Shendet

KLSH: Koncesionet e shëndetësisë s’ndikuan në uljen e sëmundshmërisë dhe dëmtuan buxhetin e 2022

Nga Gazeta Si- Raporti i fundit i KLSH për buxhetin e vitit 2022 ka vënë në fokus edhe shkeljet financiare të koncesioneve në shëndetësi, duke dalë në përfundimin se nuk ka pasur ndikim në përmirësimin e pacientëve dhe shërbimeve.

Koncesioni i Check-Up: Nuk ka rezultate në uljen e sëmundshmërisë

KLSH ka zbuluar se pavarësisht shtimin të numrit të Kontrollit mjekësor Bazë, (Check-up) në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, sëmundjet kronike janë shtuar me 8.603 raste, vlera e rimbursimit të barnave për shkak të rritjes dhe kompleksitetit të tyre ka shkuar në 1.2 mld lekë më shumë, si dhe janë rritur shtrimet në spitale dhe vizitat ambulatore. 

“Këto shifra tregojnë se efektet e masës paraprake të Kontrollit mjekësor bazë nuk janë reflektuar në rezultate konkrete në uljen e sëmundshmërisë, duke ndikuar edhe në efektshmerinë e përdorimit të fondeve për këtë çështje” thekson Kontrolli i Lartë i Shtetit.

LEXO EDHE:
- KLSH: Shqipëria, 200 mln euro detyrime për të paguar në Arbitrazh e Strasburg. Shuma më e madhe, për pallatin e vjehërrit të Bashës
- KLSH: Shteti pagoi 12.6 mld lekë për kontratat PPP në 2022. Pjesa më e madhe për rrugën e Arbrit

Koncesioni i “Dia-Vita”: Janë bërë pagesa për shërbime të pakryera

Gjithashtu, nga auditimi mbi koncesionin “Për ofrimin e hemodializës”, të lidhur midis MSHMS dhe Shoqërisë “Dia Vita” SHPK, ka rezultuar se edhe për vitin 2022, pagesa e koncesionarit nuk kryhet për shërbim të kryer, por për shërbim të faturuar. Pra, nga 6.918 raste janë deklaruar 8.854 të tilla, me një vlerë 99.1 mln lekë të paguara, për shërbime të pakryera.

Planifikimi i projeksioneve nuk është në përputhje me nevojat reale për kryerjen e shërbimit, shkruan KLSH, ku mjafton të evidentohet fakti që rajonet Shkodër dhe Vlorë, që prej fillimit të këtij shërbimi në vitin 2016, paraqiten me realizim nën projeksion.

Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve mjekësore: Mjete të ndryshme për të njëjtën procedurë

Nga auditimi i KLSH i shpenzimeve të kryera për financimin e koncesionit të “PPP-Sterilizimi i pajisjeve mjekësore”,  “Sani Service” SHPK, për ndërhyrjet kirurgjikale të kryera gjatë vitit 2022, në tre llojet e spitaleve, universitare, rajonale dhe bashkiake, ka rezultuar se ka përdorim të seteve të ndryshme për të njëjtën tipologji kirurgjikale, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit me shpenzime shtesë, nga 1.5 mld lekë në 2021 në 1.7 mld lekë në 2022-shi.

Gjithashtu, rezulton se është rritur përdorimi i seteve kirurgjikale, të cilët kanë ndikuar në rritjen e shpenzimeve me 13 % më shumë se në vitin 2021.

Koncesioni i shërbimeve laboratorike: Ka ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të qytetarëve 

Nga auditimi i Kontratës koncesionare PPP “Shërbimi laboratorik”, është zbuluar se ofrimi i këtij shërbimi është i kufizuar nga tavani buxhetor i secilit spital, duke rrezikuar ofrimin e analizave laboratorike, çka i ka bërë shqiptarët të drejtohen tek shërbimi  privati, me kosto më të lartë, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse.

Gjithashtu, KLSH ka zbuluar se gjatë vitit 2022 ka rezultuar se numri i ekzaminimeve është rritur me 827.617 raste, ndërsa shpenzimet buxhetore me 509.715 mijë lekë, ose thënë ndryshe, niveli i rritjes së numrit të ekzaminimeve në total është 24.5 % më shumë se në vitin 2021, ndërsa niveli i rritjes së shpenzimeve buxhetore 46.2 % më shumë. Këta tregues demonstrojnë një rritje më të lartë të shpenzimeve buxhetore në krahasim me rritjen e numrit të ekzaminimeve, gjë e cila reflektohet në koston mesatare të ekzaminimit, ku në vitin 2021 rezulton në 326.5 lekë, ndërsa në vitin 2022 në 383.5 lekë, ose 17 % më shumë.

"Në kushtet kur çmimet referuese nuk kanë ndryshuar, kjo rritje është rezultat i kryerjes së ekzaminimeve me tarifa të larta", shkruhet në raport.

Nga të dhënat e vendosura në dispozicion në lidhje me financimin dhe likuidimin e shpenzimeve për Kontratën e Koncesionit “PPP-Kontrolli Mjekësor Bazë” dhe “PPP-Sterilizimi i pajisjeve mjekësore”, është evidentuar se vlera e shpenzimeve të kryera për dhënien e këtyre shërbimeve është likuiduar me TVSH ndërkohë që ligji i përjashton nga TVSH furnizimet e barnave dhe shërbimet shëndetësore.

Po ashtu, fondet e përdorura për pagesën e TVSH, në shumën 417 mln lekë lekë në vitin 2022, kanë ndryshuar destinacionin e përdorimit të tyre dhe kjo ka kufizuar numrin e operacioneve të kryera. Për rrjedhojë nëse TVSH e paguar për sterilizimin në vitin 2022 do të përdorej si duhet, do të ishin kryer edhe 12.705 më shumë ndërhyrje kirurgjikale të kompleksitetit të mesëm. Ndryshimi i destinacionit të fondeve ka sjellë uljen e nivelit të shërbimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë