Drejtësia

Kontrolli i vilës së partneres, Apeli i GJKKO rrëzon ankimimin e Arben Ahmetajt

Gazeta i - Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar ankimimin e ish-zvkryeministrit Arben Ahmetaj për kontrollin e bërë nga hetuesit në vilën e partneres së tij në Hamallaj për llogari të hetimeve për aferën e inceneratorëve.

Ahmetaj kishte ankimuar kontrollin nga agjentët e BKH-së me argumentimin se ishte i paligjshëm. Por Apeli i GJKKO e cilësoi të ligjshëm kontrollin.

Gjyqtari Dhimitër Lara, nuk ka pranuar ankimimin e deputetit socialist ndaj vendimit që lejoi kontrollin e banesës së bashkëjetueses së Ahmetajt në Hamallaj të Durrësit.

Ahmetaj kërkoi të cilësohej antikushtetues ky vendim, me pretendimin se për lejimin e kontrollit të banesës së bashkëjetueses së tij, duhej marrë miratim nga Kuvendi.

Me 9 mars, shtëpia e partneres së ish-ministrit të Financave, u kontrollua nga Byroja Kombëtare e Hetimit për llogari të hetimeve për çështjen e inceneratorëve.

Avokatët e Ahmetajt iu drejtuan GJKKO-së, duke pretenduar për paligjshëmri në procedurën e ndjekur gjatë bastisjes në vilën e bashkjetueses së tij, Erjola Hoxha.

Sipas avokatëve kontrollet nuk mund të kryheshin pa autorizimin e Kuvendit pasi Ahmetaj ka imunitet.

Me 24 mars, me urdhër të SPAK, u sekuestruan vilat e bashkëjetueses dhe ish-bashkëshortes së ish-ministrit në Hamallaj dhe Palasë.

Deputeti socialist Arben Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për akuzat e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë, në procedimin e ndarë më vete pas dërgimit në gjyq të dosjeve për  inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë