Bota

Video/ Brenda shkollës në Teksas, ndërsa vriteshin fëmijët policët dezinfektojnë duart

Gazeta Si - Pamjet brenda shkollës fillore në Teksas, aty ku ndodhi një prej masakrave më të rënda të viteve të fundit në SHBA, tregojnë sjelljen e pashembullt të oficerëve të policisë.

Teksa autori Salvador Ramos hapte zjarr në një klasë të mbushur me nxënës, oficerët kanë qëndruar pa reaguar për gati 1 orë në korridorin e shkollës.

Në një video 4 minuta e 9 sekonda, të siguruar nga Austin-American Statesman, agjentët shihen teksa shkojnë me shpejtësi në Robb Elementary School më 24 maj.

Por ndonëse policët u lavdëruan si heronj menjëherë pas ngjarjes, pasi e vranë atentatorin, hetimet e mëvonshme nxorrën në pah gabimet e operacionit dhe veprimet e kryera jo sipas protokolleve, që sollën më vonë edhe dorëheqjen e shefit të policisë.

Sipas pamjeve, efektivët e parë mbërrijnë në shkollë 3 minuta pasi Ramos kishte nisur të qëllonte.

Ata do të qëndronin në korridor për gati 70 minuta para se ta vrisnin 18-vjeçarin, i cili ndërkohë kishte shkaktuar një masakër të vërtetë në shkollë.

Pamjet e kamerave të sigurisë dhe kamerat e trupit të policisë, tregojnë oficerët teksa kontrollonin telefonat e tyre dhe pastronin duart me dezinfektues në korridoret e shkollës, ndërkohë që të shtënat vijonin në klasën e mbushur me fëmijë.

Oficerët e armatosur rëndë, dështuan që të reagonin në mënyrë të shpejtë dhe të duhur për të ndaluar autorin dhe potencialisht për të shpëtuar më shumë fëmijë.

Sipas një raporti të publikuar javën e shkuar, një oficer policie e pa autorin jashtë shkollës dhe kërkoi leje për të qëlluar. Por kërkesa e tij u refuzua.

Video tregon momentin kur zëvendës sherifi Felix Rubio shihet duke qarë në korridor, teksa e mbajnë kolegët. Ai ndodhet pak metra larg trupit të pajetë të vajzës së tij 10-vjeçare Lexi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë