Menaxhim

KLSH: Shqipëria, 200 mln euro detyrime për të paguar në Arbitrazh e Strasburg. Shuma më e madhe, për pallatin e vjehërrit të Bashës

Nga Gazeta 'SI' - Raporti i fundit i KLSH-së për buxhetin e vitit 2022, fokusohet edhe te detyrimet monetare të Shqipërisë ndaj çështjeve të humbura në Gjykatën e Strasburgut dhe në Arbitrazh. Totali i detyrimeve të mbetura për të dyja, është 195.6 mln euro ose sa 3.4 % e të ardhurave buxhetore të vitit 2022. Ndërkohë që "pjesën e luanit" e zë detyrimi ndaj pronarëve të kompleksit "Jon", të prishur në 2013 për projektin Lungomare në Vlorë; ku një nga pronarët ishte edhe vjehërri i Lulzim Bashës.

Sipas Raportit të MFE, në vitin 2022, vlera totale e kostove ligjore, të përfaqësimit,
mbrojtjes, shpenzimeve gjyqësore apo kostove të tjera lidhura me vendime të arbitrazhit
ndërkombëtar, ka rezultuar në vlerën rreth 940.25 mln lekë.

Në total, KLSH thotë se janë edhe 30 çështje me statusin “Kërkesa në shqyrtim, por pa vendim”. Vlera ekonomike sipas pretendimit të palëve paditëse rezulton të jetë rreth 151.9 mln Euro dhe 115.3 mln lekë.

Sipas KLSH-së, çështja që vazhdon ta rëndojë më shumë buxhetin e shtetit është çështja “Sh.... kundër Shqipërisë”, mbartur prej vitit 2018, që mban 75% të totalit të vlerës. Ndonëse KLSH nuk jep detaje të mëtejshme të çështjes, ajo rezulton të jetë "Sharxhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë", lidhur me shembjen e kompleksit në Vlorë.

“(Pagesa) e cila vijon të jetë në proces për shkak të mungesës së fondeve të buxhetit të shtetit, ku vetëm vlera e shpërblimit të drejtë të akorduar rezulton të jetë 13.4 mln Euro, vlerë e cila pritet të shtohet për shkak të interesave”, shkruan KLSH në raportin e saj, ndjekur nga një çështje tjetër “R.... k. Shqipërisë” mbartur prej vitit 2015, “vijon në proces pritje të miratimit të VKM-së ku vetëm vlera e shpërblimit të drejtë të akorduar rezulton të jetë 4.417.750 Euro, vlerë e cila pritet të shtohet për shkak të interesave.”

Miliona euro për pallatin e vjehërrit të Bashës

Në pranverën e vitit të kaluar Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës i kërkoi qeverisë shqiptare që të zbatonte vendimin e Gjykatës së Strasburgut për të dëmshpërblyer “pa vonesa” pronarët e kompleksit Jon. Sipas rrjetit investigativ BIRN, në një mbledhje të zhvilluar më 9 mars, Komiteti shprehu shqetësimin se qeveria shqiptare nuk kishte ndërmarrë asnjë hap konkret për zbatimin e vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut të vitit 2018 për çështjen “Sharxhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë”.

Kompleksi “Jon” u shemb në mënyrë demonstrative me eksploziv në vitin 2013 për t’i hapur rrugë projektit të Lungomares në Vlorë. Bashkë me të, qeveria rrafshoi me dhjetëra ndërtesa, lokale dhe restorante të ndërtuara përgjatë vijës bregdetare. Pronarët e kompleksit e dërguan çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut me pretendimin se autoritetet shqiptare shpërfillën një urdhër të përkohshëm gjykate që ndalonte çdo veprim që mund të cenonte të drejtat pronësore – dhe e fituan atë. Megjithatë, qeveria shqiptare është shprehur se çështja e dëmshpërblimit ka mbetur pezull prej vitit 2018 për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, fillimisht me tërmetin dhe më pas me pandeminë e COVID-19.

Kompleksi "Jon" përpara se të prishej

Sipas BIRN, vendimi e detyron shtetin shqiptar që të dëmshpërblejë me një vlerë mbi 13.4 milionë euro pronarët e këtij kompleksi – njëri prej të cilëve edhe vjehrri i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ndërkohë, kamatëvonesat llogaritet të kenë kapur më shumë se 1.5 milionë euro.

Komiteti gjithashtu ngrinte shqetësimin për mungesën e qartësisë së autoriteteve shqiptare si dhe vendos afate për të siguruar pa vonesë dëmshpërblimin, bashkë me kamatëvonesat. “Duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjeve të ngritura nga ky aktgjykim dhe pengesat e hasura në pagesën e shpërblimit të drejtë, vendosi… të ftojë autoritetet të dorëzojnë informacion mbi çështjet në lidhje me masat individuale jo më vonë se 15 qershor 2022 dhe deri më 30 shtator 2022 për pjesën e mbetur si dhe vendosi të rifillojë shqyrtimin e këtij rasti në mars 2023 ,” thuhet në vendimin e Komitetit të Ministrave.

Komitetit nënvizonte se qeveria shqiptare kishte marrë përsipër të ngrinte një grup pune për të negociuar me pronarët për pagesë me këste të dëmshpërblimit për shkak të implikimit që kishte në buxhetin e shtetit shuma totale. Por grupi i punës nuk u ngrit asnjëherë, me justifikimin e gjendjes së emergjencës.

BIRN shkruan se më 24 qershor 2020, Shqipëria ka njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës se situata emergjente kishte pushuar së ekzistuari, por sërish nuk ka dhënë informacion për hapat e marrë për shlyerjen e detyrimit.

Pronarët e kompleksit “Jon” janë ankuar pranë Gjykatës Europiane se qeveria, jo vetëm nuk ka nisur pagesat, por ka dështuar t’u japë informacion dhe hapësirë për negociata për kushtet dhe modalitetet e dëmshpërblimit. Ata pretendojnë gjithashtu se nuk ka asnjë pamundësi objektive që Shqipëria të paguajë kompensimin e drejtë, apo të marrë masat e nevojshme buxhetore për këtë, duke vënë në dukje se në vitin 2020, Ministria i Financave ka ndarë një shumë prej rreth 100 milionë euro për të paguar një arbitrazh. Sipas tyre, “arsyeja e dështimit të autoriteteve për të paguar është mungesa e një vullneti të mirëfilltë politik”.

"Nuk ka gjurmë mbi të dhënat dhe shumat reale të paguara"

Në raportin e vet, Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se nuk ka një databazë zyrtare të çështjeve të trajtuara, nuk ka gjurmë mbi të dhënat dhe vlerat reale (totale) të efekteve financiare për të gjitha çështjet që kanë përfunduar shqyrtimin e Arbitrazhit Ndërkombëtar dhe ato që janë ende në proces shqyrtimi.

Por janë 2 çështje të përfunduara në Arbitrazhin Ndërkombëtar me një vendim, ku kanë lindur detyrime dhe të drejta për institucionet e shtetit shqiptar, por nuk kanë vijuar kërkesat për njohje vendimi në Gjykatën e Apelit Vendas. Bëhet fjalë për padinë ndaj Autoritetit Rrugor Shqiptar, me një detyrim të shtetit shqiptar sipas Tribunalit të Arbitrazhit në vlerën 44.3 mln USD dhe 573 mln Euro.

Një rast me efektin e të ardhurave të munguara për buxhetin e shtetit, ku palë e paditur është Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në vlerën 2.4 mln euro, 427.488 USD dhe 106.755 paund.

“Në total gjatë periudhës nën auditim, (vitet 2021-2022), evidentohen 5 vendime të pa ekzekutuara me një vlerë financiare (vetëm principal) prej 17.9 mln Euro, pa përfshirë këtu interesat e pagueshëm në rast vonesash. Vlera e referuar më lartë mund të rritet për shkak të penaliteteve si rrjedhojë e vonesave dhe mosrespektimit të afateve të ekzekutimit të vendimit. (Referuar likuidimit të dy çështjeve përgjatë vitit 2023, kosto aktuale potenciale, e vitit 2023, që ekspozohet buxheti shtetit nga moszbatimi i 3 (tre) prej vendimeve të GJEDNJ-së rezulton të jetë 17.9 mln Euro e cila do të vijojë të rritet edhe më për shkak të penaliteteve të shtuara si rrjedhojë e vonesave)”, detajon KLSH.

Kamatvonesat shtohen

I njëjti raporton përmend se mospagimi i këtyre detyrimeve në kohë, krijon një për aplikim interesash të pagueshme në vlera të konsiderueshme, duke shtuar shumën që do të paguajë shteti shqiptar.

“Mosveprimi ose veprimet me vonesë nga ana e institucioneve respektive në këtë çështje krijojnë risk të lartë për efekte të tjera shtesë në dëm të buxhetit të shtetit, gjë që kërkon vëmendje të shtuar në vijim nga ana e ASH-së si institucion përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre vendimeve, por veçanërisht nga MFE e cila vijon në mospërputhje me qëndrimet ligjore të njësive të specializuara, siç është Avokatura e Shtetit. “


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë