Libra

Ismail Kadare: Për sunduesit e shteteve dhe ata të shpirtit

Suadela Balliu - Kjo është vepra që, për ta shkruar, i ka marrë më shumë kohë nga të gjitha të tjerat. Kështu do të thoshte Helena Kadare, ndërsa shoqëronte të shoqin, shkrimtarin Ismail Kadare në përurimin e librit të tij më të ri, i përfolur shpesh edhe si vepra e fundme e shkruar prej tij, në Panairin e 21-të Librit. “Kur sunduesit grinden” është sprova e shkrimtarit, ndërsa në 174 faqe dhe në trembëdhjetë versione, duke zbërthyer misterin e bisedës telefonike mes udhëheqësit komunist Josif Stalin dhe shkrimtarit Boris Pasternak, sjell marrëdhënien delikate mes diktatorëve dhe shkrimtarëve. Në këtë libër, thotë Ismail Kadare, bëhet fjalë për sundues, ata që në kuptimin klasik“quhen tiranët, diktatorët, shefat... Por nga ana tjetër kam krijuar sunduesit e tjerë, sunduesit shpirtërorë, shkrimtarët.” Përmes këtij misteri telefonimi, që edhe pas afro një shekulli  vazhdon të zbërthehet e të interpretohet ende sot në mënyrat më kundërshtuese, duket se shkrimtari ka projektuar me këtë,  një tjetër marrëdhënie po aq delikate mes diktatorit dhe shkrimtarit...

Në njëvështrim të parë, krijohet përshtypja se kureshtjen për librin e mbajnë gjallë dy bashkëbiseduesit: Stalini dhe Pasternaku. Nga një shqyrtim më i thellë, një personazh i tretë, më pak i njohur se ata, poeti Osip Mandelshtam, ndonëse nuk merr pjesë në bisedim, zë vendin kryesor në të. Rrallëherë është folur dhe shkruar kaq shumë për një bashkëbisedim telefonik. Të pafundme kanë qenë zbërthimet e tekstit dhe po aq këmbëngulëse interpretimet e kundërta, shkruan Kadare në versionin e trembëdhjetë të rindërtimit dhe zbërthimit të misterit rreth asaj telefonate mes shefit suprem të shtetit më kërcënues të kohës dhe Boris Pasternakut, shkrimtarit të shquar dhe njëkohësisht të padashur prej këtij shteti dhe prej shefit të tij.Dëshmitë arkivore kanë nxitur shpesh  dyshimin nëse biseda vetë ishte  bërë.Kadare thotë se, në të vërtetë bashkëbisedimi telefonik ka ndodhur më 23 qershor 1934. Janë përcaktuar po aq saktësisht emrat e dy bashkëbiseduesve.  Arkivat japin gjatësinë e bisedimit prej katër minutash. Teksti i plotë i secilit personazh është i dallueshëm qartë në të gjitha regjistrimet, nga fjalët e para të bashkëbiseduesve përcaktohen dy nga mjediset prej nga ata i drejtohen njëri-tjetrit. Mjedisi i parë është Kremlini, tjetri apartamenti moskovit i shkrimtarit. Në pamje të parë, asgjë të errët, për të mos përdorur fjalën “misterioze” nuk ka në këtë këmbim frazash.Një nga  dy personazhe, Stalini, i bën disa pyetje tjetrit, Pasternakut për një shkrimtar, emri i të cilit, për shkak të arrestimit të tij, është në gojën e të gjithëve: Osip Mandelshtam. Pasternakui përgjigjet në një farë mënyre, por shefi është i pakënaqur nga përgjigjja,gjersa në fund ia mbyll telefonin. Ngjarja ndërlikohet befas duke futur një përmasë tjetër, atë që mund të quhet “zona e vdekjes”. Është ajo që sjell me vete moskuptimet dhe mjegullën që do të vazhdojë me dhjetëra vite. E gjendur njëkohësisht në dy zona të pamundura për njëra-tjetrën, ngjarja do të na mundojë të gjithëve me pamundësinë e saj. Ajo do të jetë zile alarmi për gjithçka që nuk e lë të flejë kurrë ndërgjegjen njerëzore. Osip Mandelshtam as ka qenë,as do të jetë ndonjëherë i vetmuar në largësinë e vet. Dhe këtu qëndron, mesaduket, ajo që, për të shmangur fjalën e bujshme “pavdekësi”, do ta kishim më lehtë dhe më natyrshëm për Mandelshtamin dhe për të gjithë të ngjashmit e tij,fjalën “pafundësi”. Të shkruarit e librit me fletë të shpërndara në të gjithë shtëpinë, ishte i vështirë përshkak të dokumentacionit, që siç kujton Helena Kadare, sa vinte e shtohej. Fati i hidhur i poetit Osip Mandelshtam, është në të vërtetë fati i qindra shkrimtarëve të njohur e më pak të njohur që vuajtën nën komunizmin bolshevik.

KADARE NE PANAIRIN E LIBRIT - Shkrimtari Ismail Kadare dhe gruaja e tij Helena, në stendën e shtëpisë botuese Onufri, ku Kadare ka dhënë libra me autografe, në ditën e tretë të Panairit te Librit 2018, i çelur në Pallatin e Kongreseve, në Tirane.

Në vjeshtën e vitit 1933, Mandelshtami shkroi pemën “Epigrama e Stalinit”, të cilën e lexoinë disa takime, me pak njerëz, në  Moskë. Poema ishte kritikë e mprehtë ndaj  “malësorit të Kremlinit”. Gjashtë muaj më vonë, më 1934-ën, Mandelshtami u arrestua. Por,pas marrjes në pyetje rreth poemës, nuk u dënua menjëherë me vdekje apo në gulag, por u dëbua në veri të Uraleve, në Çerdin, i shoqëruar nga bashkëshortja.Pas përpjekjes për të kryer vetëvrasje, dënimi u zbut duke mos e lejuar të dukej në qytetet më të mëdha. Por iu lejua të zgjidhte vendin e tij të ri tëbanimit. Mandelshtami dhe e shoqja, zgjodhën Voronezhin.

Ç’mendon ti për Mandelshtamin? Përgjigja e Boris Pasternakut “Ne jemi të ndryshëm shoku Stalin” përmendej përherë e më shpesh si vërtetim i lënies në baltë të shokut. Kështu shkruan Kadare në librin  “Kur sunduesitgrinden”, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, ndërsa botuesi në fund të tij, bën me dije se autori ka kërkuar mundësinë e një botimi të ardhshëm të plotësuar të këtij libri.

Çmendoja unë për Pasternakun? Përgjigjen “ne jemi të ndryshëm” mund ta thosha më lehtë, sepse ashtu ngjante: komb tjetër, shtet, kohë, fe, gjithashtu. Aq më tepër gjuhë. Megjithatë ishim fis, Dhe kjo s’ndryshohej dot. Moska ishtebërë e pashmangshme qysh ditën që ishte bërë e përshtatshme për art.Rrjedhimisht, Pasternakun e bënte të pashmangshëm demoni i farefisnisë së artit. Duke mos e shmangur dot, unë do të gjendesha midis tij dhe shtetit komunist. Pra, me poetin kundër shtetit. Ose me shtetin kundër poetit. Ose asnjanës, me askënd.

E vërteta tragjike e atyre shkrimtarëve të dënuar me harresë, duket se pret ringjalljen e saj. Tani që rendi  ka rënë, hapja e arkivavedhe dosjeve të tij është çështje e ditës. Në ditët e fushatës kundër Pasternakut, telefonimi i tij me Stalinin,lidhur me Mandelshtamin e arrestuar, përmendej si një nga  ngjarjet kryesore,  për ta poshtëruar poetin. Sidomos ajo pjesë e bisedës kur Stalini e pyeste ç’mendonte për Mandelshtamin. Tregoheshin pesë apo gjashtë versione të saj, por flitej se kishte shumë më tepër, njëri më i keq se tjetri. Në librin e tij, shkrimtari shqiptar ka rikrijuar, trembëdhjetë versione sesi mund të ketë rrjedhur ajo ngjarje.

Idiot, e shava prapë bjellorusin, po më shumë veten time, që shikoja ëndrra të tilla. Kjo s’më pengoi që një copë herë ta vrisja mendjen nëse mund të kishte ose jo tjetër version. Shoku Enver do të flasë me ju...Ç’mendoni përMandelshtamin ...Domethënë për Lasgush Poradecin, ose për Paskon, ose përMarkon që... burg...domethënë që ndonëse sapo kishin dalë nga burgu...mund të ktheheshin prapë atje ...ose më thjesht për Agollin, Qiriazin,Arapin...që...burg...domethënë që ende burg nuk kishin bërë. Që t’i biemshkurt, çmendon për veten tënde. Për këtë të fundit, domethënë veten time, mundta kisha më lehtë. Unë, si të  gjithë,mendoj të shkruaj për jetën...Pavarësisht nga një novelë e pabotuar, që mund tëjetë bërë problem, gjer te shoqja N., për jetën studenteske në Moskë. Ndonësengjarjet ndodhnin larg, në breg të Baltikut, në vendin e quajtur Dubulti, nënjë shtëpi pushimi shkrimtarësh.

Shkrimtari e vë veten në vendin e Pasternakut, të cilin e quan si të afërm të një fisi: të fisit të shkrimtarëve, ndërsa imagjinon diktatorin shqiptar, ta pyesë drejtpërdrejt në një bisedë telefonike se ç’mendon për aksh shkrimtar. A ta ketë pyetur vallë njësoj si Stalini Pasternakun? Mes faqeve, shkrimtari turbullon mes ngjarjeve të ëndërruara e atyre të ndodhura vërtet...Sprova i ka  kështu elementët e romanit. 

Telefonimi i Enver Hoxhës kishte ndodhur vërtet përpara ca kohe. Ishte mesditë, ndodhesha si zakonisht në Lidhjen e Shkrimtarëve,  kur zëvendëskryeredaktori i gazetës “Drita”, duke më zgjatur telefonin, më tha se dikush më kërkonte. Jam Haxhi Kroi, tha zëri. Me ju do të flasë shoku Enver. Nuk arrita të them asgjë veç fjalës “faleminderit”! Më përgëzoi për një poemë që sapo ishte botuar në gazetë . Unë thashë prapë “faleminderit”. Ai thase i kishte pëlqyer shumë dhe, ndërsa iu bëra një shenjë të tjerëve që të mos  bënin zhurmë, pa qenë në gjendje të shqiptoja diçka tjetër, përsërita një “faleminderit” të tretë. Ç’janë këto katër falënderime rresht, tha njëri nga redaktorët. Kur na qenke bërë kaq i sjellshëm? S’dija si t’i paralajmëroja, veç bëra  një shenjë tjetër me dorë, që vështirë se mundtë kuptohet se ç’donte të thoshte. Ishte Enver Hoxha. Ishin të vetmet fjalë qëarrita të them, kur telefoni u mbyll.

Elena Kadare, shkrimtari Ismail Kadare dhe botuesi Bujar Hudhri, në stendën e shtepisë botuese Onufri, në ditën e tretë të Panairit të Librit 2018, i çelur ne Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Botuesi Bujar Hudhri, në një shkrim editorial në gazetën “Exlibris” rrëfen hollësi nga ngjizja e librit “Kur sunduesit grinden”. Kishte ndodhur në vitin 2010, gjatë një udhëtimi në Moskë, për të xhiruar në pjesë të një filmi dokumentar , që fliste për jetën e shkrimtarit, si një stacion i rëndësishëm i jetës dhe krijimtarisë së tij.“Dhe ja, pas një muaji, në qershor 2010, udhëtoj përmes Moskës me Kadarenë e tanishëm, por edhe me Kadarenë 22 vjeçar të “Muzgut”. Aq herë e kisha lexuarkëtë roman, sa më dukej se i njihja rrugët, bulevardet, stacionet e trenit, metrotë, monumentet. Gjithë personazhet, dialogët e tyre. Në këtë qytet tëpafund ku shkelja për herë të parë, më dukej sikur të vetmet kujtime që më lidhnin me të, ishin faqet e këtij romani.”, rrëfen më tej Hudhri. Një vizitë në vilën e Pasternakut, në Peredelkino, në dhomat ku kishte jetuar e punuar e më  pas, në varrin e tij e në mbyllje të ditës një film dokumentar kushtuar jetës së Pasternakut, si një rastësi që donte të thoshte se ishte më shumë se aq. “Më pas, shumë herë e  kam biseduar me Kadarenë atë moment magjik. Për t’i mbushur mendjen vetes, se e gjitha kjo ishte një ëndërr, mbase? Po si ndodhi? Po si koiçidoi? Si u gjendëmpikërisht në atë çast ndërsa jepej ky film nga kanali i njohur rus “Kultura”?S’ka përgjigje. S’mund të ketë, ndoshta. Fati ma kishte sjellë të isha në njëzonë midisëse. Ku plekseshin kohërat, vendet, ngjarjet, personazhet. Ndaj kurKadare më dorëzoi faqet e para të librit të ri, tre vjet më parë, m’u duk sikur isha ende atje, në atë dhomë të atij hoteli të stërmadh, me një emër të denjë për të, “Kozmos”. Botuesi thotë se zanafilla e këtij libri ishte pikërisht atje, ndërsa aikishte qenë me autorin, aty, “Ky libër mbase e ka zanafillën tek romani “Muzgu”, kur unë isha një gjimnazist dhe debatonim me shokët se kush ishte më i madh, Kadareja apo Agolli? Apo te poemat  për Llorën,për.... Apo qysh në momentin kur redaktori i librit të tij të parë i thotë, posi nuk ke një vjershë për Moskën? Edhe më herët akoma, ndoshta. Që në lindjen e shkrimtarit.”  Pasternaku, në këtë libër, thotë Hudhri, është sivëllai i tij, Kadare. “Me një fat më të bukur, natyrisht.Për fatin e ne të gjithëve. Për të gjitha gjuhët e botës.”

Në  Tiranë vazhdonte fushata për njohjen e jetës. Shkrimtarët, pothuajse pa përjashtim, ekishin pranuar se kishin mangësi, sidomos për njohjen e punëtorëve të uzinave, pa folur pastaj për kooperativat bujqësore. Pa i thënë askujt, e kisha nisur ndërkaq romanin për Moskën, por s’isha fare i sigurt se do ta vazhdoja. Ditën më dukej fare i pamundur, ashtu si vetë Moska, që ishte bërë e tillë për tëgjithë. Me prerjen e marrëdhënieve diplomatike, kishte humbur çdo shpresë efundit për ndonjë udhëtim atje. Kurse natën, sidomos pas mesnatës, gjëratndryshonin. Bija në gjumë me shpresën se do të më shfaqej pikërisht midis tij.

Rrugëtimi përmes këtij libri nis me Kadarenë e larguar prej disa vitesh prej Moskës, ndërsa rikthimi tek ai qytet, mundej të ishte vetëm i ëndërrt. Si e përjetoi shkrimtari largimin? Si ndikoi prishja e marrëdhënieve mes dy shteteve tek Kadare? Çfarë gjurmësh la Moska tek i riu shqiptar, në ato dy vite, ku  studioi në Institutin Maksim Gorki?

...Në një nga ëndrrat, pasi e kalova gati duke uzvarritur Sheshin Pushkin, i gjeta shumicën e studentëve në miting. Pothuajse e dija, megjithatë s’mund të them se nuk u befasova kur pashë në pankarta emrin tim. E fill pas kësaj, nisa të dëgjoj përherë e më qartë klithmat kundër meje.

Poeti rus Osip Mandelshtam 

Mbrëmjen e 14 majit të vitit 1934 – dy vjet përpara se Ismail Kadare të lindte – Osip Mandelshtam u arrestua në shtëpinë e tij. i hidhëruar, Pasternakuu nis menjëherë drejt zyrave të gazetës "Izvetsia" dhe iu përgjërua Nikollai Bukarinit të ndërhynte në ndihmë të Mandelshtamit. Menjëherë pas takimit me Bukarinin, telefoni në apartamentin e Pasternakut në Moskë, tringëlliu. Një zë nga Kremlini thoshte: “Shoku Stalin dëshiron të flasëme ty”. Sipas shoqes dhe të dashurës, poetes Ogla Inviskaja, Pasternaku shtangu. Ajo bisedë e kishte kapur në befasi. Udhëheqësi, sipas disa versioneve që qarkullojnë e pyeti shkrimtarin “Më thuaj, ç’thonë rrethet tuaja letrare rreth arrestimit të Mandelshtamit?” I trazuar, Pasternaku e mohoi se  kishte ndonjë farë diskutimi apo se kishin mbetur qarqe letrare në Rusinë sovjetike. Stalini, shkoi më tej, duke i kërkuar mendim rreth Mandelashtamit. Ihutuar,  Pasternak i shpjegoi se ai dheMandelshtami kishin filozofi krejt të ndryshme rreth poezisë. Më në fund,Stalini, në një ton tallës zëri, i thotë “E shoh, nuk je në gjendje t’i dalësh në krah një shoku,” dhe mbylli receptorin.

Ç’mendim keni për Pasternakun? Pyetja ngjante e befasishme, ndonëse nuk ishte aspak e tillë. Në të vërtetë ishte e vetmja që nuk do të doja të më bëhej. Pasternaku? S’kisha të  bëja me të. Veç  një ditë e kisha parë nga larg, në Peredjelkino. Edhe nëqoftëse përmendej në vazhdimin e novelës. Kjo lidhej me fushatën, në sfond të së cilës ndodhin ngjarjet. Ishte një e afërme e tij, në Institutin Gorki. Një studente e vitit të dytë, që i kishte sytë vazhdimisht me lot. Për arsye që merreshin me mend. Isha gati të zgjatesha në hollësira të kota, veç të mos vinte pyetja tjetër, që po më dukej edhe më e keqe, ajo e çmimit Nobel. Ishte e lehtë të thoshte se shumica e studentëve, ndërsa ulërinin në kor kundër  tij, nuk ëndërronin veç për të. Ndërkohë s’ishte fjala për ta, por për mua vetë. Mos do të thosha se s’më kishte shkuar as në mendje? Natyrisht që jo. Mendja më kishte shkuar  shpesh, sidomos më pas, shumë kohë më pas,kur u pëshpërit se mund të isha unë vetë...në atë listën.

Shkrimtari Ismail Kadare rreth viteve '60 

Ismail Kadare jetoi Moskën e viteve 1958  e derimë 1960-ën, periudha e zbutjes hrushoviane. Ishte periudha kur shkrimtari, i zhgënjyer prej realizimit socialist, tundohet ta braktisë letërsinë. I detyruar t’i lërë studimet para kohe, për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik kthehet në Shqipëri për të punuar si gazetar dhe me fokus në karrierën letrare.

Aha, ndaj edhe zhurma kundër Pasternakut është përshkruar aq habitshëm,gjithsesi pangjashëm. Thua se s’është vetëm për të, por veç tij, edhe për dikë tjetër. Ndoshta për ty vetë. Ndaj, nervozizmi ishte i keq dhe njëherazi dehës. Ti, i vetëm, përballë vendit tënd, që të shan e të ulërin mu në fytyrë, me urrejtje dhe dashuri të bërë njësh. Ktheje atë çmim të nëmur, klithnin të gjithë studentët, gratë shtatzëna, minatorët e Tepelenës. Ndërsa ti, trillan që lëkundesh, ta marr a mos e marr, si të thuash, mëdyshje Hamleti. Dhe patriarku Sterjo Spasse, që ashtu si Kornei Çukovski, që i shkoi në daçë Pasternakut, të vinte tek ty, të kam si djalin tim, sot jam nesër s’jam, për hir të kujtimeve të Moskës...ktheje atë helm sa s’është vonë!

Në vitin e mbërritjes së shkrimtarit shqiptar në Moskë, shkrimtari rus shpallet fitues i Nobelit të Letërsisë( shumë vite më vonë, shkrimtari shqiptar do të përflitej thuajse çdo vit si kandidat i këtij çmimi). Për vijimësinë e traditës epike ruse, në poezinë lirike,  e vlerësoi komiteti i Akademisë Suedeze. Më 25 tetor, dy ditë më vonë,shpalljes, Pasternak i dërgon një telegram Akademisë i nderuar dhe i prekur për çmimin. Po atë ditë, Instituti Letrar në Moskë, u kërkoi të gjithë studentëve  të nënshkruajnë peticion duke e denoncuar Pasternakun dhe romanin e tij të famshëm “Doktor Zhivago.” Ata shkuan më tej dhe urdhëruan një demonstratë “spontane” duke kërkuar dëbimin nga Bashkimi Sovjetik i Pasternakut. Fushata kundër Pasternakut u organizua në traditën më të keqe staliniane.Me frikën se nuk do të lejohej të hynte më në Rusi, Pasternak dërgon një telegram të dytë, duke refuzuar Nobelin.

Shkrimtari rus, Boris Pasternak 

...Që Moska ishte bërë e pashmangshme , pikërisht në kohën që ishte kthyer në armiken e Tiranës, kjo nuk përbënte ndonjë habi. Befasimi mund të shkaktohej prej Pasternakut. Ç’donte ai në qytetin që porsa kishte hyrë në mbretërinë time? Midis flokëve të vajzave dhe letrave ku ende shkruhej “ti the se do të vish prapë”. Shkurt, a mund të shkruaja për to pa Pasternakun? Secili në punë të vet. Ai me hallet e tij të rënda, unë me ku rafsha mos u  vrafsha-t e mia studenteske? Sa më shumë që përpiqesha t’i mbushja mendjen vetes se s’ishte e vështirë, aq më tepër më ngjante ashtu. Gjersa e kuptova se ishte e pamundur. Ai kishte qenë atje... kur ndodhte gjithçka...Më saktë unë kisha ndodhur ...atje. Dhe s’mund të thosha se s’kish punë me të. Ne të gjithë kishim pasur punë me  të. Dhe do të kishim gjithmonë ngaqë ishim i njëjtifis, ai i shkrimtarëve.

...Sa më shumë kohë kalonte aq më e pamundur ngjante ndarja. Historia e trishtë e Pasternakut nuk ishte veçse njëra nga dëshmitë e shumta. Moska dhe Tirana ishin gati t’i vinin zjarrin njëra-tjetrës, por kur vinte puna te shkrimtari i mallkuar, kishin të njëjtin mendim dhe të njëjtin dekret: famën,të mirë apo të keqe, e keni këtu, në botën tonë. Kurse prej botës së atjeshme,hiqeni mendjen. Asgjë veç helmit dhe zisë nuk vinte andej.

Në nëntor të 2018-ës, gjashtëdhjetë vjet pas viteve të studimit në Moskë, i shtrënguar përt’u kthyer, por edhe për t’u shndërruar në atë regjim në një prej shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë, a po përpiqet Kadare të zbulojë ato që nuk i ka thënë ende,  rreth marrëdhënies së shkrimtarit me diktatorin? A përmblidhet e gjithë esenca e lirisë dhe shtrëngesave nën diktaturë, në atë bisedë katër minutash në telefon, mes Kremlinit dhe njëapartamenti në Moskë? A i ngjante fushata për denigrimin e Pasternakut,  fushatave që bënin fshehurazi kolegët kundërletërsisë së tij, siç janë publikuar në librin “Kadare i denoncuar” , me dokumentetë panjohura arkivore, që dëshmojnë denoncimet për autorin dhe veprën e tij? Aishte ndjerë i poshtëruar shkrimtari kur për ta qortuar – dhe për t’i përçuar mesazhin e rrezikut – e kishin çuar në punë prodhuese në Uzinën eAuto-traktorëve apo në kooperativën e fshatit Ndërnenas, pas librit“Pashallarët e Kuq”? A është ky libër përgjigjja e fundme e shkrimtarit për të gjitha ato akuza si “shkrimtar i regjimit”?

Historia tregohej zakonisht e kursyer me atë çka ndodhte midis poetëve dhetiranëve. E vërteta zëvendësohej shpesh me trillime që ishin po aq të lehta përt’u mbajtur mend. Sa ç’ishin të tilla për t’u harruar. Shkruan Kadare, ndërsa i ndërmendet thënia që jehon nga kohët e lashta.

Dy të marrë në Romë rronin.

Një Seneka, një Neroni.

Gjithë Roma fliste për ta, pa i dhënë dot përgjigje se cili zbavitej me tjetrin.

Përmes zbërthimit të një bisede telefonike, përplasjes mes dy pushteteve,politikës me letërsinë, a kërkon të thotë Kadareja se në fund, sy sunduesit – diktatori dhe shkrimtari – janë poaq autokratë? Apo përplasja mes tyre bëhet se cili syresh do i mbijetojë kohërave, do të jetë i pavdekshëm?  Lexuesit që mbajtën radhë, me orë të tëra, për të marrë një libër me nënshkrimin e shkrimtarit, që zgjedh t’i bëjë përurimet e librave, pa parapëlqyer të shpjegojë më tej ç’ka dashur të përçojë përmes letrave, do ta zbulojnë duke lexuar librin e fundit, por ndoshta jo të fundmit të tij, pasi siç shkruhet në faqet e  “Kur sunduesit grinden”, do të sjellë një botim të ardhshëm, duke i shtuar elementë të tjerë, që ndoshta ende po i qëmton... 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë