Nga Gazeta ‘Si’- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur këtë të premte në Gjykatën Administrative, ku po shqyrtohet padia me të cilën kërkohet anulimi i dekretit të emërimit të Ols Dados si prokuror.
Gjatë seancës, Veliaj deklaroi se në proces sipas tij po krijohet një trajtim i pabarabartë mes palëve, ndërsa u shpreh po ashtu se mandati i kryebashkiakut nuk mund të trajtohet si plaçkë.
Duke iu referuar prokurorit Ols Dado, Veliaj thekson se një noter është emëruar në kundërshtim me ligjin.
“Është evidente që po krijohet asimetri. Një pale po i shtohet interesi publik, të paditurit po i largohen të tjerët, KLP dhe avokati i shtetit. Ose KLP nuk tregon respekt për këtë gjykatë, ose ka kuptuar atë që di gjithë Shqipëria që Ols Dado nuk është prokuror dhe kryebashkiaku është arrestuar. Mandati i kryetarit të bashkisë nuk mund të trajtohet si plaçkë. Dikush ka veshur uniformën e shtetit dhe më ka rrëmbyer nga zyra. Kjo shoqatë e legjitimuar, pesha juaj i nderuar është për të rikthyer besimin te drejtësia.
Nëse dikush mund të vishet si polic apo si prokuror në këtë teatër, merr në qafë një qytet të tërë. Unë dy fitore i kam marrë edhe pa shkuar në Strasburg. Nëse më rrëmbyen mua, mund të rrëmbejnë këdo tjetër. Një noter që është emëruar në kundërshtim me ligjin”, tha Veliaj duke kërkuar pranimin e kërkesës së shoqatës “Asociacioni për Media e Drejtësi” për t’u bërë palë në proces.
Përfaqësuesit e shoqatës kanë argumentuar se çështja ka interes publik dhe lidhet me integritetin e sistemit të drejtësisë. Ata kanë pretenduar se përfshirja e Ols Dados në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 është një element që lidhet me kriteret dhe rrethanat e emërimit të tij si prokuror.
Nga ana tjetër, avokati i Ols Dados ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së shoqatës për ndërhyrje kryesore në gjykim. Ai ka argumentuar se çështja lidhet me një akt administrativ individual dhe se provat e paraqitura nga shoqata ishin vetëm njoftime procedurale nga gjykata.
Gjykata ka bërë të ditur se kërkesat e paraqitura janë pjesë e fazës përgatitore dhe se në fund do të vendosë nëse do t’i pranojë ato apo nëse çështja do të kalojë për shqyrtim gjyqësor.
Gjatë seancës është paraqitur edhe një grua e cila ka kërkuar të hyjë në sallë si përfaqësuese e Veliajt, por sipas gjykatës ajo nuk rezulton të ketë licencë avokatie. Asnjëra nga palët nuk e ka njohur si përfaqësuese të autorizuar dhe gjykata ka deklaruar se çështja do t’u referohet organeve kompetente.
Ndërkohë, gjykata bëri me dije se ka edhe një kërkesë tjetër për ndërhyrje kryesore në proces nga Tom Deda, ish-prokuror.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje