Rend dhe Ligj

Krimi kibernetik, krimi i njerëzve të arsimuar dhe femrave u rrit në pandemi

Pesha që zë krimi kibernetik në totalin e krimeve të regjistruara në Shqipëri përgjatë vitit 2020 mbetet ende e ulët, por në krahasim me 2019-ën vihet re një rritje e ndjeshme e tij.

Sipas raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, në 2020 veprat penale që lidhen me krimin kompjuterik u rritën me 0.2 për qind. Koeficienti i kriminalitetit për 100 mijë banorë për këtë grup veprash penale në vitin 2020 është 5.48, ndërsa në vitin 2019 ka qenë 4,02.

Prokuroria thotë se në 2020, numri i procedimeve të regjistruara me akuzat që lidhen me krimin kompjuterik është rritur me 35.65 për qind krahasuar me 2019-ën, por ka një ulje me 40 për qind të numrit të dosjeve që janë dërguar në gjykatë. Gjithashtu, vihet re edhe një ulje të numrit të të pandehurve të regjistruar në vitin 2020, përkundrejt atyre që janë hetuar në 2019.

Krimi kompjuterik cilësohet edhe si krimi i njerëzve të arsimuar. Sipas raportit të Prokurorisë, 46 për qind e personave që janë marrë të pandehur në 2020-ën për këto akuza janë me arsim të lartë, 23 për qind me arsim të mesëm dhe 31 për qind me arsim 9-vjeçar. E veçanta është se të gjithë personat e marrë të pandehur përgjatë 2020 për këto akuza janë të padënuar më parë.

LEXO EDHE:
- Hakerat, mbi 2.5 milionë sulme në 2017. A janë të sigurta të dhënat e Shqiptarëve?
- Qeveria kampione në digjitalizim, por KLSH e ngel në siguri
- Sa e (pa)mbrojtur është Shqipëria nga sulmet kibernetike
- Vodhën 38.000 euro përmes mashtrimit, pranga 9 hajdutëve kibernetikë

Gjithashtu, një tjetër dallim thelbësor i veprave penale që lidhen me krimin kibernetik është përfshirja e lartë e gjinisë tjetër. Sipas Prokurorisë, në 2020 numri i femrave të marra të pandehura me këto lloje akuzash zë 23 për qind të të pandehura.

Numri më i madh i të procedurave është në Tiranë, me mbi 60 për qind të rasteve, ndjekur nga më pas nga Shkodra, Durrësi dhe Elbasani.

Të ndara sipas akuzave, “mashtrimi kompjuterik” u rrit me 15 për qind në krahasim me 2019, një e pesta e totalit të veprave të regjistruarra për krimet kompjuterike. Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike pësoi një rritje me 65 për qind, nga 31 raste në 2019 në 51 raste në 2020.

Përveç krimeve që lidhen me mashtrimin përmes kartave të krediti vihen re edhe akuza të përhapjes së materialeve pornografike me fëmijë, pirateria audiovizuale dhe shfrytëzimi i internetit për trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Raporti i Policisë së Shteti në lidhje me gjendjen e rendit publik përgjatë 2020 në vend pritet që të publikohet në muajin qershor, megjithatë, Gazeta “Si” mëson se në këtë raport janë reflektuar rritja e krimeve kibernetike përgjatë të gjithë vitit të kaluar. Burime të Gazetës “Si” flasin për një rritje të ndjeshme të krimit kibernetik, por thonë se në shumë raste, referimet e policisë në Prokurori në rastin më të mirë zbuten dhe në rastin më të keq hetimet mbyllen pa u çuar në gjykatë.

Hakerat duket se gjejnë terren në Shqipëri edhe nga neglizhenca e autoriteteve shtetërore, e deri te paaftësia e administratës për të garantuar sigurinë kibernetike.

Një audit i KLSH në janar të vitit të kaluar zbulaoi në Njësinë e Teknologjisë së Informacionit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit të atashuar pranë Ministrisë së Financave disa problematika serioze.

Së pari, KLSH thotë se teknologjia e informacionit zhvillohet pa një plan strategjik, pa pasqyrim të qartë të objektivave të Ministrisë së Financave lidhur me sigurinë institucionale dhe të infrastrukturës së teknologjisë së informacionit, me mungesë objektivash strategjikë për burimet njerëzore të strukturës së teknologjisë së informacionit dhe në kundërshtim me strategjinë kombëtare të zhvillimit të digjitalizimit.

Së dyti është gjetur mangësi dhe joprofesionalizëm në stafin e kësaj njësie.

KLSH thotë se nuk ka gjetur as një regjistër historik të menaxhimit të incidenteve, duke theksuar se rrisqet menaxhohen mbi bazë ngjarjesh, procedurat kryhen verbalisht, duke mos identifikuar e analizuar me detaje llojin e rriskut, për ta parandaluar përsëritjen e tij në të ardhmen.

Mes shkeljeve të tjera KLSH gjen se në sistemin informatik financiar të Qeverisë ka përdorues që e kanë përfunduar objektin për të cilin janë çelur, por që janë ende aktivë dhe përdorues me kredencialet e të cilit aksesojnë disa persona këtë sistem.

Në verën e 2018-ës, AKSHi raportoi se vetëm përgjatë vitit 2017 ishte sulmuar mbi 2.5 milionë herë. Shënjestra e sulmeve ishte e-Albania, portali qeveritar i shërbimeve online, që ofron nga certifikatat e thjeshta, e deri tek aplikimet për leje ndërtimi, apo shërbime më komplekse për bizneset.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë