Politike

“Kadastra” nxeh debatin. A po tentohet grabitja me ligj e pronës?

Bledar Hoti-Dekreti i Presidentit për rishikimin e ligjit për “Kadastrën” është pranuar nga Partia Socialiste. Mazhoranca e majtë ka pranuar kërkesën për rishikimin e ligjit të Kadastrës, duke ndryshuar 22 nene.
Në votimin për pranimin e dekretit të Presidentit votuan pro edhe deputetët e opozitës të PD-së dhe të LSI-së, duke mos marrë asnjë votë kundër apo abstenim.
Këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj paraqiti arsyet se pse u kthye për rishqyrtim një ligj i tillë. Sipas tij, ligji cenon parimin e sigurisë juridike dhe se titujt e pronësisë nuk mund të jenë e drejtë e Kadastrës. “Krijohet tension kushtetues, nuk janë në përputhje me jurisprudencën. Bie ndesh me dispozitat civile të Kodit Civil. Ligji cenon parimin e sigurisë juridike që ofronte ligji i mëparshëm. Saktësimi i titujve të pronësisë nuk mund të jetë e drejtë e Kadastrës. Mund të korrigjojë vendimet e ALUIZNIT, por kurrsesi ato të komisionit të kthimit të pronave”, tha Dervishaj.

Partia Demokratike nëpërmjet deputetit të saj Oerd Bylykbashi e cilësoi si skandaloz ligjin, duke akuzuar se me këtë nismë Qeveria ka marrë përsipër që të grabisë pronën e shqiptarëve.
“I jepni të drejtën institucionit të hyjë në drejtën e pronësisë, ta marrë e ta grisë titullin e pronësisë të fituar në vitin 1997 apo më herët, pra keni krijuar një ALUIZNI tjetër, është ky institucion që vendos se kur është i saktë një titull i tillë. Në babëzinë tuaj shkoni edhe më tej, ku lejohet saktësimi i vetë titujve të pronësisë kur konstatohet mos përputhje shkoni më larg e bëni gropë. Vjen dhe vë metrin ALUIZNI i ri dhe bën titullin e pronësisë, më rroftë letra që kam në shtëpi. Pra jeni gati të rishpronësoni. Po i jepni mundësi këtij institucioni që të rishikoni të drejtën e pronësisë dhe të cenoni të drejtën e pronësisë. Gjë që më të rrezikshme se për çështjen e pronësisë nuk ka”, deklaroi Bylykbashi.
Deputeti demokrat paralajmëroi dhe dërgimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese, duke nënkuptuar se me plotësimin me anëtarë të këtij institucioni do të jetë objekt i shqyrtimit në të ardhmen, pasi cenohet parimi i shtetit të së drejtës.

Faksimile e ligjit "Per Kadastrën"


Bylykbashi gjithashtu ka kërkuar që mazhoranca të hartojë një ligj të ri në lidhje me këtë proces, pasi me pranimin e dekretit të Presidentit Meta ai cilësohet automatikisht i vdekur i rënë. Sipas tij kryetari i Kuvendit duhet t’ia çojë sërish nismëtarëve, pra qeverisë për rishikim
Deputeti i PS-së, Bashkim Fino akuzoi opozitën se po përdor politikisht kreun e shtetit. “Presidenti është i të gjithëve. Ju po e përdorni politikisht një president që është i të gjithë shqiptarëve. Ju shqetësoheni kot edhe për Presidentin. Nëse pranojmë dhe themi se pranojmë dekretin dhe mund të bëjmë disa rregullime, nuk ka asgjë të keqe. Do jetë po prapë presidenti që do gjykojë mbi ndryshimet e bëra. Nuk dua të bej replika personale për pronat. Ne bëjmë ligj për qytetarët dhe nuk dua të bie preh e replikave politike”, deklaroi Fino.


Deputetja e LSI-së, Silva Caka tha se nuk kanë njoftim për ndryshimet në ligj dhe kërkuan kohë, pasi janë 22 amendime që realizohen, çka i bie 30% e draftit. “Nuk kemi dijeni për ndryshimet që propozohen të bëhen në ligj”, u shpreh ajo.
Por maxhoranca e ka quajtur tekë të opozitës, duke lënë vetëm 30 minuta kohë. “Pas pranimit të dekretit, relatorët kanë bërë propozime konkrete për nene të caktuara. Kjo çështje është e mbyllur sipas Rregullores”, tha kreu i komisionit të ligjeve Ulsi Manja. “Kjo është kërkesë tekanjoze për të njohur ndryshimet e propozuara. Megjithatë jam gati t’u japim 30 minuta të lexojnë ndryshimet”, tha Fino.
Por opozita nuk ka pranuar dhe deputetët e PD dhe Silva Caka e LSI-së janë larguar nga komisioni. Nga opozita ka qëndruar vetëm Nasip Naço i LSI-së. Në përfundim, 11 deputetët e PS miratojnë në tërësi në komisionin e ligjeve ndryshimet në ligjin “Për Kadastrën”.

Arsyet se pse e ktheu Meta
Presidenti Meta ktheu mbrapsht më 15 janar ligjin “Për Kadastrën” i votuar në seancën e 20 dhjetorit të vitit të shkuar në Parlament, duke paraqitur disa argumente për rishikimin e disa neneve të ligjit.
Së pari, nenet 6 pika 1, 13 pika 6, 22 pika 2, të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, bien ndesh me legjislacionin bazë të së drejtës civile në Republikën e Shqipërisë. Kalimi i regjistrave të pasurive të paluajtshme në varësi të Kryeministrit për Presidentit bie ndesh me nenin 198 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë citohet shprehimisht se: “Ministria e Drejtësisë administron veprimtarinë e regjistrit publik për pasuritë e paluajtshme. Kushtet, mënyra e regjistrimit dhe e organizimit, si dhe çdo procedurë që ka lidhje me këtë veprimtari, rregullohet me ligj të veçantë”.
E gjithë varësia administrative hierarkike kalon nën përgjegjësinë e Kryeministrit, dhe në këtë mënyrë dispozitat e nenit 6 pika 1, nenit 13 pika 6, nenit 22 pika 2, të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën” bien ndesh në mënyrë flagrante me parashikimet e nenit 198 të Kodit Civil.
Nga shqyrtimi i përmbajtjes së ligjit nr.111/2018 “Për Kadastrën”, Presidenti ka konstatuar se ky ligj nuk ofron mjetet e plota ligjore në mënyrë që individi të krijojë sigurinë që informacioni që do të marrë nga regjistri i pasurive të paluajtshme është i garantuar dhe në rast të dëmit që mund ti vijë nga dhënia apo një veprimi të gabuar të AKSH ekziston zgjidhja ligjore në këtë drejtim. Në këtë ligj janë miratuar vetëm këto dispozita që sipërfaqësisht trajtojnë dhënien e sigurisë ligjore, duke mos u bazuar te vendimet e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje.

Faksimile e dekretit të Presidentit Meta


Cilësia e këtyre parashikime ligjore që gjenden në legjislacionin ekzistues (ligji nr. 33/2012), mungojnë në ligjin e ri të sapo miratuar nga Kuvendi nr. 111/2018 “Për kadastrën”, duke krijuar kështu një përkeqësim të trajtimit ligjor të shoqërisë.
“Ky boshllëk ligjor cenon parimin e sigurisë juridike jo vetëm për sa i takon mbrojtjes së interesit publik, por njëkohësisht edhe përkundrejt cenimit të standardit kushtetues të të drejtave të fituara nga shtetasit. Referuar juriprudencës kushtetuese të sipërcituar Kuvendi me miratimin e ligjit të ri nr. 111/2018, duhet të kishte përmirësuar nivelin e garancive që ofronte ligji i mëparshëm, dhe jo të cedonte nga standardet e mëparshme që qytetarët i gëzojnë prej vitit 2012”, thekson Presidenti në argumentet e tij.
Referuar jurisprudencës të Gjykatës Kushtetuese, ligji nr. 111/2018 “Për Kadastrën”, cenon parimin e sigurisë juridike në aspekt të cenimit të standardit kushtetues të të drejtave të fituara me ligjin nr. 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, ligj ky që shfuqizohet me ligjin e ri. Kjo shihej në nenin 37/b të ligjit. Në këtë nen parashikohet shprehimisht se: “Përmirësimi zbatohet në dy nivele, që janë: a) Saktësimi dhe korrigjimi i hartës kadastrale, në raport me titujt e pronësisë dhe gjendjen faktike të pasurive. b) Saktësimi i vetë titujve të pronësisë kur konstatohen parregullsi në përmbajtje të tyre ose mospërputhje me gjendjen faktike. Për këtë qëllim, drejtoria vendore korrigjon gabimet materiale dhe pasaktësitë e tjera në dokumentacionin e titujve të pronësisë, të krijuara nga organet shtetërore përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Gjithashtu me këtë ligj krijojnë rrezik për cenimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale që administrohen në regjistrin publik dixhital të pasurive të paluajtshme.

Ligji për kadastrën
Ligji i ri për Kadastrën i paraqitur nga ana e Qeverisë parashikon shkrirjen e tre institucioneve të ALUIZNI-t, Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipotekës) dhe Agjencinë e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike (AITPP) në një të vetëm. Gjithashtu ky super institucion nuk është më në varësi të ministrisë së Drejtësisë, por të kryeministrit.
Unifikimi i procesit të legalizimit me dhënien e titujve të pronësisë është një nga arsyet e këtij ndryshimi. Kadastra ka një drejtor të përgjithshëm, si dhe një bord anëtarësh prej 7 anëtarësh.
Në këtë ligj i jepet mundësia e rishikimit të titujve të pronësive të dhëna ndër vite, duke kërkuar që të realizohet një saktësim i pronës. Gjithashtu parashikohet ngritja e një “gjykate” brenda Kadastrës, e cila do të shqyrtojë të gjitha pretendimet që kanë pronarët. Ndërsa një tjetër projektligj ka mbetur pezull “Për vlerësimin kalimtar i titujve të pronësisë”, i cili është i ndërvarur me mënyrën e funksionimit të Agjencisë së re të Kadastrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë