Drejtësia

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Veliajt për afatet e paraburgimit

Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kishte kundërshtuar vendimin për pezullimin e afateve të paraburgimit.

Me këtë vendim mbetet në fuqi qëndrimi i Apelit të GJKKO, i marrë më 29 prill, që konfirmoi pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn.

Vendimi për pezullimin e afateve ishte marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pas mungesës së Veliajt në disa seanca gjyqësore. Kryebashkiaku kishte pretenduar se mungesa e tij lidhej me probleme të njoftimit nga Drejtoria e Burgut të Durrësit.

Veliaj e kishte cilësuar të padrejtë këtë vendim, duke argumentuar se ai ishte përfaqësuar rregullisht në proces përmes avokatit të tij dhe se nuk duhej të penalizohej për vonesat procedurale.

Çështja e pezullimit të afateve të paraburgimit ka shkaktuar debat edhe në radhët e profesionistëve të drejtësisë. Disa avokatë kanë kërkuar ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke argumentuar se pezullimi i afateve për të gjithë të pandehurit për shkak të mungesës së njërit prej tyre mund të cenojë të drejtat individuale.

Sipas legjislacionit në fuqi, koha e qëndrimit në paraburgim llogaritet me koeficient të ndryshëm në raport me dënimin përfundimtar, duke pasur ndikim në kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit në rast të një vendimi fajësie.

Më herët, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur shtyrjen e seancës së radhës të gjykimit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë në këtë proces.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë