Ne rrjet

Kronologjia e masakrës në Teksas, çfarë ndodhi në 2 orë mes njoftimit të parë te ‘911’ dhe vrasjes së Ramosit

Rindërtimi i masakrës i siguruar nga Departamenti i Sigurisë Publike të Teksasit, tregon dinamikën e ngjarjes minutë pas minute: goditja e vrasësit ndaj gjyshes, hyrja në shkollë nga një derë e lënë rastësisht e hapur, njoftimet e fëmijëve për 911 (numri i emergjencës në SHBA), deri në pritën e fundit të Ramosit, i cili ishte fshehur në një dollap

Gazeta Si - Më 24 maj, 18-vjeçari Salvador Ramos qëllon gjyshen e tij dhe më pas shkon në shkollën fillore “Robb” në Uvalde, Teksas (SHBA), ku vret 19 fëmijë dhe dy mësuese, duke plagosur 17 të tjerë.

Në orët pas masakrës, policia vendase u padit për vonesën me të cilën vepruan në shkollë: autoritetet lokale kanë dhënë versione kontradiktore, por dinamika - për të cilën po hetohet - është rindërtuar nga Departamenti për Sigurinë Publike të Teksasit.

Kalojnë një orë e 7 minuta nga hyrja e Ramosit në shkollë deri te vrasjet e tij; kalojnë një orë e 20 minuta nga telefonata e parë për ‘911’ nga shkolla; kalojnë rreth një orë e 50 minuta që kur 18-vjeçari qëllon gjyshen dhe policia merr telefonatën e parë.

Pak pas orës 11.00. Ramos qëllon gjyshen në fytyrë. Gilbert Gallegos, 82 vjeç, i cili jeton në shtëpinë përballë, dëgjon një të shtënë teksa qëndronte në oborr.

Ai vrapon drejt shtëpisë dhe sheh Ramosin, duke u larguar me një kamionçinë dhe gjyshen e tij, duke ecur drejt tij dhe duke iu lutur për ndihmë, e mbuluar në gjak.

“Berto, ja çfarë më bëri, më qëlloi mua”, i thotë zonja fqinjit të tij Gallegos, gruaja e të cilit njofton policinë për të denoncuar të shtënat.

11.27. Një video tregon një mësuese, ende të paidentifikuar nga autoritetet, duke hapur një derë të jashtme në shkollë, thotë drejtori i Sigurisë Publike të Teksasit, Steve McCraw.

11.28. Mësuesja del jashtë për të bërë një telefonatë dhe më pas kthehet nga dera, e cila mbetet e hapur. Nuk është e qartë pse mësuesja po bënte një telefonatë. Zëdhënësi i Departamentit të Sigurisë Publike, Travis Considine, shpjegoi të enjten se hetuesit nuk kanë përcaktuar pse dera është lënë e hapur.

11.28. Ramos përplas makinën e tij në një kanal prapa shkollës. Dy burra nga një shtëpi funerali aty pranë, dëgjojnë aksidentin dhe vrapojnë për të parë se çfarë ka ndodhur.

Ata shohin Ramosin duke dalë nga mjeti nga krahu i pasagjerit, ku mbante një pushkë të stilit “AR-15” dhe një çantë plot me municion.

Burrat ikin, të frikësuar dhe Ramos i qëllon pa i prekur plumbat. Njëri nga burrat bie në tokë, por të dy kthehen në shtëpinë e funeralit. Një mësuese në panik, del nga shkolla dhe telefonon ‘911’, numrin e emergjencës.

11.30. ‘911’ merr një telefonatë që komunikon aksidentin dhe praninë e një burri me armë në shkollë.

11.31. Ramos fillon të qëllojë në shkollë nga parkingu, ndërsa makinat e policisë nisin të mbërrijnë pranë shtëpisë së funeralit, ku ndodhej "Uvalde High School".

Ramos kalon nëpër ndërtesën e shkollës. Oficeri i policisë së qarkut shkollor në detyrë atë ditë, nuk ishte në kampus në ato momente, ndryshe nga sa ishte raportuar më parë.

Agjenti shkon në shkollë "menjëherë" pasi mori telefonatën e ‘911’ dhe i afrohet një personi në pjesën e pasme të shkollës, duke menduar se ai ishte i dyshuari i armatosur.

Ndërsa oficeri "vrapoi" drejt burrit, i cili rezultoi se ishte mësues, ai “u drejtua menjëherë pranë të dyshuarit që ishte fshehur pas" një automjeti, shpjegoi drejtori i sigurisë publike, McCraw.

11.32. Ramos qëllon me të shtëna të shumta drejt shkollës dhe më pas shkon drejt derës së hapur.

11.33. Pesë minuta pasi u përplas me kamionçinën, Ramos hyn në shkollë dhe fillon të qëllojë në dy klasat ngjitur, 111 dhe 112. Ai qëllon më shumë se 100 plumba.

11.35. Tre policë lokalë hyjnë në shkollë nga e njëjta derë e përdorur nga Ramos, të ndjekur nga katër oficerë të tjerë. Kështu, brenda ndërtesës janë gjithsej shtatë agjentë. Dy prej tyre pësojnë lëndime nga Ramos.

11.37. Të shtënat vazhdojnë, 16 të tjera gjithsej, thotë McCraw: është e paqartë se kush i gjuajti.

11.51. Një rreshter policie dhe oficerë të tjerë të zbatimit të ligjit mbërrijnë: kanë kaluar 21 minuta nga thirrja e parë në ‘911’.

12.03. Një grua telefonon ‘911’ dhe pëshpërit se është në dhomën 112. Telefonata zgjat 1 minutë e 23 sekonda.

12.03. Agjentët vazhdojnë të hyjnë në shkollë, në korridorin ngjitur me dhomën ku ndodhet Ramos, gjenden 19 agjentë.

12.06. Anne Marie Espinoza, zëdhënëse e Distriktit të Pavarur të Shkollës Uvalde, poston në faqen e Facebook të distriktit: “Të gjitha kampuset janë të mbyllura. Prindër nga distrikti shkollor Uvalde: ju njoftojmë se për momentin të gjitha kampuset janë të mbyllura, për shkak të disa të shtënave me armë zjarri në zonë. Nxënësit dhe stafi janë të sigurt në ndërtesa, të cilat të mbyllura. Bashkëpunimi juaj është i nevojshëm tani: mos ejani në kampus. Sapo të hiqet bllokimi, do të njoftoheni. Faleminderit për bashkëpunimin!”.

12.10. Gruaja që telefonoi ‘911’ në 12.03, telefonon sërish dhe thotë se ka shumë të vdekur. Ajo telefonon në orën 12.13 dhe më pas përsëri në orën 12.16, kur thotë se janë nga 8 deri në 9 nxënës të gjallë.

12.10. Grupi i parë i agjentëve federalë të U.S. Shërbimi i Marshallëve të Del Rios, arrin nga mbi 110 kilometra larg për të ndihmuar oficerët e tjerë të zbatimit të ligjit në vendngjarje.

12.15. Anëtarët e skuadrës taktike të Patrullës Kufitare mbërrijnë me mjete ushtarake dhe jelek antiplumb.

12.19. Një vajzë tjetër në dhomën 111 telefonon ‘911’, por e përfundon telefonatën, kur një shok i thotë të mbyllë telefonin.

12.21. Ramos qëllon përsëri dhe agjentët besojnë se ai është në derën e një prej klasave ngjitur. Policia po lëviz përgjatë korridorit.

12.21. Gjatë një telefonate në ‘911’ dëgjohen tre të shtëna. Policia është e bllokuar në korridor, pasi dyert e klasave janë të mbyllura dhe janë të detyruar të kërkojnë çelësat nga një punonjëse e shkollës.

12.36. Një fëmijë telefonon ‘911’ për 21 sekonda. Në të njëjtën kohë, një vajzë telefonon numrin e emergjencës dhe i thuhet të qëndrojë në linjë dhe të heshtë. “Ai qëlloi derën”, thotë vajza.

12.43. Vajza i kërkon operatorit të ‘911’: “Të lutem, dërgo menjëherë policinë”.

12.46. Vajza thotë se “mund të dëgjojë policinë në dhomën ngjitur”.

12.47. Vajza i drejtohet sërish operatorit ‘911’: “Dërgo menjëherë policinë, të lutem”.

12.50. Agjentët hapin dyert me çelësat e një punonjësi të shkollës, hyjnë në klasë dhe vrasin Ramosin, i cili i pret duke dalë i fshehur çuditërisht nga një dollap dhe duke qëlluar drejt tyre. Të shtënat mund të dëgjohen gjatë telefonatës ‘911’.

Kanë kaluar një orë e 7 minuta, që kur sulmuesi ka hyrë në shkollë, një orë e 20 minuta që kur ‘911’ ka marrë thirrjen e parë nga një mësues, një orë e 50 minuta që kur 18-vjeçari ka qëlluar gjyshen e tij dhe policia është lajmëruar nga fqinji.

12.51. Mund të dëgjohen agjentët duke lëvizur fëmijët nga klasa.

12.58. Bisedat në radio të zbatimit të ligjit pretendojnë se Ramos është vrarë dhe rrethimi ka përfunduar, tha Victor Escalon, drejtor rajonal i Departamentit të Sigurisë Publike në Teksas.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë