Sociale

KiE, 600.000 euro për të luftuar bulizmin në Shqipëri

Në kuadër të ligjit i cili garanton të drejtën e fëmijëve për të mësuar në një mjedis pa dhunë dhe pa u diskriminuar, në Tiranë u organizua një tryezë e rrumbullakët e cila kishte përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe anëtarë të Këshillit të Europës, për të prezantuar udhërrëfyesin me politikat e drejtuara në parandalimin e ngacmimit në sistemin arsimor në Shqipëri.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte prezantimi i rekomandimeve të bazuara në udhëzuesin, i cili propozoi një sërë veprimesh për hartuesit e politikave të arsimit në Shqipëri me qëllim të nxitjes së mekanizmave efektiv kundër dhunës dhe për krijimin e mjedisit të sigurt dhe gjithëpërfshirës të mësimit në shkolla.
Që prej kësaj mbledhje, Këshilli i Evropës ndërtoi një projekt që do të ndihmojë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke zbatuar qasje ani-diskriminuese në sistemin formal të arsimit në Shqipëri, bazuar në standardet dhe praktikat e vetë Këshillit. Ky projekt aktualisht po zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe pritet të përfshijë edhe një grup më të gjerë të partnerëve dhe aktorëve kombëtarë duke përshirë politika arsimore, institute kërkimorë, shkolla jopublike, komunitete lokale, mediat dhe OJQ-të.

Tryeza e rrumbullakët me anëtarë të Këshillit të Europës dhe përfaqësues të lartë shqipëtar

Projekti i financuar nga Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe Projekti Horizontal për Ballkanin Perëndimor, do të vihet në zbatim nga Departamenti i Arsimit i Këshillit të Europës në Tiranë. Kohëzgjatja e projektit është 32 muaj dhe ka një buxhet 600.000 euro.
Objektivi i përgjithshëm i projektit është gjetja e mjeteve efektive për të luftuar ngacmimin dhe ekstremizmin në sistemin arsimor shqiptar, në përputhje me Standardet e Këshillit të Europës. Një ndër pikat kryesore është mbështetja e institucioneve arsimore për krijimin e një mjedisi të siguritë të të mësuarit përmes shmangies së ngacmimeve dhe ekstremizmit në arsim. Realizimi i këtij projekti do të kryhet nëpërmjet disa objektivave të cilat në fokus kanë shkollat fillore dhe të mesme. Aktualisht institucionet arsimore kanë filluar të krijojnë mekanizma për të ndaluar ngacmimin dhe për t’iu përgjigjur sfidës ideologjike të ekstremizmit.

Foto ilustruese

Nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm duhet të përjetojnë një atmosferë të sigurt dhe mbështetëse mësimore. Vlerat morale të përfshirjes dhe respektit do të mësohen si pjesë e kulturës së shkollës.
Pika tjetër e rëndësishme në këtë projekt është gjithashtu dhe përmirësimi i mësuesve nëpër shkolla, duke investuar më anë të trajnimeve të ndryshme mbi njohuritë e tyre. Trajnimet e ndryshme do të zhvillohen në baze të të dhënave studimore dhe angazhimit të mësuesve për t’u marrë me fenomenin e ngacmimeve.
Gjithashtu, profesionistët e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit duhet të jenë të vetëdijshëm për çdo situatë që ndodh nëpër shkolla dhe të menaxhojë mësuesit, me anë të organizimeve të sesioneve trajnuese, tryezave të rrumbullakëta, seminareve, konferencave dhe aktiviteteve të vazhdueshme ndërgjegjësuese.
Pika e tretë, por jo më pak e rëndësishme, është ndërgjegjësimi i të gjithë qytetarëve për këtë fenomen, si ndikon te fëmijët, cilat janë pasojat dhe si duhet që të gjithë të përpiqemi për ta parandaluar.
Ky projekt është i vlefshëm për të gjitha shkollat në Shqipëri dhe pretendohet që të shërbejë për të gjitha brezat që do të vijojnë në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë