dhe pshurrja mbi bustin e rrëzuar e Enver Hoxhës, në sheshin qendror të kryeqytetit.

https://www.youtube.com/watch?v=DGE6CYXz1EM

Kënga “Escape Route” është një homazh për emigrantët që lanë shtëpitë në kërkim të lirisë. 

Përtej mureve, mizorisë, ndasisë...

Por  gjatë marsit, “Nëna Parti” doli me  pjesën e re muzikore “Confinement” apo “Izolimi”, frymëzuar nga periudha e karantinës.

Të jetuarit të ndarë na bën më të fortë, të rrethuar në katër mure të bardhë.

Pandemia e Madhe jashtë dritares...

https://www.youtube.com/watch?v=2Jf9iVqpZ2U

“Një produkt i izolimit, frikës, mungesës së lirisë dhe shumë frymëzim”, shpjegon dyshja, që ndoshta ndjenë për të parën herë ankthin e të qenit të izoluar, si dikur prindërit e tyre.

Një nga titujt emblematikë të repertorit të tyre mbetet “Out run PPSh”, ndërsa  banda quhet Nëna Parti. Me Partinë e Punës, e cila nuk u zhduk kurrë, por si çdo gjë tjetër pësoi transformim me ardhjen e pluralizmit duke u shndërruar në “PSSh”, në përpjekje për t’i fshehur rrënjët,  një dëgjues mund ta interpretonte titullin me një mesazh të koduar....


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë