Drejtësia

Inceneratorët, SPAK: Ka procedim penal veçmas për Arben Ahmetajn

Gazeta Si - Një ditë pas kontrolleve në banesën e ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt dhe partneres së tij, SPAK ka sqaruar çështjen në hetim për inceneratorët ndaj ish-ministrit të Financave.

SPAK sqaron se në lidhje me veprimet e kryera nga Arben Ahmetaj, është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u regjistruar procedimi penal në datë 19.09.2022.

Ky procedim penal është hetuar nga prokurori Klodjan Braho dhe është ndarë si procedim penal më vete para se prokurori Ened Nakuçi të bëhej pjesë e grupit hetimor për procedimin penal.

Në njoftim, shtohet se SPAK kundërshton çdo tentativë për intimidim dhe sulme personale ndaj prokurorëve të posaçëm që synon t’i kufizojë ata nga kompetenca dhe përgjegjësia e tyre për të ushtruar ndjekjen penale sipas Kushtetutës dhe ligjit.

“Në lidhje me veprimet e kryera nga shtetasi Arben Ahmetaj në cilësinë e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Drejtësisë, si dhe në lidhje me disa fakte dhe rrethana të tjera që kanë rezultuar nga hetimet e paraprake, është vendosur ndarja e çështjes penale duke u rregjistruar proçedimi penal nr.277/1, datë 19.09.2022. Ky proçedim penal është hetuar nga prokurori Klodjan Braho dhe është ndarë si proçedim penal më vete para se prokurori Ened Nakuçi të bëhej pjesë e grupit hetimor për proçedimin penal nr.277 viti 2020”, thuhet në njoftimin e SPAK.

SPAK sqaron gjithashtu se prokurori Klodjan Braho është larguar me kërkesën e tij, dhe se hetimet po kryhen nga prokurorja Enkeleda Millonaj.

Ndërsa duke u kthyer te procedurat që kryejnë prokurorët e posaçëm, SPAK thotë se kushdo që ka pretendime mund t’i referohet ILD apo organeve të ndjekjes penale që kontrollojnë punën.

Mbrëmjen e të enjtes, Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontrolle në shtëpitë e ish-gruas së Ahmetajt, Albina Mancka dhe bashkëjtueses aktuale, Erjola Hoxha. Kontrollet janë zhvilluar pas urdhrit të dhënë nga Gjykata e Posaçme.

Sipas procesverbalit, janë sekuestruar projektet e ndërtimit të 3 vilave, 1 apartamenti dhe 1 shtëpie ekzistuese në Tiranë në zonën e bllokut.

Pjesë e dosjes janë bërë edhe projektet e arredimit të tyre. Burimet bëjnë me dije se në njërën prej shtëpive janë sekuestruar edhe rreth 30 mijë euro cash.

Këto kontrolle kryhen pas hetimeve për të verifikuar rolin e ish-zv/Kryeministrit në çështjen e inceneratorëve.

Emri i Arben Ahmetajt doli pas zbërthimit të laptopit të Klodian Zotos, i cili dyshohet se është përfitues kryesor i inceneratorëve dhe është shpallur në kërkim nga policia. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë