Rend dhe Ligj

Krimi i organizuar dhe ai kibernetik, dy pikat e dobëta të Policisë së Shtetit

Raportimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në Komisionin e Sigurisë në Kuvend nxorri në pah dy probleme madhore që ka struktura që ai drejton zbulueshmërinë e veprave penale të krimit të organizuar dhe të krimit kibernetik.

Në të dyja këto fusha, të dhënat e paraqitura nga Drejtori Gledis Nano para deputetëve janë relativisht të ulta në krahasim me zbulueshmërinë e krimeve të tjera. Përkatësisht, veprat penale që lidhen me krimin e organizuar janë zbuluar në më pak se gjysmën e rasteve të denoncuara në 10 muajt e parë të këtij viti, ose 46 për qind.

Zbulueshmëria e ulët mbetet edhe te krimit kibernetik. Këtu të dhënat janë më pozitive se veprat penale që lidhen me krimin e organizuar, ose rreth 66 për qind. Krimi i organizuar dhe goditja e tij është një problematikë madhore e ngritur në çdo raport vendas e ndërkombëtar për Shqipërinë, madje është shfrytëzuar edhe si argumentim për bllokimin e negociatave nga vende të caktuara të Bashkimit Europian.

Ndërkohë, krimi kibernetik, ndonëse vlerësohet si një krim relativisht i ri në vendin tonë duket se ka evoluuar me shpejt se strukturat shtetërore të ngritura në luftën ndaj tij. Prej pak vitesh në Policinë e Shtetit ka një njësi të veçantë për krimin kibernetik, quajtur “Njësia C”.

Por, burime të Gazetës Si kanë pohuar më herët se mungesa e logjistikës dhe burimeve njerëzore është problematikë dhe pengesë madhore në luftën kundër kësaj forme të ndërlikuar krimi.

“Prapambetjen” në këtë sektor e pranoi edhe Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimti të buxhetit 2022 para Policisë së Shtetit më datë 9 nëntor. Në atë prezantim, Rama tha se kjo problematikë do të zbutet përmes ndërtimit të një laboratori në Ministrinë e Mbrojtjes, që do të përdoret edhe nga Policia e Shtetit.

“Sa i përket krimit kibernetik për hir të vërtetës jemi shumë mbrapa. Një qendër e re do të ndërtohet nga Ministria e Mbrojtjes një laborator kundër krimit kibernetik, që do të shfrytëzohet edhe nga Policia e Shtetit”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë