Drejtësia

SPAK sekuestron vilën e ish-gruas së Arben Ahmetajt në Palasë dhe vilën e partneres në Hamallaj

Gazeta Si - SPAK sekuestroi dy prona që dyshohet se i përkasin ish-zvkryeministrit Arben Ahmetaj për llogari të hetimit për inceneratorët.

Bëhet fjalë për një vilë në Palasë, e cila dyshohet se është në pronësi të ish-bashkëshortes së ish-ministrit të Financave, Albina Mançka.

Ndërsa më pas, me urdhër po të SPAK, u sekuestrua edhe një vilë në Hamallaj, e cila i përket bashkëjetueses së tij, Erjola Hoxha dhe që gjendet në një zonë rezidenciale.

SPAK ka dyshime se vila në Palasë i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt, por sipas burimeve, objekti në bregdetin e Jugut, rezulton i regjistruar në emër të një personi tjetër.

Sipas informacioneve paraprake, prona do të qëndrojë në sekuestro preventive. Po ashtu, mësohet se vila në Palasë është hapur me forcë nga forcat zjarrfikëse të thirrura nga policia, ndërsa janë sekuestruar sende personale dhe fatura.

Sekuestrimi vjen në një kohë kur ish-zëvendëskryeministri është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për 4 akuza.

Ato i përkasin dy procedimeve penale, që janë bashkuar në një të vetme. Çështja e parë është për koncesionin e inceneratorit të Elbasanit dhe mban numrin 277/1, ku Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre.

Ndërsa e dyta, me numër 30 është për “pastrim të parave”, “korrupsionit” dhe “fshehja e pasurisë” në bazë të një kallëzimi tjetër të bërë ndaj tij.

Disa ditë më parë, Agjentët e Byrosë Kombëtarë të Hetimit kanë kryer kontrolle në banesën e partneres së ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij.

Në banesën e ish-bashkëshortes nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm, ndërsa në banesën e bashkëjetueses është gjetur një shumë parash cash. Në të njëjtën banesë janë sekuestruar edhe disa kontrata dhe dokumente shkresore.

Disa ditë pas kontrollit të banesës dhe vilës nga ana e SPAK, Ahmetaj së bashku me partneren e tij, ankimuan në Apelin e Posaçëm vendimin e Shkallës së Parë për lejimin e kontrollit të BKH-së në pronat e tyre.

Erjola Hoxha, së bashku me ish-zv.kryeministrin e Shqipërisë, iu drejtuan me një kërkesë Gjykatës së Posaçme (GJKKO), duke kërkuar shpalljen e jashtëligjshme të kontrollit të dy banesave të saj në zonën e Valamarit në Hamallaj të Durrësit.

Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij, pretendojnë se kontrolli ka qenë i papërshtatshëm dhe se duhej të merrej autorizim nga Kuvendi për të ushtruar kontrollin.

Ndërkohë, hetimi nuk kërkon një mandat autorizimi nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa nëse do të kërkohet një arrestim atëherë do të kërkohet edhe një autorizim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë