Ushtria amerikane ka vrarë udhëheqësin e dyshuar të bandës me bazë në Venezuelë, Tren de Aragua.
Kështu ka deklaruar presidenti Donald Trump.
Sipas tij, Komanda Jugore e SHBA-ve (U.S. Southern Command) ka kryer një “sulm të shpejtë dhe vdekjeprurës kinetik”, me qëllim eliminimin e Hector Rusthenford Guerrero Flores, i njohur edhe me nofkën Nino Guerrero (Luftëtari i vogël). Operacioni, sipas presidentit amerikan, është kryer në mënyrë të koordinuar ngushtë me autoritetet venezueliane.
Trump shkroi në rrjetin Truth Social se misioni kishte si objektiv “ekzekutimin me sukses” të një prej figurave më të kërkuara të krimit të organizuar në Amerikën Latine.
Nga ana tjetër, edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shkroi në platformën X se sulmi është kryer më herët gjatë javës në një kompleks të lidhur me Tren de Aragua në territorin e Venezuelës.
Ministria e Komunikimit në Venezuelë konfirmoi gjithashtu se Guerrero Flores është vrarë gjatë një “operacioni të përbashkët” mes forcave amerikane dhe shërbimeve të sigurisë venezueliane, i fokusuar në goditjen e krimit të organizuar në shtetin Bolívar.
Në postimin e tij, Trump publikoi edhe një video ku shihet një predhë që godet një ndërtesë, e cila më pas shpërthen në flakë. Ai e shoqëroi mesazhin me një deklaratë të fortë kundër bandës:
Tren de Aragua nuk ka më strehë të sigurt në Venezuelë apo kudo tjetër. Nën udhëheqjen time, ne do t’i gjejmë këta vrasës dhe trafikantë droge kudo, në çdo kohë, dhe do t’i dërgojmë në ferrin që meritojnë.
Flores, 43 vjeç, ishte paditur në fund të vitit të kaluar nga një gjykatë federale në Neë York për akuza që përfshinin: krijimin e një organizate kriminale, komplot për mbështetje materiale të terrorizmit dhe trafik kokaine. Departamenti amerikan i Shtetit kishte ofruar deri në 5 milionë dollarë shpërblim për informacion që çonte në kapjen e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje