Para

Kriza, individët duan borxh, por s’kanë mundësi ta kthejnë. Bizneset vuajnë mungesën e shitjeve

Familjet shqiptare janë goditur nga kriza e shkaktuar nga pandemia, që nga papunësia, ulja e orëve të punës e rrjedhimisht rënia e të ardhurave.

Sipas të dhënave të rezultateve të vrojtimeve për gjendjen financiare dhe ngarkesën në borxh të familjeve, këto të fundit kanë pasur nevojë për hua gjatë krizës, por nuk kanë pasur mundësi ta kthejnë mbrapsht atë.

Prandaj përdorimi i borxhit prej tyre mbetet i kufizuar. Për familjet huamarrëse, gjatë periudhës së gjashtëmujorit të parë të vitit është vënë re një rënie e aftësisë paguese.

Për të ardhmen e afërt, duket sikur kërkesa për borxh do të jetë më e lartë, nga familje që nuk kanë pasur borxh më parë.

Kurse tek ndërmarrjet, përgjigjet e vrojtimit përkatës raportojnë një ndikim të konsiderueshëm nga pandemia, e cila ka paraqitur sfidën kryesore të tyre gjatë periudhës.

Sipas vrojtimit, ndonëse shumica e ndërmarrjeve kanë arritur të gjenerojnë një rezultat financiar pozitiv, niveli i shitjeve dhe ai i rezultatit financiar kanë treguar një rënie të jashtëzakonshme për të gjitha grupet e ndërmarrjeve, por më shumë për ato të vogla e të mesme.

Rënia e nivelit të shitjeve ëshë shoqëruar me rritjen e mbështetjes nga burime të jashtme financimi (kredi), i cili është përdorur kryesisht për përballimin e shpenzimeve korrente dhe më pak për investime.

Financimi i jashtëm ka qenë në rritje për ndërmarrjet e vogla e të mëdha. Sipas monedhës, mbizotëron financimi në lekë, veçanërisht tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Rreth ¾ e ndërmarrjeve, sipas grupeve, e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e financimit. Për rreth 80% të ndërmarrjeve, vlera e borxhit është deri sa gjysma e vlerës së kapitalit.

Pritshmëritë për 6-mujorin e dytë të vitit shfaqen më optimiste në drejtim të rritjes së financimit, rritjes së investimeve dhe përmirësimit të performancës financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë