Rend dhe Ligj

Krimi dhe korrupsioni, Kim sheh rezultatet e para: Por Shqipëria mbetet pikë kyçe e trafikut të drogës

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, ka paralajmëruar se për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, institucionet shqiptare duhet të jenë të pavarura dhe të zbatojnë ligjin.

Në një konferencë të organizuar nga Ministria e Brendshme, Kim u shpreh se krimi i organizuar dhe korrupsioni kërcënojnë shtetin ligjor.

Por ajo kujtoi se, edhe pse janë bërë hapa përpara me reformën në drejtësi, Shqipëria mbetet një rrugë kyçe e trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore.

“E vetmja mënyrë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe ekstremizmin e dhunshëm është të kemi institucione të pavarura që mbështesin sundimin e ligjit. Policia, prokurorët, gjyqtarët dhe politikanët duhet t’i rezistojnë, të luftojnë kundër efekteve gërryese të kanosjes, parave, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, - tha ajo.

Kim u shpreh se gjatë vitit 2021 janë arritur suksese të vërteta, që nga largimi i gjyqtarëve të korruptuar e deri tek dënimi i prokurorëve, duke përfshirë edhe dënimin e ish-kryeprokurorit Llalla.

Ky është vetëm fillimi, sipas Kim, e cila shtoi se tashmë ekziston ndjesia se pandëshkueshmëria mundet dhe po merr fund.

“Shqipëria ka arritur suksese të vërteta në vitin 2021. Që nga largimi i gjyqtarëve të korruptuar deri te dënimi i prokurorëve në nivele të larta, përfshirë një ish-Prokuror i Përgjithshëm deri tek arrestimet e politikanëve, policëve dhe kriminelëve të krimit të organizuar që kanë zënë titujt kryesor të lajmeve gjatë ditëve të fundit. Ky është vetëm fillimi. Po fillojmë të shohim një epokë të re, ky sistem mund t’u shërbejë qytetarëve dhe jo vetëm të fuqishmëve. Ekziston ndjesia që pandëshkueshmëria mundet dhe po merr fund”.

Ambasadorja amerikane theksoi se vendet partnere kërkojnë që Shqipëria të jetë një vend ku të ketë drejtësi për të gjithë, të garantohet të drejtat e njeriut dhe të mbrohet qytetari.

Sipas saj, korrupsioni, krimi i organizuar dhe ekstremizmi i dhunshëm i shkatërrojnë këto cilësi. “Ato minojnë demokracinë, shtrembërojnë tregjet dhe kërcënojnë shtetin ligjor”, tha ambasadorja.

Diplomatja e parë amerikane shtoi se pavarësisht këtyre sukseseve të arritura me vështirësi, Shqipëria është rrugë kyçe e trafikut të drogës dhe të njerëzve. Sipas saj, një rol të rëndësishëm në të gjithë këtë luan korrupsioni.

“Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë paratë këtu dhe të kontribuojnë në korrupsion. Krimi i dhunshëm shpesh lidhet me krimin e organizuar dhe prokurorë, gjykatës, policë e gazetarë shpeshherë kanë qenë të kërcënuar”, - vijoi mes të tjerash Kim.

Ndërsa ambasadori i BE, Soreca bëri thirrje për të luftuar krimin mjedisor që sipas tij sjell para njëlloj si tregtia e drogës. Nga ana e tij, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, nënvizoi se vëmendje të veçantë do t’i kushtohet pastrimit të parave, pasi krimi kibernetik përbën një kërcënim.

“Në 9 muaj janë sekuestruar mbi 18 milionë euro asete kriminale”, - tha Çuçi, ndërsa shtoi se “buxheti 2022 për Ministrinë e Brendshme, është 4 % më i lartë, ku pikërisht mbështetja më e madhe do të jetë për sigurinë rrugore dhe luftën ndaj krimit të organizuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë