Bota

SHBA-Iran, marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, Trump: Hormuzi do rihapet

SHBA-ja dhe Irani kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit mes palëve, ndërsa dokumenti përfundimtar pritet të nënshkruhet të premten në Zvicër. Lajmi është bërë i ditur nga Pakistani, i cili ka ndërmjetësuar negociatat mes dy vendeve.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një nga pikat kryesore të marrëveshjes është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës. Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi: “Lëreni naftën të rrjedhë!”, ndërsa tregjet reaguan menjëherë me rënie të çmimeve të naftës.

Në Teheran, zëvendësministri i Jashtëm konfirmoi në televizionin shtetëror se është arritur një marrëveshje, ndërsa komanda e lartë ushtarake iraniane e përshëndeti zhvillimin si një fitore për Republikën Islamike.

Megjithëse teksti i plotë i marrëveshjes ende nuk është bërë publik, sipas informacioneve paraprake fokusi kryesor është zgjatja e armëpushimit të arritur më 8 prill. Marrëveshja parashikon edhe 60 ditë të tjera pa armiqësi, gjatë të cilave SHBA-ja dhe Irani do të angazhohen në negociata për një zgjidhje më afatgjatë.

Pakistani deklaroi gjithashtu se me hyrjen në fuqi të marrëveshjes do të ndalen “operacionet ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”. Deri më tani, Izraeli nuk ka bërë asnjë koment zyrtar lidhur me njoftimin.

Konflikti nisi më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme në territorin iranian. Në përgjigje, Irani kreu sulme ndaj Izraelit dhe shteteve aleate të SHBA-së në rajonin e Gjirit Persik, duke përshkallëzuar tensionet në Lindjen e Mesme dhe duke rritur shqetësimet për sigurinë energjetike globale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë