Rend dhe Ligj

Vodhën 38.000 euro përmes mashtrimit, pranga 9 hajdutëve kibernetikë

Policia e Shtetit ka shkatërruar një rrjet që merrej me veprimtari të kundërligjshme në fushën e mashtrimit kompjuterik, ndërsa në pranga kanë përfunduar 9 persona, dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Policia thotë se shtetasit e arrestuar kanë përfituar rreth 38000 euro nga mashtrimet nëpërmjet adresave në rrjetin social “Facebook”. Bëhet fjalë për shtetasit; E. A., 29 vjeç, I. Q., 27 vjeç, A. M., 48 vjeç, A. T., 28 vjeçe, N. Sh., 21 vjeç, E. H., 33 vjeçe, A. Sh., 21 vjeç, A. A., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe për shtetasin E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi E. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

Siç njofton policia, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhë 1-vjeçare, kanë ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.

Gjatë operacionit u sekuestruan 10 aparate celularë, 10 numra SIM Card, 3 pajisje elektronike, mandate pagese (tërheqjeje) që faktojnë aktivitetin kriminal të këtyre personave etj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë