Drejtësia

Ervis Martinaj dërgohet për gjykim nga SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për fraksionin e ndarë të dosjes “Metamorfoza”, duke dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nëntë të pandehur, mes tyre edhe Ervis Martinajn.

Hetimet janë drejtuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti dhe përfshijnë Ervis Martinajn, Denis Bajrajn, Klaodor Hakajn, Prekë Kodrën, Aleks Ndrekën, Bardhyl Mavrajn, Eljon Haton, Arsad Bashlin dhe Nuredin Dumanin.

Sipas SPAK, Martinaj akuzohet për “vrasje me paramendim” në dëm të Gjin Ndojit (Borici), ngjarje e ndodhur më 9 gusht 2020 në Shkodër, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ai akuzohet gjithashtu për “sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” ndaj Kleant Musabelliut, si edhe për mbajtje pa leje dhe prodhim armësh, armësh shpërthyese dhe municioni, gjithashtu në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Ndaj Denis Bajrajt janë ngritur akuza për vrasjen e Gjin Ndojit, sigurimin e kushteve për vrasjen e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Nuredin Dumani dhe Bardhyl Mavraj akuzohen, në role të ndryshme, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve ndaj Dorian Dulit, Ibrahim Licit dhe Kleant Musabelliut, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Në të njëjtën dosje, Eljon Hato dhe Arsad Bashli janë dërguar për gjykim për akuzat e “vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë ndaj Taulant Pepës, armëmbajtje pa leje dhe “korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Për të njëjtën vepër penale të korrupsionit akuzohet edhe Bardhyl Mavraj.

Sipas SPAK, tetë nga nëntë të pandehurit janë hetuar në mungesë, pasi masat e sigurisë të vendosura ndaj tyre nuk janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit prej afro tre vitesh.

I vetmi që ndodhet në paraburgim është Nuredin Dumani, i cili po gjykohet edhe në kuadër të megaoperacionit “Plumbi i Artë”, me statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Me përfundimin e hetimeve, dosja i ka kaluar GJKKO-së, ku pritet të hidhet shorti për caktimin e gjyqtarit që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për kalimin e çështjes në gjykim.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka vendosur ndarjen e çështjes për bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe persona të tjerë të dyshuar të përfshirë në aktivitet kriminal, për të cilët hetimet paraprake vijojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë