Politike

Rama: Nuk kemi ende një marrëveshje për detin me Greqinë

Kryeministri Edi Rama ishte pjesë e forumit ekonomik të Delphi në Greqi përmes një telekonference.

Sipas mediave greke, Rama është fokusuar në fjalën e tij tek marrëveshja detare me Greqinë si dhe tek kërkesa konstante e palës fqinje për minoritetin grek në Shqipëri.

Duke u ndalur tek marrëdhëniet bilaterale me Greqinë, Rama tha se në këtë drejtim është bërë progres.

“Kemi bërë progres. Nuk është e lehtë, por kemi vullnet pozitiv dhe marrëdhëniet bilaterale për mendimin tim janë të mira. Përcaktimi është një çështje. Nuk kemi arritur akoma në një marrëveshje. Por, shikoni, Greqia dhe Italia, vende anëtare të BE prej shumë vitesh, arritën në një marrëveshje pak ditë më parë”, tha ai.

Rama nënvizoi se, “ka çështje që duhen shqyrtuar, që janë diskutuar dhe në të kaluarën dhe vijojnë të diskutohen. Është arritur dhe një progres, por natyrisht që mbetet akoma për të bërë”.

“Ekziston një çështje, që herë pas here evidenton pala greke për të drejtat e pronave të minoritetit grek. Është e vërtetë që minoritarët kanë probleme me të drejtat e pronës? Po! Por janë vetëm ata që kanë probleme me të drejtat e pronës? Jo! I gjithë vendi, çdo m2 i vendit, ka një peshë të trashëgimisë të komplikuar që lidhet me titujt e pronave, arkivin, sistemet”, vërejti ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë