Trend

‘Ishim më mirë kur ishim më keq’. INSTAT: Më pak të papunë gjatë karantinës se këtë vit?!

INSTAT na tregoi sot se papunësia gjatë muajve prill-qershor të këtij viti ka rënë në 11.6 për qind dhe ky është një ndër tri rezultatet më të mira tremujore që prej vitit 2017.

Ka vetëm dy periudha që i përkasin vitit 2019 ku papunësia është pak më e ulët, por gati-gati njësoj, duke lëvizur me presje dhjetore.

Shiko Grafikun më poshtë.

Nga një vëzhgim i parë dhe i shpejtë shikon disa surpriza që kanë nevojë të sqarohen pse kanë ndodhur.

E para, si ka mundësi që gjatë muajve të mbyllur të karantinës në 2020-n papunësia te shqiptarët është po më e ulët sa në 2021 ose  gati njësoj? Ishte koha kur gjithçka, asnjë biznes, përveç atyre jetikëve, nuk punonte. Asnjë nuk punonte dhe megjithatë numrat e papunësisë janë më të ulëta se  vitit 2021 ku kufizmet dërrmuese janë hequr.

Për INSTAT, i cili bazohet te të dhënat e sigurimeve shoqërore, tatimet dhe zyrat e punës, vitin e kaluar edhe pse rreth 70 mijë vende pune u mbyllën, për ta paguheshin sigurime dhe ndaj ata figurojnë si të punësuar. Por nuk tregojnë thelbin që ata nuk prodhojnë të mira materiale e as vlerë të shtuar dhe ky fare mirë quhet punësim fake.

Surpriza e dytë është që papunësia në 2021, qenka më e ulët edhe pse një pjesë e mirë e vitit 2019 është viti me rritje ekonomike dhe bum turizmi.

Edhe kjo mund të ketë të paktën dy shpjegime: i pari, lidhet me rënien e forcës aktive për punë për shkak të emigracionit të lartë, fakt ky i konfirmuar mëse njëherë ose shkalla e lartë e informalitetit. Ky informalitet rritet sa herë ekonomia rritet.

Shifrat e papunësisë në 2021-n për dy tremujorët e parë janë më të ulëta edhe se 2017, viti i parë i referimit në publikimin e fundit të INSTAT. Edhe ky përfundim statistikor mund të mbajë të njëjtat shpjegime logjike si ato më sipër.

Edhe pse statistikisht të dhënat janë korrekte me metodologjinë, ato nuk tentojnë të shkojnë më thellë, por mbeten si një sallatë e ftohtë që nuk i afrohet të vërtetës, për nga mënyra se si shërbehet.

Grafiku i INSTAT na tregon se ka rënie të papunësisë, por djalli akoma rri i fshehur në detaje për të na treguar diçka tjetër.

Surprizat krahasuese sipas periudhave tremujore mund të shpjegohen me një shprehje shqiptare urbane që përdoret sa herë kur fakti edhe pse duket i fortë, perceptimi në jetën dhe ekonominë reale është tjetër dhe që në këtë rast besojmë se i përshtatet: “Ishim më mirë kur ishim më keq”. Sepse sot ne mësuam se kemi pasur më pak të papunë kur ishim në lockdown, sesa tani që bizneset janë hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë