Ekonomi

“Konsumoni produkte ‘Made in Albania’ dhe nën normalen, sepse nuk jemi me pushime”

Sabina Veizaj-“Është momenti që të ndërgjegjësohemi se nuk jemi me pushime dhe përpos rregullave të higjenës dhe të tjerave që këshillojnë mjekët duhet të kontribuojmë që të mos rëndojmë ekonominë”- thotë në një intervistë për Gazetën “Si” Artan Gjergji Ekspert i Tregjeve Financiare.

Sipas tij, shqiptarët duhet ta kuptojnë që nuk janë me pushime, por që kjo është një situatë krize që nuk e dimë sa do zgjasë. Për rrjedhojë, thotë eksperti Gjergji, në kushtet kur të ardhurat nuk janë të sigurta për një konsum të vazhdueshëm, por nga ana tjetër edhe importet nuk mund të financohen pafund nëse ekonomia (biznesi) nuk punon, është shumë e rëndësishme që të ruhet një nivel poshtë normales i konsumit pa shpërdorime apo shpenzime të panevojshme. Për të, kjo do të na mundësonte të fitonim sa më shumë kohë deri në kapërcimin e kësaj krize.

Pavarësisht se Gjergji e percepton situatën dhe të ardhmen afatshkurtër e afatmesme pesimiste në aspektin ekonomik, ai sqaron se shpresëdhënës është varianti që kjo periudhë është afatshkutër ( nga 3 deri ne 12 muaj)  dhe se po shkojmë drejt stinës së verës, që shoqërohet me temperatura të larta në të cilat virusi ka pak gjasa të jetojë sipas doktorëve dhe nuk ka nevojë për panik se bankat kanë para.

Si po e perceptoni situatën e emergjencës e nxitur nga përhapja e Covid 19- në aspektin ekonomik?

Artan Gjergji, ekspert i Tregjeve Financiare

Ashtu si doktorët janë shumë herë më të ndjeshëm kur vjen puna tek masat që duhen marrë ndaj virusit (dhe kanë shumë të drejtë), e njëjta gjë ndodh edhe me ne ekonomistët kur mendojmë dhe më tej përpiqemi të parashikojmë apo llogarisim kostot financiare të kësaj krize, e cila tashmë ka një konsensus mbarëbotëror që do të jetë shumë herë më e thellë dhe më tepër shumëdimensionale se ajo e vitit 2008. Madje ka edhe mendimtarë (jo në pak raste konspirativë) që mendojnë që kjo krizë specifike do të shërbejë si një moment themelor në ndryshimin e rendit botëror sa i përket mënyrës së funksionimit të ekuilibrave makro-ekonomikë në kushte distance.

Për t’iu kthyer pyetjes suaj më pranë për ekonominë e vendit tonë, padyshim që pasojat do të jenë të jashtëzakonshme. Sa për shkak të impaktit që ka në funksionimin makro-ekonomik bllokimi i pothuaj të gjithë sektorëve të prodhimit të mallrave e shërbimeve, aq edhe për shkak të brishtësisë që ka buxheti i shtetit në kurimin e këtyre plagëve që për hir të së vërtetës janë krijuar prej shkaqeve jashtësore, të pavarura nga aktorët ekonomikë në Shqipëri (përfshi Qeverinë).

Izolimi pothuaj total i qytetarëve në shtëpitë e tyre ka reduktuar në maksimum konsumin duke avashtuar ecurinë e mekanzimit ekonomik në vend. Ekonomia duhet parë si një mekanizëm i madh me ingranazhe ndërvepruese me njëra-tjetrën. Si i tillë, në momentin që bllokohet një ingranazh (sado i vogël qoftë), i gjithë sistemi i ingranazheve fillon e sforcohet duke krijuar presion mbi ingranazhet e tjera dhe i shkatërron ato duke nxjerrë jashtë loje. Përfundimi do të jetë bllokimi total i mekanizmit.

Nëse ndjekim këtë shembull të thjeshtë për të kuptuar, bllokimi i konsumit (në gjuhën ekonomike quhet kërkesa për të blerë mallra e shërbime), ne kemi bllokuar aktivitetin e mjaft bizneseve që i prodhojnë apo ofrojnë këto mallra e shërbime (krahu i ofertës). Bllokimi i ofertës krijon dëme të jashtëzakonshme në zinxhirin makro-ekonomik pasi përkethehet në bllokimin e një sërë pagesash siç janë pagat e punonjësve, detyrimet tatimore për buxhetin e shtetit dhe pagesat për biznese të tjera (qira, furnizime me lëndë të para etj.). Me pak fjalë, njëlloj si përhapja e virusit, edhe bllokimi për një kohë të caktuar i kërkesës konsumatore për shkak të njerëzve të mbyllur në shtëpi, do të sjellë më pak të ardhura për ta me një trend rënës deri sa të mbarojnë kursimet apo rezervat, e për rrjedhojë bllokim të funksionalitetit të pothuaj cdo sektori të ekonomisë.

Shpresëdhënës është varianti që kjo periudhë është afatshkutër ( nga 3 deri ne 12 muaj)  dhe se po shkojmë drejt stinës së verës, që shoqërohet me temperatura të larta në të cilat virusi ka pak gjasa të jetojë sipas doktorëve.

A është e mjaftueshme paketa mbështetëse e Qeverisë për të shpëtuar në këtë emergjencë?

Në një situatë të tillë nuk ka asnjë masë të marrë nga asnjë Qeveri që të jetë e mjaftueshme për të kuruar plagët që ka krijuar në ekonomi kjo krizë. Masa e paketës mbështetëse të Qeverisë ishte ne kufinjtë e mundësive që ka buxheti i shtetit. Sa i përket instrumenteve të përdorur, ka debate nga më më të ndryshmet mbi llojet dhe mënyrat se si duhen përdorur ato.

Cila do të ishte zgjidhja më e mirë sipas jush për ti ardhur në ndihmë kësaj situate si bizneseve, ashtu edhe familjeve apo individëve në nevojë ?

Nuk është se ka një zgjidhje të provuar pasi situata të tilla dhe në këtë nivel ndërkombëtar, pothuajse nuk kanë ndodhur më parë. Megjithatë një gjë është e sigurtë për të gjithë operatorët ekonomikë të një vendi: e para me cdo kusht ekonomia nuk duhet të ndal (si në anën e kërkesës ashtu edhe në atë të ofertës), dhe e dyta, që secilit nga këto grupe do t’i duhet të mbajë një pjesë të kostove (cost sharing).

Po cilat janë grupet e operatorëve ekonomikë dhe cfarë duhet të bëjë secili prej tyre për të dalë nga kjo situatë:

1)         Qeveria – është padyshim ajo që duhet të mbajë edhe peshën kryesore të kostove. Në kushtet e bllokimit të funksionimit të biznesit, shumë shpejt kjo do të përkthehet me një mungesë në të ardhurat tatimore në buxhetin e shtetit. Veprimet e saj padyshim që duhet të fokusohen në nxitjen e kërkesës duke zëvendësuar të ardhurat e humbura të qytetarëve nga paga për shkak të mbylljes së punëdhënësve. Kjo mud të realziohet nëpërmjet pagesave direkte nga buxheti për këta qytetarë të paktën në nivelin e pagës minimale, si një mënyrë e mirë për t’u mundësuar atyre ruajtjen e një niveli minimalist konsumi me produktet bazike. Në anën tjetër Qeveria duhet patjetër të facilitojë biznesin në prodhimin dhe ofrimin e produkteve bazike pa lënë mënjanë edhe një administrim më eficient të të ardhurave tatimore.

2)         Banka e Shqipërisë – është një institucion i rëndësishëm në drejtim të administrimit të politikës monetare. Kjo politkë përpiqet që të ruajë stabilitetin e cmimeve në ekonomi dhe të administrojë sasinë e ofertës monetare (parave) që janë të nevojshme në ekonomi në varësi të kërkesë-ofertës për mallra e shërbime. Ajo ka një sërë instrumentash direktë dhe indirektë që të lehtësojë rritjen e sasisë së parave në qarkullim. Rritja e parave në qarkullim do të realizonte një lehtësim më të madh nga pikepamja e cash-it dhe do të lehtësonte rritjen e konsumit në treg.

3)         Biznesi – duhet të rishikojë të gjithë modelin e të bërit biznes duke u përshtatur me kohën në të cilën jetojmë dhe me tregtinë elektronike (e-commerce). Gjithashtu biznesi duhet ta kuptojë që duhet të ndaj një pjesë të kostove që ka kjo situatë e jashtëzakonshme për ekonominë. Kjo mund të ndodhë ose duke paguar një pjesë të pagave të punonjësve duke bashkuar forcat me shpenzimet qeveritare dhe rritur konsumin, ose nëpërmjet sponsorizimeve të nevojave imediate të vendit siodmos në mjekësi deri sa të kalojë situata e krizës së virusit COVID-19.

4)         Qytetarët – padyshim që edhe ata mund të bëjnë një pjesë jo të vogël në këtë situatë anormale. Pikësëpari duke moderuar mënyrën e tyre të konsumit. Shqiptarët duhet ta kuptojnë që nuk janë me pushime, por që kjo është një situatë krize që nuk e dimë sa do zgjasë. Për rrjedhojë në kushtet kur të ardhurat nuk janë të sigurta për një konsum të vazhdueshëm, por nga ana tjetër edhe importet nuk mud të financohen pafund nëse ekonomia (biznesi) nuk punon. Për rrjedhojë, është shumë e rëndësishme që të ruhet një nivel poshtë normales i konsumit pa shpërdorime apo shpenzime të panevojshme. Kjo do të na mundësonte të fitonim sa më shumë kohë deri në kapërcimin e kësaj krize. Në anën tjetër qytetarët është shumë e rëndësishme që të konsumojnë produkte Made in Albania (aty ku është e mundur). Pasi kështu do të nxisnin qarkullimin e brendshëm të cash-it, duke reduaktuar varësinë nga importet të cilat në këtë fazë kërkojnë shumë valutë të huaj e cila mund të mos mjaftojë për një kohë shumë të gjatë, në kushtet kur biznesi nuk punon.

Pikërisht një ndarje e kostove mes këtyre aktorëve do ta bënte më pak të kushtueshme procesin e kapërcimit të krizës së shkaktuar në ekonomi nga virusi COVID-19.

Nëse Banka e SHqipërisë do të ulë të mërkurën normën bazë të interesit me 0.25%, a do të ketë efekt real dhe konkret në ekonomi ?

Është ndoshta një vendim i pritshëm, dhe ndoshta i duhuri për të krijuar një nivel të mjaftueshëm besimi që tregu është në gjendje të mirë likuiditeti, dhe nuk ka asnjë shkas për ndonjë panik të panevojshëm. Bankat janë të mirëkapitalizuara dhe të afta për të përballuar cdo nevojë të qytetarëve për cash që të financojnë konsumin e tyre të përditshëm. Gjithësesi, nuk besoj se kjo politkë do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në qarkullimin e parave nga sektori bankar në drejtim të kosnumit, pasi studimet tregojnë që ka ende rezerva jashtë sistemit financiar, të cilat në këto kohë mund të përdoren më së miri për konsumin familjar. Megjithatë, ulja e normës së interesit nga BSH do të reduktojë koston e parasë për bakat, duke pasur një ndikim të lehtë në uljen e kostove të kredisë për individët dhe biznesin, çka përsëri sjell një ndikim pozitiv në këtë situatë edhe pse të vogël.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë