Politike

Kosova heq dorë nga fushata për njohje për hir të dialogut me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë

Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti kanë kohë 11 ditë që të zgjidhin mosmarrëveshjen se cili prej tyre do të drejtojë e përfaqësojë Kosovën në Shtëpinë e Bardhë në tryezën e dialogut me Serbinë.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell njoftoi përmes dy cicërimave në Twitter se kishte marrë zotimin e Prishtinës dhe të Beogradit për t’iu rikthyer tryezës së bisedimeve.

Bindja për t’u ulur në tryezë nuk është pa kosto. Në këmbim të kësaj. Kosova, sipas asaj që shkruan Grenell i ka premtuar të ndalojë përkohësisht përpjekjet për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare, ndërsa Serbia të ndalojë, po përkohësisht, fushatën e revokimit të njohjeve të pavarësisë.

“Kam marrë zotimin e Qeverisë së Kosovës dhe të Qeverisë së Serbisë për të ndaluar përkohësisht fushatën e kthimit të njohjeve dhe të anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare në mënyrë që të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për të diskutuar për dialogun”, deklaroi Grenell.

https://twitter.com/RichardGrenell/status/1272566059657117697

Zyrtari amerikan e vlerëson këtë si një mundësi të artë për të ecur përpara në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe paralajmëron të dyja palët se nëse largohen nga tavolina e bisedimeve rikthehet “status quo”-ja e vendosur gjatë qeverisë së Albin Kurtit, e rrjedhimisht me të edhe mundësia e kundërpërgjigjes amerikane.

“Nëse palët mbeten të pakënaqura me diskutimet e 27 qershorit, atëherë ato do të rikthehen në status quo-në ekzistuese pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç e kemi theksuar, duhet që fillimisht të shënojmë përparim në çështjet ekonomike. Këtu do të përqëndrohemi dhe mezi pres diskutimet”, shkruan Grenell.

A nënkupton Grenell me fjalinë “nëse palët mbeten të pakënaqura nga diskutimet e 27 qershorit…”, se në Uashington Prishtinës dhe Beogradit do t’i ofrohet një paketë, me mundësinë “merre ose largohu dhe mbaj përgjegjësi”, pa një rrugë të mesme?

Kjo pyetje mund të kërkojë ende kohë që të marrë një përgjigje, por duket qartë se amerikanët kanë një ngut në rifillimin e dialogut, duke ushqyer zërat se Uashingtoni kërkon me çdo kusht një marrëveshje brenda muajit shtator, për ta përdorur atë si sukses të politikës së jashtme të Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Ndërkohë, deri atëherë…ftesa amerikane për dialog është mirëpritur nga Presidenti Hashim Thaçi.

“Si President i Republikës së Kosovës e mirëpres ftesën për ta rifilluar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe të dërguarit special të tij ambasadorit Richard Grenell”, reagoi ai përmes një postimi në rrjetet sociale.

https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/posts/3901663829903947

Presidenti thotë se Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë, që do të përfundojë me njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

“Tani i takon institucioneve të Republikës së Kosovës që të tregojnë mençuri dhe maturi në ndërtimin e unitetit dhe koordinimit me partnerët tanë strategjikë dhe të përkushtohemi që ta përmbyllim me sukses këtë proces”, vijoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje akuzon Qeverinë Hoti dhe Presidentin Thaçi se e zhveshi Kosovën nga sovraniteti dhe dinjiteti shtetëror, duke u rreshtuar në të njëjtën linjë me Beogradin.

“Pas sajimit të qeverisë së paligjshme, deklarata e parë e presidentit Thaçi ishte se duhet të largohen të gjitha pengesat karshi dialogut, dhe ashtu ndodhi: qeveria koti largoi masën e reciprocitetin ndaj Serbisë, duke e zhveshur tërësisht Republikën e Kosovës nga sovraniteti e dinjiteti shtetëror. Ndërkaq sot emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, na njoftoi për vendimin e radhës së kësaj qeverie: që të heqë dorë nga përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë të Vetëvendosjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë