Komunitet

INSTAT do të na numërojë me tabletë, pyetjet për fenë ende në diskutim

Përfaqësuesit e feve në Shqipëri kërkojnë nga INSTAT që gabimet e bëra në Censusin 2011 të mos përsëriten në CENS-in e 2020.

Në një takim me drejtoreshëm e INSTAT, Delina Ibrahimaj, përfaqësitë e komuniteteve fetare kanë diskutuar ashpër në lidhje me garancinë që kërkojnë për vërtetësinë e Censit të 2020-ës duke hedhur akuza se Censusi i 2011 ka të dhëna jo të vërteta duke i dëmtuar ata.

Sipas Episkop Astit të Kishës Ortodokse, referuar Censusit të 1927 dhe të 1942-it kanë rezultuar 22 % të krishterë ortodoksë, kurse sipas Censusit të 2011 rezultojnë vetëm 6%.
Episkop Asti është shprehur se në një anketim të bërë fill pas Censusit të 2011-ës nga Kisha Ortodokse ka rezultuar se shumë familje nuk janë pyetur për përkatësinë fetare.
Ai tha se komunitetet fetare nuk e kanë përdorur fare Censusin 2011 për përdorim të brendshëm sepse e kanë konsideruar të pabesueshëm.

Si komuniteti mysliman, ai ortodoks, bektashi, katolik dhe ungjillorët protestantë kërkuan që në pyetjen që ka të bëjë me përkatësinë fetare në Censin 2020, pyetja të ishte me pohime dhe të ishin të listuara të gjitha komunitetet fetare që njihen zyrtarisht.
Çfarë ndryshon në Censin e ri? Pse bëhet një vit përpara rregullores? Kujt i shërben dhe si do të sigurohet vërtetësia e transparenca për komunitetet delikate?

Drejtoresha e INSTAT i është përgjigjur këtyre pyetjeve për gazetën “Si”.


Cili është qëllimi i aktivitetit të Censit 2020?

Ka një ndryshim të madh, ky quhet CENS dhe jo Census. Që është numërimi i popullsisë. Dhe ne vendosëm ta bëjmë pas nëntë vitesh dhe jo pas 10 siç është rregullorja e censeve që bëhen një herë në 10 vjetë. Qëllimi është të bëhet një fotografim i popullatës në vend sepse në hark kohor 10 vjeçar ka ndryshime të mëdha demografike që ndodhin sidomos në vende si Shqipëria që ka migracion të brendshëm shumë të lartë dhe migracion të jashtëm.
Përballet me dukuri të ndryshme demografike. Ne vendosëm ta kryenim një vit më parë për çështje krejt praktike. Ndërsa viti i referencës ishte viti 2021 përkon me zgjedhjet e përgjithshme dhe ky është një aktivitet shumë i madh dhe delikat, nuk duam që ky aktivitet të ketë ndikime politike apo ecuria e tij të ndikohet nga zgjedhjet. Gjatë zgjedhjeve shumë individë përballen me shumë sondazhe, me pyetje, anketa dhe janë të lodhur. Për ne është shumë e rëndësishme që ky proces të jetë sa më i saktë, individët të kenë interes të shprehin mendimin e tyre, menduam ta bëjmë një vit përpara. Nuk pritëm ta bëjmë një vit mbrapa, pasi janë të dhëna që na duhen. INSTAT ka filluar të mendojë që të ngrejë disa regjistra statistikorë të popullsisë, të ndërtesave dhe banesave dhe informacioni i CENS-it do të ndihmojë që të ngrihen këto regjistra, në mënyrë që në vitin 2030-2035 nuk kemi nevojë të bëjmë një CENS tradicional të shkojmë derë më derë për të pyetur cep më cep të Shqipërisë, por të bëjmë një CENS të bazuar në të dhëna administrative dhe të mos jetë e nevojshme që të shkojmë në të gjithë vendin.

Çfarë ndryshimesh ka Censi 2020 në krahasim me atë të 2011-ës?

Ndryshimi kryesor është se do të bëhet me tableta dhe jo me pyetësor në letër. Koha e terrenit do të jetë më e gjatë. Fakti që do të përdoret teknologjia, do të ndihmojë si në pikëpamje të cilësisë, të kontrollit dhe pikëpamjes së nxjerrjes së rezultateve që do të nxirren shumë më shpejtë se në 2011-ën.

Planifikohet që të mos ketë problematika në mbledhjen e të dhënave dhe në agregimin e tyre. Pyetësori është shumë i ngjashëm me pyetësorin e 10 viteve më parë. Me qëllim është i ngjashëm, pasi është shumë e rëndësishme të bëhet krahasimi. Të ketë një bazë krahasuese.
Si dhe herën e kaluar do të përdoret e njëjta metodologji. Një metodologji ndërkombëtare, e cila aplikohet në të gjitha vendet. Raundi i CENS-it 20-21 zhvillohet në të gjitha vendet. Është një aktivitet që kryhet nga Institutet e Statistikave në të gjitha vendet e botës me të njëjtën metodologji, për tu krahasuar jo vetëm me veten, por edhe për tu krahasuar me vendet e tjera.

A ka fusha të reja interesi?

Pyetja mbi fetë është ende në diskutim se si do të paraqitet. Do të jetë e ndryshme nga hera e kaluar. Fushat janë të njëjta. Por ka disa koncepte që kanë ndryshuar gjatë kohës. Psh. Martesat, bashkëjetesat. Kanë ndryshuar definicionet ndërkombëtare dhe mund të jenë shtuar alternativa. Por në thelb pyetjet janë po ato.

Kujt i shërben dhe nga kush mund të përdoret Censi 2020?

CENS-i është një thesar shifrash, i cili mund të përdoret për të bërë çfarëdo politikash. Jep shifrën e saktë të popullsisë rezidente në vend në momentin që kryet aktiviteti, në datën e referencës. Nuk mund të hartosh asnjë politikë tjetër nëse nuk ke popullsinë të ndarë sipas bashkive, njësive më të vogla administrative, sipas moshës, sipas gjinisë, sipas profesionit. Është baza e çdo lloj politikbërjeje, është baza e çdo lloj sjelljeje, i shërben bizneseve, publikut të gjerë, i shërben mirëqënies së vendit. Është aktivitet i gjithë vendit.

Si do ti adresoni problematikat e kaluara?

Ne do mundohemi që çështjet delikate dhe komunitetet më delikate ti kemi sa më të përfshirë në proces. Gjithashtu ti kemi të përfshirë edhe në mendime se si të procedojmë më mirë. Kur të implementohet aktiviteti, ti dalim përpara çdo lloj të papriture të fazës së terrenit. Është shumë e vështirë të gjesh zgjidhje kur ke përfunduar fazën përgatitore dhe ke dalë në terren, nuk kthehesh dot më mbrapa. Do mundohemi të kemi takime sa më të shpeshta me komunitetet delikate. Siç thashë, ne mund të sigurohemi duke përdorur të gjitha standardet dhe metodologjitë, të garnatojmë që procesi ka sigurinë e duhur, të garantojmë që nuk do të ketë ndërhyrje politike në të gjithë procesin dhe në të dhënat që do të prodhohen.

Si do ta garantoni transparencën e informacionit?

Transparenca e marrjes është shumë e matshme se anketuesit tanë do të shkojnë në çdo familje. Transparenca do të ndodhë duke qenë sa më prezent. Duke komunikuar çdo vendimmarrje tonën. Se sa do të jenë të kënaqur grupet e interesit, kjo është një çështje që nuk varet nga ne. Ne do të garantojmë cilësinë , metodologjinë, sigurinë e procesit.

Është menduar mospërfshirja e grupeve fetare dhe minoritare?

Nuk është menduar një gjë e tillë, siç u tha edhe në takim, shifrat e Censusit të kaluar nuk janë përdorur gjerësisht dhe nuk është diskutuar asnjëherë mospërfshirja e tyre. Edhe pse në shumë vende të botës nuk bëhet pyetja mbi përkatësinë fetare.
Duke qenë se ky është një aktivitet i madh dhe të dhënat janë e mirë publike, ne kemi vendosur ti përfshimë. Ne mendojmë se pyetje të tilla i shërbejnë të mirës publike.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë