Rend dhe Ligj

28 të arrestuar për vjedhje bankash përmes celularit-Superaksion i EUROPOL-it ku përfshihet edhe Shqipëria

Shqipëria ka marrë pjesë në një operacion ndërkombëtar të drejtuar nga EUROPOL kundër veprimtarisë në fushën e krimeve kibernetike.

Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit thotë se janë arrestuar 28 persona në vendet pjesëmarrëse, si të dyshuar për mashtrimin me transaksione, ndërkohë që nga Shqipëria nuk ka asnjë të ndaluar.

Autoritetet e zbatimit të ligjit, që janë përfshirë në këtë operacion, janë nga: Shqipëria, Austria, Belgjika, Kolumbia, Kroacia, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Gjeorgjia, Holanda, Maqedoni e Veriut, Polonia, Portugalia, Sllovenia, Sllovakia, Spanja, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të gjitha këto shtete, të mbështetura nga EUROPOL dhe Këshilli i Rrezikut të Tregtarëve, vepruan në mënyrë të koordinuar kundër mashtrimeve në internet, duke zhvilluar një operacion në shkallë të gjerë, nga data 1 deri në 31 tetor, si pjesë e Veprimit të Tregtisë Elektronike 2021.

"Modus operandi i kësaj veprimtarie kriminale, përfshinte përdorimin e disa aplikacioneve në telefonat celularë, të cilat lidheshin me bankat për të kryer transferime dhe blerje në mënyrë të paligjshme”, - deklaroi Suela Bonjaku, specialiste pranë Sektorit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit.

Qëllimi i fushatës, është që ta bëjë tregtinë elektronike më të sigurt, duke promovuar metoda të sigurta blerjeje në internet dhe duke ndihmuar tregtarët e rinj të hapin dyqanin e tyre të parë në rrjet, duke shmangur rrezikun e sulmeve kibernetike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë