Politike

Greqia ishte gati të hiqte ligjin e Luftës përpara largimit të Bushatit

Nga Xhuliana Toci - Kur Italia e Bennito Mussolinit sulmoi Greqinë në vitin 1940 nga territori shqiptar (të cilin e kishte pushtuar), Athina zyrtare u kundërpërgjigj duke miratuar një ligj që do të fuste në një qorrosak të madh dy vendet: ligjin e luftës. Edhe pse kanë kaluar tetë dekada, ky ligj, i cili nënkupton se për Greqinë, Shqipëria është një vend armik, vazhdon të jetë ende në fuqi. Dy vendet kanë bërë për të normalizuar marrëdhëniet që atëherë, por ky ligj vazhdon të jetë një “njollë e zezë” në historinë e dy fqinjëve.

Një çështje sa burokratike aq edhe simbolike të paktën për shqiptarët, ligji i luftës u hoq zyrtarisht nga qeveria greke në vitin 1987, megjithatë ai asnjëherë nuk u shfuqizua nga parlamenti grek, duke u kthyer në “çelësin” që mban mbyllur negociatat mes dy vendeve.

Megjithatë, dy vitë më parë, Greqia ishte gati për heqjen e ligjit të luftës, si pjesë e marrëveshje të arritur midis dy ish-ministrave të Jashtëm, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati.

Lajmi bëhet i ditur për Gazetën Si nga Glevin Dervishi, njohës i politikës së jashtme greke në rajon dhe një nga ish-anëtarët e ekipit shqiptar në negociatat dypalëshe Tiranë-Athinë.

Në një intervistë me gazetën Si, eksperti zbulon se Greqia dhe Shqipëria ishin më pranë se kurrë arritjes së një marrëveshjeje, duke i çliruar të dyja vendet nga “fantazmat” e së kaluarës.  Greqia, e udhëhequr nga ish-kryeministri Aleksis Tsipras kishte bërë madje gati draftin për heqjen e ligjit të luftës.

Dervishi ka zbuluar për herë të parë detaje nga negociatat e dy ish-ministrave Kotzias Bushatit, duke theksuar se dy vendet ndodheshin në prag të zgjidhjes të shumë prej çështjeve të hapura.

Përvec zgjidhjes së kufirit detar mes dy vendeve, eksperti zbuloi se përpara shkarkimit të zotit Bushati si Ministër i Punëve të Jashtme në janar të vitit të kaluar, Greqia ishte zotuar të hiqte zyrtarisht Ligjin e Luftës me Shqipërinë, pas 80 vitesh. Kjo marrëveshje gjithëpërfshirëse, do të simbolizonte arritjen më të madhe diplomatike të kësaj dekade në Ballkan, pas Marrëveshjes së Prespës.

Ish-ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias. Foto arkiv. Gazeta Si, qershor 2020

“Pala greke jo vetëm që pranoi që Ligji i Luftës ekziston, por u angazhua në heqjen e Ligjit të Luftës si dhe rrugët që do të ndiqen për fitimin efektiv të të drejtave që burojnë nga heqja e Ligjit të Luftës dhe sekuestros konservative”, deklaron eksperti.

Për të hyrë në fuqi, ky draft do të duhej të kalonte me një dekret të posacëm nga presidenti i Republikës së Greqisë.

Ish- këshilltari për rajonin në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, thotë për gazeta Si se pas heqjës së këtij ligji famëkeq, shqiptarët do të mund t’u drejtoheshin institucioneve greke për të rimarrë pronat e sekuestruara nga shteti.

“Proceset e nisuara që në vitin 2013-2014 por të intensifikuara më pas gjatë vitit 2016 ku u shkëmbyen non-paper respektiv mes palëve, nuk kishin për produkt të tyrin vetëm fillimin e një negociate të re për delimitimin e hapësirave detare. Për të arritur në pikën e angazhimit intensiv dypalësh u desh që të kalonim nëpër disa stade specifike dhe me dy qeveri të ndryshme në Athinë, atë të koalicionit ND-PASOK deri në 2015 dhe më pas me SYRIZA”, zbulon ai për gazetën Si. “Proceset intensive kaluan në një fazë të re kur ramë dakord që mes nesh të shkëmbejmë nga një non-paper në të cilat u paraqitën të gjitha çështjet që palët mendonin se duhet të trajtohen dhe të gjenden zgjidhje. Shkëmbimi i non-paper u shoqërua dhe me dakordësinë për ngritjen e një mekanizmi permanent dypalësh në nivel sekretarësh të përgjithshëm të ministrive të jashtme, i cili do ti paraprinte dialogut në nivel ministrash të jashtëm që u zhvillua në Kretë dhe në Korçë, ku u trajtuan të gjitha çështjet dhe ku arritëm që pas shumë përpjekjesh të skicojmë një rrugë dhe një kalendar për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe”, shton eksperti.

Dervishi zbulon se mes të tjerash, Bushati dhe Kotzias ishin “ulur këmbënkryq” edhe për zgjidhjen e Çështja Çames, e cila është shmangur tradicionalisht nga pala greke.

“Kjo cështje u trajtua si një çështje e të drejtave të njeriut dhe mënyrën sesi palët mund të shkojnë drejtë një trajtimi të pranueshëm për këtë çështje brenda parashikimeve të së drejtës ndërkombëtare, pavarësisht diferencave. Pas vendosjes së garancive të nevojshme teknike dhe shkencore nisi puna në terren për zhvarrimin, identifikimin dhe rivarrimin e ushtarëve grek të rënë në Shqipëri gjatë Luftës Italo-Greke, një detyrim ky për shtetin shqiptar nga marrëveshja e nënshkruar në vitin 2009”, tregon Dervishi.

Se Shqipëria dhe Greqia ishin pranën arritjes së marrëveshjeje të madhe diplomatike e ka konfirmuar vazhdimisht edhe ish-ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias, i cili theksonte në një intervistë në vitin 2018 se dy vendet janë “de jure” ende gjendje lufte, por se kjo do të ndryshonte shumë shpejt.

“Ne i kemi vendosur të gjitha këto probleme në tavolinë. Kemi zgjidhur tashmë disa çështje të vogla, veçanërisht ato që ndihmojnë punëtorët ose emigrantët nga Shqipëria. Tani duhet të gjejmë zgjidhje për çështjet e mëdha. Komiteti i përbashkët i ekspertëve është bërë bashkë për të zgjidhur çështjen e kufirit detar. Unë mendoj se ne do ta zgjidhim këtë çështje, për aq kohë sa partitë e opozitës në të dyja shtetet të mos fillojnë të reagojnë në mënyrë histerike”, theksonte kryediplomati grek, duke ngritur shqetësimin në lidhje me deklaratat e opozitës greke(tani në pushtet) për çështjen e Çamërisë.

“ Madje do t’ju rrëfej se për herë të pare kjo çështje është diskutuar nga një qeveri tjetër, në fillim të viteve 1990”, rrëfente Kotzias, duke deklaruar se Shqipëria dhe Greqia ishin ulur në tryezën e bisedimeve duke negociuar nga “zeroja” dhe mbi parime të reja për zgjidhjen e të gjithë çështjeve të hapura.

Por, sic pranon edhe Dervishi, largimi i dy ministrave Bushati-Kotzias si dhe ndryshimet që pasuan me ardhjen e qeverisë së re greke, të udhëhequr nga Qiriako Mitsotaqis kanë ngadalësuar procesin.

Deklaratat e Mitsotaqis për të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë dhe ardhja e tij në pushet me “shpatë në dorë”, raportohet se nuk u pritën mirë nga pala shqiptare.

Në vizitën e tij të parë zyrtare në Athinë, kryeministri Edi Rama u raportuar se ia solli edhe njëherë në vëmendje homologut grek ligjin e luftës, duke i kërkuar heqjen e tij, por Mitsotaqis u përqendrua tek pronat e minoritetit grek.

Ai nuk ka prezantuar një platformë ose zgjidhje për të drejtat e qytetarëve grekë në vendin tonë, por sigurisht që akuzat për këtë çështje kanë ushtruar jo pak presion mbi qeverinë Rama.

Mosrespektimi i të drejtave të minoritetit grek duket jetë jo vetëm një çështje me impakt në opinionin në vendin fqinj, por edhe një “as nën mëngë” në dorën e Mitsotaqis. Ajo i ofron atij mundësi të mbajë nën presion qeverinë shqiptare, për të vendosur kushtet e tij për atë që është në të vërtetë molla e sherrit mes Greqisë dhe Shqipërisë: kufiri detar. Dhe ndryshe nga qeveria e mëparshme dhe ish-ministri Niko Kotzias, Mistotaqis dëshiron ta rinegociojë për çështjet e hapura mes dy vendeve nën kushtet e tij. Për Shqipërinë, kjo do të thotë se heqja e ligjit të luftë do të duhet të presë...sërish.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë