Politike

Greqia gati për rinisjen e bisedimeve për detin, por pakti me Italinë qortohet nga Kotzias

Greqia e vlerëson marrëveshjen për ndarjen e detit me Italinë si historike, të suksesshme dhe model që duhet ndjekur edhe me vendet e tjera, duke filluar me Egjiptin dhe Shqipërinë.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias tha gjatë një interviste televizive se pas nënshkrimit të marrëveshjes me palën italiane, që ndan edhe Zonën Ekskluzive Ekonomike, Greqia është më e madhe.

Dendias shpreh keqardhjen për rrëzimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese shqiptare të paktit të 2009 dhe thotë se e ka lexuar arsyetimin e gjykatës dhe e pranon se marrëveshja është rrëzuar, ndryshe nga pretendimet e zyrtarëve të Demokracisë së Re, që në opozitë bënin thirrje që kjo marrëveshje ishte ende në fuqi për Greqinë.

“Do të fillojmë bisedimet me Shqipërinë. Patëm një marrëveshje në 2009, por që për fat të keq u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare në një vendim unanim. E kam lexuar vendimin dhe Greqia synon që brenda ligjeve të së drejtës ndërkombëtarë të gjejë dakordësinë me të gjithë fqinjët, përfshi edhe Turqinë”, deklaroi kryediplomati grek.

Megjithatë, rinisja e bisedimeve me palën shqiptare nuk parashikohet që të ndodhë në një kohë të shpejtë, pasi Dendias tha se përparësi do t’i jepet fillimisht gjetjes së një marrëveshjeje me Egjiptin, që sipas ekspertëve vlerësohet si mjaft strategjike për të përforcuar pozicionin e Greqisë përballë pretendimeve të Turqisë.

Një pakt i mundshëm me Kajron do t’i jepte Greqisë një argument shtesë për të kundërshtuar memorandumin turko-libian, me anë të të cilit Ankaraja zgjeron ujërat territoriale dhe zonën ekskluzive ekonomike deri pak kilometra nga brigjet e Kretës.

Mbetet e paqartë nëse pala greke do të rinisë bisedimet me Shqipërinë aty ku u la puna e arritur mes ish-ministrave të Jashtëm Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, apo Athina do të këmbëngulë për një marrëveshje të ngjashme me atë të 2009-ës.

Ajo që dihet është se gjatë kohës që ishin në opozitë, drejtuesit e partisë “Demokracia e Re”, përfshirë këtu edhe vetë Kryeministrin e sotëm të Greqisë, Qiriakos Mitsotaqis e kundërshtuan marrëveshjen dhe akuzonin qeverinë Aleksis Tsipras se po i falte Shqipërisë zonën ekskluzive ekonomike.
Në lidhje me marrëveshjen me Italinë ka reaguar kreu i Syrizas, Aleksis Tsipras. Ai e përshëndeti paktin, por tha se ishte e njëjta marrëveshje që kishte propozuar ai që në 2016-ën, gjatë kohës që ishte në pushtet.

Por, jo të gjithë janë të kënaqur nga kjo marrëveshje. Ish-ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias thotë se Greqia nuk zgjeron zonën ekonomike ekskluzive. “Në një marrëveshje duhet të japësh që të marrësh. Por, ministri i Jashtëm nuk e kupton diferencën, që në marrëveshjen e nënshkruar, Italia merr më shumë se ne”, deklaroi ai.

Kotzias mendon se me këtë marrëveshje, Italia shndërrohet në “aksionere” e zonës ekskluzive greke përmes Bashkimit Europian, ndërsa e kundërta nuk ndodh me Greqinë. Ai akuzon gjithashtu se qeveria e Demokracisë së Re ka pranuar kufizimin përkatësisht me 70 për qind dhe 30 për qind të shtrirjes në ujëra territoriale të ishujve të Diapontit dhe të ishujve Strofades.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë