Analize

Greqi-Itali ndajnë kufirin detar. Modeli mund të ndiqet njësoj edhe me Shqipërinë

Greqia dhe Italia kanë nënshkruar sot marrëveshjen për ndarjen e kufirit në Detin Jon, sipas të cilës Athina dhe Roma zyrtare kanë zgjeruar secila me 12 milje ujërat territoriale. Pakti i cili u nënshkrua nga ministrat e Jashtëm Nikos Dendias dhe Luigi Di Maio pason marrëveshjen e mëparshme të ndarjes së Shelfit Kontinental mes te dy vendeve të nënshkruar në 24 maj të vitit 1977. Kjo marrëveshje jo vetëm që përmbyll një hap të rëndësishëm mes Greqisë dhe Italisë, por sipas gazetës greke “Ekathimerini”, hap rrugën për ndarjen e kufirit detar me Shqipërinë.

Marrëveshja duket se është një zgjatim i asaj të vitit 1977 dhe i jep mundësi Greqisë dhe Italisë për të eksploruar dhe shfrytëzuar burimet detare. Në një konference për shtyp, zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas e cilësoi marrëveshjen si "një zhvillim i rëndësisë historike".

Sipas mediave greke, tanimë dosja tjetër në sirtarin e kryeministrit Qiriako Mistsotaqis ëshë ajo e ndarjes së zonave ekskluzive ekonomike me Shqipërinë, për të cilin ka të ngjarë të ndiqet i njëjti model si ai me Italinë.

Metodologjia që kanë përdorur Greqia dhe Italia është ai i parimit të vijës se mesme të korrektuar te ngjashme me atë të vitit 1977, i cili ul peshën e ishullit Othonoi për ndarjen e kufirit përballë tokës kontinentale të Italisë.

Ky është parim që mund të ndiqet edhe në negociatat mes Tiranës dhe Athinës zyrtare, të cilat kanë ndaluar prej muajsh dhe sic thonë ekspertët, i shkon përshtat edhe palës shqiptare.

“Marrëveshja e sotme mes Greqisë dhe Italisë prodhon dhe një efekt tjetër pozitiv, duke hapur mundësinë që edhe ne të përfundojmë ndarjen e kufirit detar me Italinë, sepse në marrëveshjen e vitit 1992 me Italinë kemi përcaktuar vetëm Shelfin Kontinental”, shprehet në profilin e tij në Facebook Glevin Dervishi, ish-këshilltar i ministrit të Jashtëm.

Ministrat e Jashtëm Nikos Dendias dhe Luigi Di Maio, Gazeta Si, 2020

Edhe pse dosja për “ndarjen e detit” mes Greqisë dhe Shqipërisë ka zënë pluhur që pas ikjes së ish-ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias dhe atij shqiptar, Ditmir Bushati, arritja e kësaj marrëveshje midis Greqisë dhe Italisë pritet, sipas mediave greke, ta rikthejë vëmendjen nga Shqipëria, duke hequr stigmën e diplomatëve grekë për të mos bërë asnjë lëshim.

Në negociatat e vështira për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike me Italinë , një proces që filloi në vitin 2013 kur Ministri i Punëve të Jashtme ishte Evangelos Venizelos, pengesat më të mëdha kishin të bënin me të drejtën e italianëve për të peshkuar në ujërat territoriale Greke.

“Përcaktimi i zonave ekskluzive detare me të gjitha vendet fqinje janë ndër përparësitë kryesore të qeverisë Mitsotakis", tha Ministri i Jashtëm Nikos Dendias. "Vendi ynë ka qenë i ngadaltë për të zgjidhur këto çështje. Unë mendoj se është koha tani për të gjetur zgjidhje për vendet tona fqinje, veçanërisht me vendet tona miqësore fqinje ", tha z. Dendias, por nuk pranoi të parashikojë se kur dhe si do të nisë puna me vendet e tjera si Shqipëria.

Mediat greke shkruajnë prej kohësh se Demokracia e Re kërkon që llogaritja e 12 miljeve detare duhet të fillojë nga disa shkëmbinj të pabanuar që gjenden pranë Korfuzit, dhe jo nga vetë ishulli, një skenar që do të sillte kufirin grek shumë më pranë ujërave detare shqiptare. Por nëse do të ndiqet i njëjti model si me Italinë, këta shkëmbinj pranë Korfuzit nuk do kenë asnjë peshë në ndarjen e zonave ekskluzive detare, të cilat do të përcaktoheshin nga një vijë e mesme e përafërt.

Edhe pse bisedimet nuk kanë nisur ende, toni i përdorur deri më tani nga Mitsotaqis është një sinjal se negociatat me të do të jenë më të vështira sesa negociatat me qeverinë “Tsipras”.

Sipas ekspertit Agron Alibali, negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë janë jo normale se zhvillohen kur është në fuqi një ligj lufte ndaj vendit tonë. Ai shpjegon në një postim të zgjeruar në profilin e tij në Facebook, se sipas rregullave ndërkombëtare, Greqia nuk mund ta zgjerojë sovranitetin e saj me 12 milje detare.

“Mospërputhja midis gjerësive të Detit Territorial përkatës të dy vendeve është çështja më delikate në tavolinën e bisedimeve. Shqipëria zbaton brezin prej 12 miljesh detare, kurse Greqia zbaton brezin prej 6 miljesh. Mbështetur në parimin themelor dhe të patundur se dheu kontinental sundon detin, prirja e përgithshme në të drejtën ndërkombëtare detare sot është se dheu kontinental merr përparësi ndaj dheut ishullor sa u takon projeksioneve të hapësirave përkatëse detare. Sikurse shpjeguam, kjo prirje mbështet të drejta e Shqipërisë lidhur me hapësirën e Zonës Ekonomike Ekskluzive [ZEE] në shpinë të Korfuzit”, shkruan ai.

“Si rrjedhojë e ngushtimit të hapësirës ujore të detyruar nga Kanali i Korfuzit, Greqia ruan gjerësinë e Detit të vet Territorial prej 6 miljesh detare deri sa distanca midis dy brigjeve arrin në masën e 12 milje [6 + 6]. Shqipëria detyrohet të rrudhë gradualisht gjerësinë e brezit të vet të Detit Territorial nga 12 miljesh detate në 6 milje deri në pikën ku, sikurse përmendëm, distanca midis pikave bazë nga dy brigjet e kundërta është 12 milje detare”, thotë Alibali.

Edhe pse Mistotaqis nuk ka prezantuar ende në platformë për bisedimet me Shqipërinë, arritja e një marrëveshje që do të perceptohej nga opinioni grek si ngushtim i sovranitetit detar, do të ishte gjëja e fundit që i duhet pas Marrëveshjes se Prespës.

Si një nga kundërshtarët më të mëdhenj të paktit të emrit me Maqedoninë e Veriut, ai nuk do të mund të nënshkruajë një marrëveshje me Shqipërinë që nuk do të merrte mbështetjen e opinionit në vend. Dhe në këto momente, arma më e mirë e Mitsotaqis për t’i bërë presion qeverisë shqiptare është minoriteti grek dhe bllokimin e negociatave të vendit tonë me BE.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë