Menaxhim

‘Kosto të rritura, produktivitet i ulët dhe pritje të gjata’. Linjat detare në portin e Durrësit ankohen tek qeveria për koncesionarin

Nga Gazeta ‘SI’ - Operatorët detarë të portit të Durrësit i kanë dërguar letër qeverisë për të rregulluar situatën atje pasi ka vonesa në ngarkim-shkarkim dhe mjete të pamjaftueshëm nga ana e koncesionarit, duke rritur kostot për to.

Në letrën që i drejtohet edhe vetë koncesionarit të portit, “Mariner Adriatic” që merret me terminalin e kontejnerëve, operatorët thonë se ky i fundit dhe Autoriteti Portual ia hedhin fajin njëri-tjetrit.

“Në shumicën e kohës që ne evidentojmë dhe ju paraqesim problemin APD bën fajtor operatorin e shërbimit Mariner Adriatic, ndërsa ky fundit na komunikon gjendjen problematike të vinçave dhe mjeteve të ngarkim-shkarkimit. Përfundimisht, ngelemi pa zgjidhje.”, shkruajnë operatorët.

Ata shtrojnë 9 problematika në letrën për autoritetet që kanë sjellë rënie të produktivitetit, në 22-23 kontejnerë në orë kur më herët ishte 30 duke shtuar kështu 500 orë pritje të anijeve për shkarkim.

Problematikat që po përballen operatorët e portit të Durrësit:

“Problemi më i rëndësishëm lidhet me produktivitetin e vinçave. Nga 2 vinça që përdoren njëri prej tyre shfaq gjatë gjithë kohës probleme teknike që konsistojnë në ndalesa të shumta. Kjo përkthehet në:

Vonesa në kohën operacionale të anijeve = kosto shtesë

Akumulim i anijeve dhe pritje në radhë = kosto shtesë

Akumulim i ngarkesave brenda në terminal, duke penguar dhe produktivitetin në tokë (brenda terminalit). Kjo e fundit shkakton vonesa në evadim që përkthehen në ditë magazinimi = kosto shtesë.

Kohë e shtuar për ngarkimin e eksporteve për shkak të arsyeve të sipërpërmendura = Kosto shtesë.

Problem i dytë ka lidhje me pamjaftueshmërinë e mjeteve të ngarkim-shkarkimit brenda në terminal (reach-stackers). Megjithëse behën përpjekje të vazhdueshme dhe flitet për rritje në numër apo blerje të reja, rezultati është i njëjtë:

Vonesa në ngarkim apo shkarkim të kontejnerëve plot = kosto shtesë

Vonesa në dorëzimin e kontejnerëve bosh apo ngarkimin e tyre për eksport = kosto shtesë

Radhë të gjata në hyrje të terminalit të cilat krijojnë vonesa (= kosto), acarim (çdo ditë dëgjohen nga zyrat tona, boritë e kamionëve në shenjë proteste) dhe kosto për importuesit dhe eksportuesit tanë në mënyrë të pashmangshme.

Kompanitë shtojnë se atyre u janë premtur kontrata shërbimit, por po punojnë ende pa të tilla. Ato shtojnë se pagesat cash në doganë mbajnë gjallë informalitetin në këtë sektor dhe e quajnë monopol shërbimin e rimorkimit.

“Pra, njëanshmëria e kushteve të bashkëpunimit është e dukshme, kur nuk ka një marrëveshje ligjore që rregullon ato. Na është njoftuar që së shpejti do të operonim me 2 anije njëherësh. Vazhdojmë të operojmë me 1 anije dhe kushte tepër të vështira. Shpesh here detyrohemi të devijojmë nga itinerari ose të presim me ditë. Shpesh herë për shkak të vonesave duhet të paguajmë tarifa të kripura jashtë orarit, ndërkohë që shumicën e rasteve rimorkiatorët janë vetëm në gatishmëri (larg anijes) dhe jo në asistencë (duke e shtyrë apo tërhequr këtë të fundit). Pagesa në dorë (cash) e plumbçeve në doganë. Edhe pse u përfol disa herë ky problem, vazhdon të japë pasojat e veta duke ju shtuar zinxhirit të problemeve të shumta. Kjo problematikë është shtuar ndër vite dhe nuk ka gjetur asnjëherë zgjidhje”, përfundon letra.

Në një reagim, koncesionari i kontejnerëve Mariner Adriatic thotë se arsyeja e vonesave është rritja e volumit të mallrave.

Edhe vetë APD pranon të njëjtën gjë, duke i rikujtuar operatorëve se janë në një periudhë intensive të mallrave. Për kostot e shtuara, APD thotë se nuk janë detyrë e saj.

“Gjithsesi, duke mirëkuptuar kërkesën tuaj për të krijuar një marrëdhënie juridike mes Linjave kontejnerike dhe Portit të Durrësit, e cila do të përcaktonte të drejtat dhe detyrimet mes palëve për të krijuar më shumë siguri juridike dhe operacionale, Autoriteti Portual është në dispozicionin tuaj për të negociuar dhe dakordësuar një marrëveshje të tillë, pa cenuar kuadrin ligjor dhe financiar ekzistues”, përgjigjet autoriteti.

Kompanitë që kanë ngritur shqetësimet janë, CMA CGM ALBANIA, MEDITERRANEAN SHIPPING COMPANY ALBANIA, STACON SHIPPING AL, HUB ADRIATIC, STELLA MARE. Ata i kanë drejtuar letër kreut të autoritetit Portual Durrës APD, Pirro Vengu, ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama, ku ngrenë shqetësimin e kostove shtesë nga vonesat e gjata në shkarkimin e anijeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë