Drejtësia

Inceneratorët, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj nën hetim nga SPAK për 4 akuza

Gazeta Si - Pas disa muajsh verifikime, SPAK ka vënë nën hetim ish-zvkryeministrin Arben Ahmetaj lidhur me çështjen e inceneratorëve.

Sipas burimeve paraprake, ish-ministri i Financave është person nën hetim për veprat penale “korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “pastrim parash” dhe "fshehje pasurie".

Deri tani nuk nuk ka një komunikim zyrtar të akuzës apo marrjes të pandehur të Ahmetajt, por ligjërisht nënkuptohet se këto 4 vepra do të hetohet.

Ndërkohë, hetimi nuk kërkon një mandat autorizimi nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa nëse do të kërkohet një arrestim atëherë do të kërkohet edhe një autorizim.

Mësohet se Prokuroria e Posaçme po heton rolin e Ahmetajt në dy procedime që tashmë janë bashkuar.

I pari ka të bëjë për rolin si ministër në inceneratorin e Elbasanit dhe i dyti i regjistruar për akuzat e pastrimit te parave, në bazë të një kallëzimi të bërë.

Në fillim të muajit mars, nisi verifikimi pasuror ndaj Ahmetajt. Byroja Kombëtare e Hetimit kreu kontrolle më 9 mars në shtëpitë e ish-gruas Albina Mancka dhe bashkëjetueses aktuale Erjola Hoxha, pas urdhrit të dhënë nga Gjykata e Posaçme.

Sipas procesverbalit u sekuestruan projektet e ndërtimit të 3 vilave, 1 apartamenti dhe 1 shtëpie ekzistuese në Tiranë në zonën e bllokut. Pjesë e dosjes janë bërë edhe projektet e mobilimit të tyre.

Emri i Arben Ahmetajt doli pas zbërthimit të laptopit të Klodian Zotos, i cili është përfitues kryesor i inceneratorëve dhe është shpallur në kërkim nga policia.

Pak ditë më parë, Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha, ankimuan vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për kontrollin e ushtruar në banesën ku ata jetojnë.

I paligjshëm, sipas avokatëve të Ahmetajt, u konsiderua edhe procedura e kontrollit të banesës dhe ajo e kontrollit personal ndaj partneres së tij. Sipas tyre, arsyeja ishte nevoja për një autorizim nga Kuvendi, pasi Ahmetaj është deputet.

Ndërkohë, dosja me 21 persona të akuzuar për çështjen e inceneratorëve ka shkuar për gjykim nga SPAK dhe mes tyre janë edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë