Ne rrjet

Ja marrëveshja që ndau detin mes Italisë e Greqisë. “Precedent fantastik edhe për Shqipërinë”

Mediat greke kanë publikuar të dielën tekstin zyrtar të Marrëveshjes midis Greqisë dhe Italisë mbi përcaktimin e zonave të tyre detare. Javën e kaluar, Athina dhe Roma mbyllën një kapitull të gjatë negociatash, kur ranë dakord të zbatojnë marrëveshjen greko-italiane të 24 majit 1977 duke zbatuar metodologjinë e vijës së mesme të korrektuar.

Marrëveshja, e nënshkruar në 9 qershor të vitit 2020 nga Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias dhe homologut të tij italian Luigi di Maio në emër të Republikës Italiane, bazohet në dispozitat e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1982 për Ligjin e Detit.

LEXO EDHE:
- “Ndarja e detit, Shqipëri-Greqi të ndjekin modelin si me Italinë”
- Greqi-Itali ndajnë kufirin detar. Modeli mund të ndiqet njësoj edhe me Shqipërinë
- Greqia gati për bisedimet për detin, por pakti me Italinë qortohet nga Kotzias
- Greqia ishte gati të hiqte ligjin e Luftës përpara largimit të Bushatit
- Greqia zien për ndarjen e detit, Tirana hesht!
- Rama: Nuk kemi ende një marrëveshje për detin me Greqinë

Kjo marrëveshje jo vetëm që përmbyll një hap të rëndësishëm mes Greqisë dhe Italisë, por sipas gazetës greke “Ekathimerini”, hap rrugën për ndarjen e kufirit detar me Shqipërinë.

Glevin Dervishi, njohës i politikës së jashtme greke në rajon dhe një nga anëtarët e ekipit shqiptar në negociatat dypalëshe Tiranë-Athinë kur ministër i Jashtëm ishte Ditmir Bushati, thotë për Gazetën "Si" se marrëveshja e fundit mes Romës dhe Italisë krijon një precedent fantastik edhe për ndarjen e kufirit detar shqiptar me Greqinë.

“Sapo është bërë publike marrëveshja e arritur mes Greqisë dhe Italisë për delimitimin e ZEE. Siç ishin pritshmëritë për fat te mire ajo konfirmon vijën delimituese teë Shelfit Kontinetal të marrëveshjes së vitit 1977 mes Greqisë dhe Italisë. Ky është një precedent fantastik edhe për rastin e delimitmit tonë me Greqinë për peshën që duhet të ketë ishulli i Othonit në Shelf Kontinental dhe ZEE. Por kemi një risi të veçante në ketë marrëveshje që është Neni 4 i saj pasi në këtë raste 2 vende anëtare të BE-së dhe sipas këtij Neni edhe pse dy vendet kanë ndarë ZEE, ata do të lejohen që të peshkojnë përtej vijës së ZEE respektive por pa hyrë në ujerat territoriale ashtu siç e përcaktojnë rregulloret e BE-së për vendet anëtare”, thotë Dervishi. “Përcaktimi i ZEE në ketë rast ka vlere për faktin që ndonëse vendet e BE mund të futen për peshkim në ZEE respektiv, sipas rregulloreve të BE ketë te drejtë nuk mund ta ushtrojnë shtetet e tjera jo anëtare të BE në ketë ZEE. Por ndarja e ZEE mes Greqisë dhe Italisë u mundëson të dy vendeve ushtrimin e të drejtave sovrane për elementet e tjerë si ndarja e zonës për përdorim të energjisë eolike, kabllove të komunikimit nëndetar që shtrihet nën det, kryerjes se kërkimeve shkencore dhe botës së gjallë. Këto element që ndan kjo ZEE mes dy vendeve të BE-së ndryshe nga peshkimi këto dy vende nuk mund të kryejnë aktivitet eksplorues kërkimor dhe shfrytëzues përtej vijës delimituese të dakordësuar për ZEE në këtë marrëveshje.”

Sipas mediave greke, tanimë dosja tjetër në sirtarin e kryeministrit Qiriako Mistsotaqis ëshë ajo e ndarjes së zonave ekskluzive ekonomike me Shqipërinë, për të cilin ka të ngjarë të ndiqet i njëjti model si ai me Italinë.

Metodologjia e përdorur nga Greqia dhe Italia, ai i parimit të vijës se mesme të korrektuar, ul peshën e ishullit Othonoi për ndarjen e kufirit përballë tokës kontinentale të Italisë.

Ky është parim që mund të ndiqet edhe në negociatat mes Tiranës dhe Athinës zyrtare, të cilat kanë ndaluar prej muajsh dhe siç thonë eksperti Dervishi, i shkon përshtat edhe palës shqiptare.

Në negociatat e vështira për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike me Italinë , një proces që filloi në vitin 2013 kur Ministri i Punëve të Jashtme ishte Evangelos Venizelos, pengesat më të mëdha kishin të bënin me të drejtën e italianëve për të peshkuar në ujërat territoriale Greke.

“Përcaktimi i zonave ekskluzive detare me të gjitha vendet fqinje janë ndër përparësitë kryesore të qeverisë Mitsotakis”, tha Ministri i Jashtëm Nikos Dendias. “Vendi ynë ka qenë i ngadaltë për të zgjidhur këto çështje. Unë mendoj se është koha tani për të gjetur zgjidhje për vendet tona fqinje, veçanërisht me vendet tona miqësore fqinje “, tha z. Dendias, por nuk pranoi të parashikojë se kur dhe si do të nisë puna me vendet e tjera si Shqipëria.

Mediat greke shkruajnë prej kohësh se Demokracia e Re kërkon që llogaritja e 12 miljeve detare duhet të fillojë nga disa shkëmbinj të pabanuar që gjenden pranë Korfuzit, dhe jo nga vetë ishulli, një skenar që do të sillte kufirin grek shumë më pranë ujërave detare shqiptare. Por nëse do të ndiqet i njëjti model si me Italinë, këta shkëmbinj pranë Korfuzit nuk do kenë asnjë peshë në ndarjen e zonave ekskluzive detare.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë