Para

KLSH: Shteti pagoi 12.6 mld lekë për kontratat PPP në 2022. Pjesa më e madhe për rrugën e Arbrit

Nga Gazeta ‘SI’ - Raporti i Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH, ka treguar se për vitin 2022, buxheti shtetëror financoi 11 kontrata koncesionare/PPP, duke paguar 12.64 mld lekë, nga 12.7 mld lekë të planifikuara.

KLSH thekson se shpenzimet për këto kontrata janë shtuar çdo vit nga 2020-a dhe mbeten një risk fiskal për buxhetin, sidomos në mungesë të transparencës. Kjo, raporton KLSH, pengon edhe vlerësimin e dobisë së shërbimeve që merren nga PPP-të. Nga krahasimi në dinamikë i shpenzimeve për kontratat koncesionare në periudhën 2020-2022 rezulton që shpenzimet për kontratat koncesionare të shtohen çdo vit: në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020 janë shtuar 20% dhe në 2022 në krahasim me 2021, që ishin 11.5 mld lekë rriten 10% ose 1.1 mld lekë.

“Rritja e shpenzimeve për kontratat koncesionare/PPP nga viti në vit përbën një risk fiskal për buxhetin, për më tepër që në mungesë të treguesve të matshëm të performancës së tyre bën të diskutueshme dhe arritjen në kohë të objektivave të tyre me eficiencë, ekonomicitet dhe efektivitet. Veç sa më sipër, mungesa e treguesve të matshëm të performancës së tyre e shoqëruar me mungesën e analizave financiare lidhur me raportin kosto/përfitim kanë sjellë pamundësinë e vlerësimit të dobishmërisë së tyre në ofrimin e shërbimeve në kohë, me cilësi dhe me shpenzime optimale”, thuhet në dokumentin e KLSH-së.

Po ashtu, thuhet se ministria e Financave, nuk ka publikuar raportin e PPP-ve 2022, sicc e detyron ligji.

“Mungesa e publikimit të Raporti vjetor 2022 të ecurisë së kontratave koncesionare, si një dokument i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në të cilin përfshihen mbledhja dhe raportimi i të dhënave të ecurisë dhe performancës financiare dhe jofinanciare të kontratave të koncesionit/PPP, ka cenuar synimin për të siguruar që risqet kryesore fiskale nga kontratat e koncesionit/PPP janë identifikuar dhe raportuar në mënyrë sistematike”, thotë KLSH.

Sipas raportit të buxhetit faktik 2022, të detajuara sipas kontratave respektive plani dhe pagesat për kontratat koncesionare/PPP aktualisht në zbatim paraqiten si më poshtë:

Pagesat e kryera gjatë vitit 2022 për kontratën koncesionare “Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit” janë në shumën 2.9 mld lekë.

Për koncesionin “Përmirësim, Ndërtim, Operim, Mirëmbajtje e Rrugës Porti i Jahteve – By Pass Orikum - Dukat (Ura e Shën Elizës)” janë 2 fatura të vitit 2021 në vlerën totale 150 milion lekë.

Për koncesionin “Shërbimi i Skanimit në Dogana” janë 8 urdhër-shpenzime në shumën 232 milion lekë.

Mungesa e likuidimit në kohë të pagesave për kontratat koncesionare, krahas krijimit të detyrimeve të prapambetura, KLSH thotë sjell për pasojë një prezantim të deformuar të nivelit të shpenzimeve gjithsej për vitin buxhetor raportues.

Nga auditimi në MFE mbi ecurinë e pagesave për koncesionet/PPP rezulton se nuk ka pasur njëtrajtshmëri në kryerjen e shpenzimeve, pasi në muajin dhjetor janë kryer 16 % e totalit të këtyre shpenzimeve për vitin 2022, nga e cila 80% për kontratën “Për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë