Suadela Balliu - I pashmi Qiparis, i parapëlqyer i Apollos, padashur vrau një dre të butë. Vajtimi dhe pendesa e tij ishin aq të pangushëllueshme sa kërkoi të vajtonte përjetësisht, duke u shndërruar kështu në një qiparis. Kështu shkruante Ovidi, në kohët e perandorisë romake dhe, për shekuj, Cupressus sempervirens, qiparisi i gjatë dhe i gjelbëruar në të gjithë kohët, me kurorën si kon që i afrohet qiellit ka qenë simbol i vajtimit... Një simbol që arkitekti Gjon Radovani e risolli më 23 gusht, në ditën që përkujtonte viktimat e sistemeve totalitare.
Në Tepelenë, në kampin famëkeq të internimit nisën të mbillen treqind qiparisa në përkujtim të treqind shpirtrave të fëmijëve që nuk i mbijetuan dot tmerreve të atij kampi. “Por nuk do të jetë vetëm një pyll qiparisash”, rrëfen arkitekti, “por edhe “platformë meditimi dhe paqeje”.Të parët fidanë u mbollën në Ditën Muze-Memorial, organizuar në ish-kampin, izoluar mes maleve, nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, Harabel dhe MEMO e që ka nisur të marrë formën e një muzeu. Gjatë asaj dite u zhvilluan një sërë aktivitetesh shkencore dhe artistike, ku siç rrëfen Radovani MEMO realizoi tre syresh; “Sikur Mama”, ideuar dhe vënë në jetë nga aktorja Ema Andrea, “Shtrati-Dhomë”, ku sipas skicave të një të ish-internuari aty, Lekë Previzit, u rindërtua shtrati në të cilin flinin dhjetëra njerëz, si edhe projekti “I përkasim njëri-tjetrit”.
“Projekti i memorialit të fëmijëve të vdekur në këtë kamp është bërë nga unë që para një viti dhe, në këtë projekt, MEMO dha një ndihmë të paçmuar për organizimin e ngritjes së fondeve për blerjen e 300 qiparisave që parashikon ky memorial.” – rrëfen Radovani, i cili është edhe drejtues i bordit të Qendrës “MEMO”, një nismë intelektualësh dhe artistësh që synojnë një ballafaqim, të vonuar në shoqërinë shqiptare, me të shkuarën duke vënë në qendër të vërtetën, përmes kredos se ajo dhe vetëm ajo mund të na bëjë të lirë. Projekti i memorialit – pyll vetëm sa ka nisur, sqaron më tej arkitekti, ndërsa kushdo është i ftuar për të ndihmuar në ndërtimin e plotë të tij, duke dhuruar një shumë simbolike për blerjen e një qiparisi.
Ishin treqind të mitur që ndërruan jetë në kampin e Tepelenës, kryesisht nga uria dhe keqtrajtimi çnjerëzor që u bëhej të deportuarve, që regjimi i kohës, i cili në mënyrë ironike cilësohej edhe si Pushtet Popullor, i pa si armiq. Të vegjlit ishin bij të baballarëve, nipër të gjyshërve apo të afërm të njerëzve që pushteti i dënoi. I njëjti fat u rezervua edhe për ta, të cilët nuk e panë kurrë më as vendlindjen, as lirinë. Nuk kanë varr ata treqind të vegjël, shumë edhe foshnja, varroseshin buzë lumit, ndërsa rrjedha i merrte me vete duke i fshirë gjurmët se aty gjendej një qenie njerëzore e po ashtu edhe mizoritë e programuara të shtetit të ri, që po e ngrinte pushtetin me grushtin e terrorit dhe eksperimenteve njerëzore, të cilat diku tjetër, më në perëndim të Europës po dënoheshin së bashku me përgjegjësit.
“Kazermat dhe ndërtesat e kompleksit “rrethojnë” një oborr pothuajse katror.”, shpjegon arkitekti, i cili instalacionin e tij e ka propozuar pikërisht në mesin e tij. Zgjedhja e qiparisave, siç vijon më tej, ishte për të larguar çdo lloj patetike apo eksklamacion që nuk sjell ndonjë dobi në përcjelljen e historisë apo dëshmive të dhunës dhe dhimbjes njerëzore.Gjelbërojnë gjatë gjithë vitit, kanë një lidhje të dallueshme me qiellin, për shtatin e të lartë dhe eleganca që shfaqin në ndërtimin e tyre e bën më të prekshme portretizimin e brishtësisë së fëmijëve. Në qendrën e oborrit, formohet një tjetër katror, prej qiparisave të mbjellë dhe “vihen në rreshta duke ngushtuar katrorin e jashtëm, për t’u ndalur pas gjashtë rreshtave dhe për të krijuar një katror të brendshëm vakuumi shpirtëror dhe hapësinor”. Ky shesh i vogël do të njihet edhe sisheshi i qetësisë, i meditimit, i përpunimit të dhimbjes dhe të brutalitetit njerëzor dhe do jetë i shtruar nga një pllakë graniti me ngjyrë antracit, në të cilin do të gdhenden, një nga një emrat e fëmijëve të zhdukur.
“Forma bazë e zgjedhur për ndërtimin e memorialit është një formë qëllimisht ortogonale - rrjedhojë e sistemit kartezian-, forma bazë e krijuar nga gjenia e mendjes njerëzore. Vetëm një formë thellësisht njerëzore do të ishte e përshtatshme për të përshkruar ferrin njerëzor, në antagonizëm me formën rrethore të ferrit dantesk.” –vijon Radovani, ndërsa shton se katrorët e qiparisave që brendashkruajnë njëri-tjetrin janë gjashtë, sepse i shtati mungon. “I shtati shërben për të krijuar vakuumin e sheshit të meditimin.”- zbulon ai, ndërsa ideja që i ka çuar aty ka simbolikë të fortë biblike. “Është pikërisht dita e shtatë e krijimit, misioni i ditës së shtatë të javës, që këtyre viktimave-foshnje të pafajshme u është hequr nga dhuna njerëzore.” Për paradoks , por dhe për besim në të mirën e njerëzimit, ajo që u është privuar viktimave, krijon edhe shpresën e një bote më të mirë, më të ndërgjegjshme dhe më në respekt të dinjitetit të njeriut, beson Radovani.
Instalacioni largohet edhe prej kapanoneve rrethues, qëllimshëm, specifikon arkitekti. “Nga njëra anë, për të “përbuzur” dhunën e përdorur në këto struktura djallëzore dhe, nga ana tjetër, për të mos ndërhyrë në emocionet e vizitorëve që vëzhgojnë artefaktet e ekspozuara në këta kapanonë.” Për të arritur në këtë shesh nuk ka një rrugë të shënuar. I vetmi shteg është përmes këtij “pylli” qiparisash. “Vizitorët duhet të ndjejnë praninë e qiparisave tek shkojnë në shesh, ata duhet të “miqësohen” me përfaqësuesit e viktimave për të arritur në platformën e qetësisë.”
Në këtë platformë kujtimi dhe meditimi, humbet edhe kontakti pamor me kazermat rrethuese të kampit. Vetëm aty qetësia shpirtërore mund të shpaloset e mbrojtur nga ambienti rrethues, nga dielli përvëlues nga pamja e trishtë e makinerisë së shkatërrimit të dinjitetit njerëzor. Në këtë shesh të rrethuar nga qiparisat ato mund të shohin vetëm emrat e të zhdukurve dhe qiellin, për të ndier shpirtërisht dhe përpunuar historinë e dhimbshme të këtij kampi shfarosjeje.Për të hyrë në atë kamp, risollën mjetin e transportit të asokohshëm; një kamion “Zis” që i mbajti për dy kilometra pjesëmarrësit në rimorkion e hapur të tij, ndërsa zëri i Mariza Ikonomit, që këndonte një prej këngëve që pëshpëritnin nënat që shtrëngonin në gji fëmijët, si për t’ua fshehur prej syve të pafajshëm pamjet e tmerrit, i drithëroi dhe përloti të gjithë...
Kur e keni vizituar së pari kampin e Tepelenës?
E kam vizituar para dy vitesh, pasi kryetarja e AIDSSH-së me kërkoi ndihmë për të projektuar memorialin dhe muzeun. Vizita dhe përfshirja emocionale, në lokacionin e projektit, për mua si arkitekt është një proces i vazhdueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Vetëm pas vizitës dhe përfshirjes emocionale nga hapësira, mund të arrihet në një konkluzion të saktë mbi format e volumeve të ardhshme hapësinore. Unë kam vizituar edhe më përpara me dhjetëra komplekse dhe hapësira të tjera të së njëjtës natyrë nëpër botë, në të cilat edhe kam marrë pjesë, në projektim. Kampi në Tepelenë, në këtë kontekst nuk bën ndryshim. Natyrisht duhet të kesh lexuar përpara mbi historinë e tij, duhet të kesh bërë kërkimet dhe patjetër duhet të kesh aftësitë e domosdoshme imagjinuese, që janë kusht në profesionin tonë.
Çfarë ndjetë dhe menduat kur shkelët aty?
Ndjenja e parë që të pushton, është ajo e dhunës ekstreme ndaj dinjitetit njerëzor. Dendësia e njerëzve në ato kazerma ka qenë më se e frikshme. Gra, burra, fëmijë, pleq e plaka, të hedhur së bashku në një sipërfaqe skajshmërisht të vogël, në mungesë të kushteve minimale të jetesës për vite me radhë është e paimagjinueshme edhe për njerëz me aftësi imagjinuese ekstreme. Ndjenja e dytë që më pushtoi ishte dëshira dhe frymëzimi për të transmetuar këto emocione te vizituesit e ardhshëm të muzeut, për të transkriptuar atë gjendje emocionale të viteve të kampit të internimit, tek brezat e rinj, duke qenë nga njëra anë objektiv në narracion dhe nga ana tjetër duke transmetuar ngadhënjimin e paqes dhe dashurisë mbi dhunën dhe terrorin, pa rrezikuar të “japësh leksion” dhe të bëhesh moralist i mërzitshëm.
A mendoni se, aktivitete të tilla, megjithëse rikthejnë dhimbje të mëdha dhe çmendurinë e një sistemi, e arrijnë synimin për të shkundur shoqërinë, jo vetëm të bëhet empatike, por edhe të kujtojë se çfarë i sjellin njerëzimit dhe vlerave, sistemet autokratike?
Aktivitete të tilla janë të domosdoshme për të hapur ose për të rihapur një diskutim mbarëkombëtar mbi temën e dhunës së sistemit diktatorial, nën të cilin ka vuajtur shoqëria shqiptare, por edhe për të ndërgjegjësuar shoqërinë mbi rreziqet permanente të sindromave dhe sistemeve autokratike. Në këtë rast empatia në dhimbje, edhe nëse do të arrihej, është tepër e vonuar, sepse shumica e të mbijetuarve nga këto kampe tmerri kanë ndërruar jetë për arsye natyrore. Një sjellje empatike e shoqërisë shqiptare ndaj dhimbjes së të dënuarve padrejtësisht nga sistemi diktatorial mund të kishte dhenë ndonjë efekt pozitiv në vitet ’90, gjë që mjerisht nuk ka ndodhur. Kjo temë është trajtuar djallëzisht dhe ka dalë në rend të ditës vetëm për arsye elektorale, të grupimeve parapolitike.
Mendoni se po flitet sa duhet? Çfarë duhet bërë më shumë sipas jush dhe ku hyn në këtë hendek nisma MEMO? Në cilat projekte të tjerë jeni përfshirë përpara muzeut të Tepelenës?
Në tre muajt e aktivitetit të MEMO-s, reaksioni i shoqërisë shqiptare është mjaft i madh. Me qindra qytetarë të të gjitha kategorive shoqërore kanë kërkuar të bëhen pjesë. Suksesi fillestar, që edhe ne si themelues, na befasoi pozitivisht, ishte projekti “I përkasim njeri tjetrit“, në të cilin histori të vërteta të viktimave, tregohen në vetë të parë nga personazhe VIP, që nuk kanë asnjë lidhje me viktimën. Në serinë e dytë të këtij projekti do të përfshihen edhe qytetare të zakonshëm, të cilët në numër shume te madh kane kërkuar të bëhen protagonistët e një historie të vërtetë, të padëgjuar.
Më pas, vijuam me projektet me rastin e ngjarjes së 23 gushtit dhe për momentin kemi në përpunim një plan punë shumë të detajuar për pesë vitet e ardhshëm, të cilin më lejoni të mos e shpall tani, sepse kemi edhe disa detaje dhe sqarime të vogla në përpunim e sipër. Unë personalisht, si projektues, jam marre dhe vazhdoj të merrem me tema të ngjashme, objekte muzeale, memorialë, objekte sakrale, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj.
Çfarë ju shtyu ta krijonit këta qendër dhe të përfshiheni në debatin e madh – shumë të anashkaluar e lënë në harresë – me krimet e së shkuarës?
Së pari më shtyu thirrja e brendshme për të mos lënë të bëhen gabime qesharake, siç mjerisht bëhen rëndom në Shqipëri, me atë që këtu e quajnë arkitekturë. Të paktën në këto tema mendoj se diletantët me diploma dhe hobby-istët e gjithollogjisë duhet të kenë pak respekt dhe të qëndrojnë larg. Shembuj të arrogancës së injorancës, edhe duke shkelur me këmbë historinë e viktimave apo të heronjve gjenden në çdo cep të këtij vendi. Patetizmi i shfrenuar, mungesa e ndjeshmërisë, paaftësia totale e mendimit racional dhe artistik jo komercial, pothuajse të kudogjendshëm në objekte të së njëjtës natyrë në Shqipëri, shndërrojnë në një skenë groteske dhe krijojnë një efekt kundërproduktiv për çdo vizitues.
Personalisht keni pasur një histori persekutimi nga regjimi, të të afërmeve apo të njohurve?
Personalisht, kam pasur mbi supe një histori të konsiderueshme persekutimi. Kjo nga të gjitha krahët e familjes sime; prej babait, i cili ishte profesor statistike, në universitetin e Romës dhe vendosi të kthehej pas luftës në Shqipëri për të punuar për vendin e vet, ndërsa nga nëna, sepse vinte nga një prej familjeve më të pasura të vendit, pasuria e të cilëve duhej të grabitej i gjithi, nga sistemi diktatorial. Gjithsesi, besoj se profesionalisht jam në gjendje të shkëpus për aq sa duhet veten, duke e konsideruar veprën me objektivitet dhe me distancë. Siç e përmenda, këto vepra janë me shumë vonesë, prandaj nuk i sjellin asgjë të persekutuarve të sistemit. Këto i sjellin shumë shoqërisë aktuale dhe veçanërisht asaj të ardhmeje, që shpresoj se do të jetë më dinjitoze, në raport me veten dhe me shoqëritë e tjera.
A mendoni se pa bërë paqe me krimet e së shkuarës, shoqëria nuk mundet të shkojë përpara?
Jam i sigurt se përpunimi i së kaluarës, e mirë apo e keqe qoftë, është një domosdoshmëri për ecurinë përpara të një kombi. Sjellja e deritanishme e kësaj shoqërie, që harron menjëherë atë çfarë ka ndodhur një dite para, është garanci e sigurt për të dështuar në çdo hap dhe në çdo nismë. Si fillim harrohen krimet e diktaturës, pastaj harrohen krimet e uzurpimit të shtetit nga elemente banditeskë, pastaj harrohen krimet e shkatërrimit të pronës shtetërore dhe private, pastaj harrohen krimet e korrupsionit, ato të ndërtimit të modeleve të gabuara të zhvillimit, ato të falsifikimit të diplomave të dijes, ato të anti-meritokracisë, etj., etj., etj., dhe në fund përfundon që edhe nëse ke dëshirën e mirë për të zhvilluar vendin, ke arritur të bësh vetëm një vrimë në ujë, sepse fondamenti i principeve të drejtësisë, moralitetit dhe shtetit është rrëzuar.
A besoni në kredon se “e vërteta do të na bëjë të lirë” ? Duke qenë se nisma juaj ka për qëllim ballafaqimin me të shkuarën dhe vendosjen në qendër të së vërtetës...
Besoj dhe jam i bindur në këtë kredo. Një ndër instrumentet më diabolikë dhe të dëmshëm në zhvillimin e Shqipërisë pas rënies se sistemit diktatorial, ka qenë mos hapja e dosjeve të bashkëpunëtoreve të Sigurimit të Shtetit. Ndërkohë që të gjithë vendet e bllokut të Europës Lindore u morën menjëherë pas rënies së sistemeve me përpunimin e këtyre dosjeve, në Shqipëri këto dosje nuk u hapen kurrë. Ato u përdoren për tri dekada për t’u pastruar, zhdukur dhe për t’i bërë shantazhe personave të përfshirë, duke i kthyer ata, edhe në sistemin post-diktatorial, në shërbëtorë të poseduesve ilegalë të këtyre dosjeve. Këta persona që me hir, ose me pahir, i kanë shërbyer sistemit të kaluar, në këtë mënyrë as pas rënies së sistemit nuk e gjetën kurrë lirinë. Po të ishin ballafaquar me të vërtetën, gjë që shumë pak e kanë bërë, ata do të jetonin më të qetë dhe shoqëria shqiptare do të ishte më e mirë. Kështu siç është, për momentin, një gënjeshtër mbulon të kaluarën dhe vargu i antivlerave dhe i kompleksitetit të problemit shtohet në pafundësi.
Historitë e atyre që humbën jetët, ata që u internuan dhe u dënuan gjatë 50 viteve diktaturë, i keni ndjekur nga afër, përmes përfshirjes suaj. Çfarë ngjall në shpirtin njerëzor dëgjimi i rrëfimeve të mizorive të kryera nga njëra anë e të pësuara nga ana tjetër?
Unë i ndjek pjesërisht intervistat e të mbijetuarve në rolin e këshilltarit dhe koordinatorit të programit të PNUD-it “Kujtesa për të shëruar dhe parandaluar”, por edhe në kuadrin e drejtuesit të bordit të qendrës MEMO. Eksperienca të tilla janë të vështira, të rënda dhe emocionalisht të konsiderueshme. Tentativa për t’u mbrojtur nga distanca dhe ftohtësia profesionale nuk arrihet gjithmonë, për pasojë është aktivitet që të kushton shumë energji shpirtërore. Shpesh ndodh që për një moment, nuk di se kush më dhimbset, viktima apo persekutori, sepse kur sheh dhe dëgjon klasën, nivelin, dinjitetin e shumë viktimave, që sot po i afrohen fundit të jetës, bindesh se klasa dhe niveli shoqëror nuk blihet dhe shitet më si në markatë, ajo mund të trashëgohet dhe mund të formohet gjeneratë pas gjenerate, nëse e vërteta dhe e drejta bëhen aksioma të padiskutueshme dhe të paprekshme nga subjektet.
A mjaftojnë nisma të tilla si përkujtime apo ndërtimi i muzeve apo duhet të ballafaqohemi duke nxjerrë fajtorët, persekutorët e atyre krimeve?
Nisma të tilla si muzealizimi i historisë nuk janë aspak të mjaftueshme për të krijuar shoqëri integre dhe shtet modern. Nxjerrja e fajtoreve, persekutoreve, dëmtuesve të kodit moral e shoqëror të shoqërisë shqiptare është një hap i domosdoshëm edhe pse si fajtorët, ashtu edhe viktimat po i afrohen kohës së vdekjes natyrale. Përpunimi i kuadrit ligjor në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut në diktaturë, etj., mbesin elementë që duhet të përpunohen seriozisht, nëse ky vend do të hyjë një ditë në Europën e Bashkuar.
Sa vonë është shoqëria shqiptare të “lajë hesapet” me të shkuarën apo t’i lërë të shkojnë në paqe të gjithë ta shpirtra të vuajtur?
Këto nisma duhet të ishin bërë që në vitet ‘90. Arsyen përse ato nuk janë bërë, më duket e shpjegova pak me lart. Këtu nuk bëhet fjalë aspak për “larje hesapesh”. Këtu bëhet fjalë për tentativën për të krijuar një qasje të ndershme të shoqërisë shqiptare me të djeshmen e saj. Bëhet fjalë për tentativën për krijimin e një bazamenti solid për të ndërtuar të ardhmen. Besoj se shumë nga “shpirtrat e vuajtur” janë shumë krenarë sikur do të mund t’i jepnin një shërbim të fundit mëmëdheut të tyre me dëshmitë, me dinjitetin dhe me shembullin e tyre. Këto janë shembujt, që duhet të ketë shoqëria e një populli me prosperitet. Vuajtjet dhe padrejtësitë jo gjithmonë të shkatërrojnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.