Biznes

Jaka: Sistemi i ri i deklarimit të mos jetë thjesht ndërrim kasash fiskale

Megjithëse asgjë nuk është zbardhur deri tani nga qeveria se si do të funksionojë sistemi i ri i fiskalizimit dhe kostot që e ndjekin procesin e ndryshimit, Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, duke parashikuar se procesi do të kërkojë një faturë financiare të konsiderueshme, uron të mos jetë thjesht ndërrim kasash fiskale.

Nikolin Jaka

“Vetë drafti ligjor ngre shumë pikëpyetje për mënyrën se si do të funksionojë.
A është gati biznesi për këtë hap? Cilat do të jenë kostot reale? A mundet biznesi i vogël ta përballojë këtë dhe këtu kam parasysh që pjesa më e madhe e sipërmarrjes është biznes i vogël. A do të mund të ngrihet një infrastrukturë digjitale në të gjithë vendin? Janë pyetje që ngrihen në këtë hap të parë të propozimit të bërë nga Ministria.
Akoma nuk mund të flitet për kosto pasi ato nuk janë të qartësuara, por shpresojmë të mos jetë thjesht një ndërrim kasash.”- thotë Jaka për Gazeta “Si”.
Sipas tij, ky proces kërkon një kohë përshtatjeje dhe trajnimi për biznesin, ndaj, shton ai, “duhet realizuar hap pas hapi dhe të bëhet në një kohë dhe kushte favorizuese për ta. E theksoj që duhet një fazë konsultimi me sipërmarrjen në mënyrë që të mos kalohet në gabime të përsëritura dhe të mos kthehet në një kosto shtesë për ne”.

Por njëkohësisht ai gjykon se, me draftin ligjor në përgjithësi shënohet një hap pozitiv “dhe mendoj që do ta bënte më të lehtë përfshirjen e të gjithë biznesit në këtë sistem të ri fiskal”. Por për Jakën, duhet parë me kujdes dhe në përshtatje me specifikat e vendit tonë, pasi për këtë duhet ngritur një infrastrukturë e tërë. Në parim thotë kreu i Dhomës së Tregtisë, kjo tingëllon ok, pasi do të luftojë informalitetin, por janë dhe do krijohen disa vështirësi reale në praktikë për zbatimin e tij, prandaj duhen dëgjuar propozimet e biznesit.

Ministrija e Financave pak ditë më parë në një dalje publike preznatoi draftligjin e ri për ndryshimin e sistemit të deklarimit të biznesit dhe monitorimit të tij.
Projekti parashikon që, duke nisur që nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjithë transaksionet ndërmjet biznesit me njëri- tjetrin dhe ndërmjet biznesit dhe organeve publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Synimi i kësaj reforme është: minimizimi i nivelit të ekonomisë informale; përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave; Identifikimi më i lehtë i evazionit; kryerja e auditimit të taksave më kost-efiçent; ulja e nivelit të korrupsionit në administratë; ofrimi i më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin; pozicionimi i Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Europian.

Kurse Partia Demokratike ka nxjerrë dje një dokument i cili pasqyron kostot e sistemit të ri të fisklaizimit. PD mendon se tenderi i paracaktuar i sistemit të ri të faturimit të biznesit, është zhvatje e re për biznesin.

Sipas dokumentit të PD, vetëm firma elektronike kushton nga 50 deri në 110 Euro për çdo biznes. Bizneset do të blejnë pajisje dhe programe të reja kompjuterike, printer, kompjuter, telefonë të teknologjisë së lartë, lidhja e detyrueshme e internetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë